E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryediplomati britanik, Hague vizitë në Prishtinë – takime me Thaçin dhe Jahjaga

26-10-2012 / Gazeta 55

Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, ka shprehur në Prishtinë rëndësinë për arritjen e përparimit në të gjitha fazat e bisedimeve drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë, por theksoi se dialogu nuk duhet të jetë i pafund. Ai tha se e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, ndërsa shprehu mbështetjen e Britanisë së Madhe për iniciativën e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, lidhur me marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
“Është me rëndësi që të bëhet një lloj përparimi i vazhdueshëm në të gjitha fazat dhe që të vazhdojë puna. Duhet bërë përparim në të gjitha fazat. Në fazën e parë baronesha Ashton do të identifikojë fushat që do të zgjojnë interesin e të dyja palëve”, Hague.
Duke folur për procesin që pritet të pasojë këtë takim, Thaçi tha se “ka kaluar koha e konflikteve në rajon ndërsa është hapur koha e integrimeve euro-atlantike”.
Kreu i ekzekutivit kosovar tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë do të jetë në interesin e të gjithë popujve në rajon.
“Kosova është gati për të vazhduar këtë proces. Është ndërtuar një konsensus i gjerë politik shumë-partiak e gjithë-etnik. Është me rëndësi që bota demokratike dhe BE-ja është mbështetës për iniciativat e baroneshës Ashton”, u shpreh ai.
Megjithatë, as Thaçi nuk dha afat për mundësinë kur Serbia do ta njihte shtetësinë e Kosovës.
Sekretari i jashtëm britanik William Hague ka zhvilluat takim edhe me presidenten Atifete Jahjaga. Ata biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, proceset demokratike nëpër të cilat po kalon vendi, konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës si dhe për angazhimin e Britanisë së Madhe në rajonin e Ballkanit me theks të veçantë në Kosovë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›