Kryegjyqtarit të Vlorës: Në satër gjithë familjen

Kryegjyqtari, Artur Malaj
Do të të vrasim familjen dhe ty! Katër jetë nën satër. Këtë përmbajtje kishte sms që kërcënonte kryetarin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës, Artur Malaj. Edhe këtë herë si në rastin e Skerdilajd Konomit, kërcënimi është për dy çështje pronash.
VLORË - Këtë mesazh kërcënues Malaj e mori para dhjetë ditësh. Siç shprehet për mediat, “nuk u frikësua”, “nuk u tërhoq apo lëkund për asnjë moment”. Nuk i tha as familjes së tij, gruas dhe dy fëmijëve, që jetonin në Tiranë. Por kërkoi ndihmën e policisë dhe ndërkohë vijoi punën. Përgjatë 10 ditëve ka lëvizur nga Vlora në Tiranë, i shoqëruar nga policia, pa rënë në sy. Policia nga ana e saj nisi hetimet për identifikimin e personit që i bënte presion dhe e kërcënonte. Bëhej fjalë për një person shumë profesionist, që kishte njohuri në përdorimin e celularëve. Nga hetimet e kryera, rezultoi se ai kishte ndërruar mbi 20 numra dhe kishte blerë disa aparate celularësh, për të shmangur survejimin nga policia. Nuk ishte rasti i parë që kam marrë kërcënime për shkak të detyrës që bëj. Por as tani që u kap njëri prej autorëve nuk ndihem i friksuar, thotë Artur Malaj.
Malaj, kur pa vrasjen e Konomit
Ai falenderoi policinë për punën profesionale e të shkëlqyer, pasi mbrojti atë dhe familjen e tij. Malaj, duke sjellë ndërmend vrasjen makabre të gjyqtarit, Skerdilajd Konomi, pohoi se njerëzit që duan të realizojnë një vepër penale e bëjnë pa paralajmërim. Vetë Malaj ka koinçiduar teksa udhëtonte për në punë, vetëm 50 metra larg nga makina e Konomit kur ajo shpërtheu. Dëgjove dhe pashë shpërthimin e tmerrshëm që i mori jetën gjykatësit Skerdilajd Konomi. Nuk ndalova, mendova se ishte një nga ato shpërthimet, pasojë e luftës së bandave në Vlorë. Por sapo mbërrita në gjykatë, mësova se viktima ishte kolegu, miku dhe shoku im, Skerdi. Atë periudhë u shpreh se ndihej i indinjuar për humbjen e një kolegu, miku, gjyqtari. /M.A./