Vritet biznesmeni i ndërtimit, qëllohet me 7 plumba
VLORË/ Kaçandon Shehaj është ekzekutuar rreth orës 01:00 teksa mbyllte makinën e tij në garazhin pranë shtëpisë
VLORË - Një ndërtues 37-vjeçar ka qenë viktima e radhës e vrasjeve të ndodhura në vend ditët e fundit. Kaçandon Shehaj, që njihej si ndërtues, ka qenë duke mbyllur garazhin e makinës në orën 01:00 pas mesnate, teksa është ekzekutuar me 7 plumba pa pasur asnjë mundësi shpëtimi. 24 orë më pas nga ana e hetuesve janë marrë në pyetje disa persona të cilët janë lënë të lirë dhe janë ngritur dy pista, megjithatë nuk ka asnjë të dyshuar apo një motiv konkret lidhur me ngjarjen.
Vrasja
Ngjarja ka ndodhur në një bllok pallatesh të reja, pranë Akademisë së Marinës. Krismat janë dëgjuar rreth orës 01:00. Shtatë plumba pistolete janë derdhur mbi 37-vjeçarin, duke e lënë atë pa jetë.
Mësohet se Shehaj banonte në këtë zonë. Si çdo mbrëmje në darkë, ai ishte drejtuar te garazhi i tij për të mbyllur makinën. 37-vjeçari prej disa ditësh e mbyllte garazhin manualisht. Teksa ka qenë në afërsi të tij, një karikator pistolete është zbrazur mbi të. Duket se veprimet kanë qenë të shpejta, duke mos i lënë kohë Shehajt të reagojë. Të shtatë plumbat e kanë prekur atë në kokë e trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Policia është njoftuar nga banorë të lagjes, të cilat pasi kanë dëgjuar krisma e zhurmë, i janë drejtuar asaj për ndihmë. Mjete të policisë kanë mbërritur shumë shpejt në zonë, por duke pasur vetëm si objekt shqyrtimi trupin e shtrirë dhe të pajetë, si dhe gëzhojat e shpërndara në vendngjarje.
Ekspertë të policisë kanë rrethuar vendin, ku kanë kryer procedurat e nevojshme e mbledhur provat materiale. Në pyetje janë marrë të afërm e të njohur të viktimës, për të hedhur më tepër dritë për ngjarjen, por deri tani policia nuk ka dalë me asnjë version zyrtar.
Hetimet
Mësohet se 37-vjeçari ishte ortak në disa ndërtime që po kryheshin në Vlorë. Sipas burimeve nga policia, të afërmit kanë mohuar që ai të ketë pasur borxhe, por gjithsesi marrëdhëniet në biznes do të jenë pjesë e hetimeve për zbardhjen e ngjarjes.
Burime të rezervuara pohojnë se deri tani ka dy pista, njëra ajo e biznesit dhe tjetra, duke shqyrtuar edhe marrëdhënie të viteve të mëparshme kur 37-vjeçari ka qenë emigrant, çka gjithashtu do të jetë pjesë e hetimeve. Po këto burime saktësojnë se pak kohë më parë, vetë 37-vjeçari ishte bërë objekt hetimi.
Një makinë që rezultonte e vjedhur, mjet që viktima e ka pasur në përdorim, e kishte përfshirë atë si të dyshuar, akuzë e ngritur nga policia e kryeqytetit, e cila edhe e kishte ndaluar Shehajn. Gjithsesi, procesi rezultonte i mbyllur dhe 37-vjeçari i çliruar nga akuza.
Përsa i përket autorësisë, policia ka hedhur dyshime se ka qenë më tepër se një person, por gjithçka do të vërtetohet nga ekzaminimet e gëzhojave, nëse kanë dalë ose jo nga një pistoletë e vetme. Shehaj, babai i dy fëmijëve, ishte me origjinë nga fshati Gumenicë, fshat ku edhe do të përcillet në banesën e fundit.