Kryemadhi njofton vendimin: LSI shtyn Konventën Zgjedhore

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka njoftuar sot vendimin për të shtyrë Konventën Kombëtare Zgjedhore të LSI, si pasojë e pandemisë së koronavriusit. Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi u shpreh se LSI nuk bën politikë me pandeminë dhe se është koha “të mundim të keqen. Konventa Zgjedhore e LSI ishte planifikuar për me datë 5 dhjetor, ndërsa Kryemadhi nuk bëri me dije një datë të dytë për mbajtjen e saj.
“Me përgjegjësinë dhe autoritetin që më jep statuti i partisë, si Kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, deklaroj se kam vendosur të shtyj për në një kohë tjetër mbajtjen e Konventës Kombëtare Zgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e parashikuar të mblidhej më datën 5 dhjetor 2020;
Duke qenë e bindur në mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj për vendimin që po shpall sot publikisht, dua të theksoj se solidariteti dhe bashkëveprimi, vendosmëria dhe guximi qytetar, humanizmi, dashuria për njeriun dhe respekti për jetën e gjithësecilit, mirënjohja për njerëzit e sakrificës dhe për të gjithë ata që shërbejnë në kushte skandaloze, edhe pse janë në vijën e parë të luftës me të keqen, janë e do të mbeten busulla e orientimit të çdo qëndrimi dhe vendimi të Lëvizjes Socialiste për Integrim”, tha Kryemadhi. /rtsh.al