Kryebashkiakut Lulzim Basha i jepet titulli “Qytetar i Lirë i Londrës”
Qytetari i parë i Tiranës është politikani më i ri dhe shqiptari i parë që nderohet me këtë titull prestigjioz. Çmimin e kanë fituar ndër të tjerë edhe Uinston Çërçill dhe Duka i Uellingtonit
Basha: “Vëmendja që kryeqyteti ka marrë sot, një kapital i çmuar për të drejtuar sytë e kapitalit britanik tek Tirana”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha është nderuar nё Londёr me titullin "Freedom of the City of London", gjatë një ceremonie të veçante të zhvilluar në Mansion House, rezidenca zyrtare e Lord Mayor dhe vendi ku zhvillohen disa nga ceremonitë më prestigjioze shtetërore e mbretërore. Ky titull nderi iu dha kryebashkiakut nga Lord Mayor, Alderman Roger Gifford, i cili është Lordi i 685-të në detyrë. Siç u tha në ceremoninë e nderimit, Lulzim Basha është historikisht politikani më i ri që e merr këtë titull dhe shqiptari i parë që nderohet me këtë çmim në Londër. Kryebashkiaku i Tiranës është i pari qytetar shqiptar që e merr këtë titull honorifik kaq të rëndësishëm, me të cilin janë nderuar figura të shquara të jetës politike, diplomacisë, shoqërisë, kulturës botërore. Basha e konsideroi marrjen e këtij titulli një privilegj për të, por dhe për kryeqytetin shqiptar. "Marrja e këtij titulli dëshmon për një shkallë të re të njohjes dhe vlerësimit për kryeqytetin tonë, për Tiranën, por edhe për Shqipërinë e shqiptarët", u shpreh Basha. Për kryebashkiakun kjo është një mundësi e madhe për tërheqjen e investitorëve të rëndësishëm që operojnë në Londër. "Vëmendja që qyteti i Tiranës ka marrë sot, përmes kësaj ceremonie është një kapital i çmuar për të drejtuar sytë e kapitalit britanik tek Tirana dhe mundësitë që ajo ofron për investime në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë dhe krijimit të vendeve të punës, si një prioritet kryesor imi si kryebashkiak", theksoi Basha. Nënkryetarja e Bashkisë së Londrës, Baroness Borëick u shpreh se“ceremonia ishte vërtet e shkëlqyer dhe tregon rëndësinë që ka për të dy vendet interesat që të dy vendet ndajnë sa i përket biznesit, kulturës apo fushave e mundësive të tjera, ndaj mendoj se jemi shumë krenarë të mirëpresim kryebashkiakun e Tiranës, pjesëtarin më të ri “Qytetarit të Lirë të Londrës” dhe duke shpresuar që ai të shijojë qëndrimin në Londër pasi mendoj se ka punë të tjera dhe evente të tjera sociale që e presin, në emër të Kryetarit të Bashkisë së Londrës ne jemi shumë të kënaqur ta mirëpresim atë në “Qytetar i Lirë të Londrës”. Ndërsa Lord Bates vuri në dukje se, “Kjo është një ceremoni historike. Ajo zhvillohet prej 500 apo 600 vjetësh. Është gjithashtu nder i madh për një kryetar bashkie të një vendi të huaj që i jepet ky çmim. Unë mendoj se është i merituar nga Kryetari Basha”. Gjithashtu Jonathan Bailey Obe, urdhri i Perandorisë dhënë nga mbretëresha, nënvizoi se, “Është një fakt shumë i rëndësishëm por më shumë është fakti se kryetari i Bashkisë Basha është shqiptari i parë që e merr çmimin e qytetarit të lirë të qytetit të Londrës. Unë mendoj se është nder si për kryetarin personalisht, ashtu edhe për qytetin e Tiranës por edhe për Shqipërinë”. Dhënia e titullit të Lirisë së Londrës është një nga ceremonitë më të vjetra që i kanë mbijetuar historisë shekullore të këtij qyteti. Ky titull, i dhënë për herë të parë në vitin 1237, mbetet akoma sot një simbol i gjallë i kryeqytetit britanik.