E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Demokratike, zoti Sali Berisha nënshkruan me Kryetarin e Partisë Republikane, marrëveshjen për koalicionin e ri qeverisës

Sot, Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Demokratike zoti Sali Berisha nënshkroi me  kryetarin e Partisë Republikane, zotin Fatmir Mediu, marrëveshjen  për koalicionin e ri qeverisës.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri Berisha u shpreh për mediat e pranishme:

“Një marrëveshje u nënshkrua pak muaj më parë në këtë sallë me Partinë Republikane, aleatin më konstant dhe më të hershëm të Partisë Demokratike në këto 19 vite. Partia Republikane themeluar fill pas themelimit te PD-së, që nga ajo kohë deri më sot ka qenë aleati më i ngushte dhe më kryesor i Partisë Demokratike, në të gjitha  përpjekjet,  për mbrojtjen dhe konsolidimin e vlerave të shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut në Shqipëri.

Sot, ne kurorëzojmë marrëveshjen e nënshkruar pak muaj më parë me një marrëveshje të re, me të cilin ne siç ishim zotuar përcaktojmë rregullat e bashkëqeverisjes gjatë këtij mandati. Partia Republikane është një parti e cila ka promovuar në të gjithë ekzistencën e saj, një çështje të madhe për Shqipërinë  dhe shqiptarët, një çështje që qëndron në themel të sistemit demokratik siç është e drejta e pronës.

Partia Demokratike është partia që bëri shqiptarët pronarë dhe mbetet e vendosur të bashkëpunojë ngushtë me Partinë Republikane për reformën më të drejtë , më të ndershme të pronësisë dhe në kohën më të shkurtër. Të dy partitë tona kanë në themel idealin e tyre  ideal dhe evropian të qytetarëve shqiptarë.

Partia Republikane ka dhënë një kontribut të pamohueshëm , shumë të rëndësishëm për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Jam i bindur se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është qëllim i përbashkët i dy forcave tona politike , prandaj dhe kjo qeveri quhet qeveri e integrimit evropian të Shqipërisë, proces ky jetik të shndërrimit në realitet të një ëndrre të shqiptarëve.

Unë jam i bindur se të gjitha shtyllat kryesore , programore të dy partive janë në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë, ndaj dhe në një marrëveshje që sapo firmosëm ne përcaktojmë të gjitha fushat e bashkëpunimit, nga reforma institucionale, ajo  pronësore, tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, tek reformat e gjithanshme për të përgatitur Shqipërinë për anëtarësim në BE. Sikundër kjo marrëveshje përcakton që PR do të ketë me kabinetin e ardhshëm ministritë e mjedisit, pyjeve  dhe ujërave  dhe dy zëvendësministra. Do të ketë një përfaqësim proporcional në të gjitha nivelet  e pushtetit. Marrëveshja përcakton që problematikat dhe votimet e ardhshme për institucionet kushtetuese do të jenë konsensuale.


07/09/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›