E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiaku i ri Tani nisim misionin per nje Tirane te Re ...

“Po pres me kënaqësi të punojmë së bashku për ta bërë Tiranën një qytet më të mirë, pavarësisht përkatësive politike”.

Kështu e ka nisur fjalën e tij përshëndetëse para anëtarëve të Këshillit të ri Bashkiak të Tiranës, kryebashkiaku i ri Lulzim Basha.

Menjëherë sapo ka kryer aktin e betimit për marrjen e kësaj detyre të lartë, ai u është drejtuar me një fjalim këshilltarëve të rinj, duke shpalosur të gjitha objektivat e drejtimit të institucionit kyç që administron kryeqytetin, tani e tutje nën kryesimin e tij.

“Nisim tani një rrugë të vështirë, por të bukur.

Edhe pse rrugëtimi ynë zgjati pak më shumë nga sa ishte parashikuar, ne kemi mbërritur në destinacion, për të ndërtuar Tiranën që ne duam dhe ëndërrojmë.

Ne nisim punën me sukses dhe pritshmëritë e qytetarëve tanë janë të mëdha, pasi të mëdha i lanë problemet ata që ishin para nesh dhe ndryshimi nuk është i lehtë.

Por ai do të vijë më shpejt, nëse ne do të punojmë së bashku”, theksoi Basha në fjalën e tij.

Duke shtuar se “do të hapë dyert për të gjithë qytetarët, pasi Bashkia është e të tërëve dhe jo vetëm e disave”.

“Për një kohë të gjatë, Bashkia e Tiranës, u shndërrua në një arenë politike, kur asaj nuk i takon të jetë pjesë e këtij konflikti.

Ndaj ka ardhur koha që të vihen qytetarët të parët dhe ndaj në mandatin tim, unë do të punoj, që Bashkia të jetë në shërbim të qytetarëve.

Ne nuk punojmë për zgjedhjet e ardhshme, por për brezin e ardhshëm, duke synuar cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Do shtrojmë rrugë dhe trotuare, do ndërtojmë Unazën e Re me tramvaj, do investojmë më shumë në art dhe sport, do ta trajtojmë çdo qytetar me respekt dhe dinjitet.

Së bashku, do të ndërtojmë Tiranën që ne meritojmë”, tha më tej Kryebashkiaku i ri i vendit.

Duke përfunduar se “ky qytet do të jetë si një familje e madhe, një qytet i denjë për aspiratat dhe shpresat e çdo banori të tij dhe jo vetëm kaq, por edhe të kombit tonë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›