E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kurban Bajrami shënon një moment solemn”

26-10-2012 / Gazeta 55

Presidenti Bujar Nishani uron besimtarët myslimanë

Presidenti, Bujar Nishani me rastin e Kurban Bajramit ka uruar me një mesazh të gjithë besimtarë myslimanë shqiptarë kudo ku punojnë dhe jetojnë. “Përzemërsisht ju shpreh urimet më të mira me rastin e festës së shenjtë të Kurban Bajramit, ditë e cila shënon një moment solemn për çdo besimtar mysliman në shprehjen e cilësive më të larta të Islamit! Në këtë ditë të bekuar lutjet dhe falënderimet zënë vend në çdo sofër besimtari, ndërsa virtyte të bamirësisë, mirëdashjes, dhembshurisë dhe dashurisë për njerëzit, sidomos tek ata më në nevojë,  ringjallet tek secili qytetar”, shkruhet në mesazhin e urimit të Presidentit Nishani.
Në këtë mesazh, kreu i shtetit e ka cilësuar festën e Kurban Bajramit, si një pjesë integrale të trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë. “Me tolerancën dhe harmoninë ndërfetare që na karakterizon në shekuj, ne i përcjellim njëri-tjetrit urimet më të ngrohta e të ndjera për mbarësi, mirësi e begati në familje, në jetë. Ky është një tregues i përkushtimit tonë për vlerat më të larta njerëzore, çfarë na fisnikëron si popull, promovon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në shoqëri, si dhe konsolidon përpjekjet tona të përbashkëta për një të ardhme të ndritur, për një të ardhme, të cilën ne e shohim të projektuar si pjesë e familjes së madhe evropiane, tek e cila afrohemi me vlera dhe trashëgimi kombëtare dinjitoze. Paçi ngaherë në familjet tuaja shëndet, gëzim, paqe, begati e mirëqenie!”, thuhet në mesazhin e urimit të presidentit, Bujar Nishani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›