Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet Kryeministrit maqedonas Gruevski për tragjedinë ë liqenit të Ohrit
Kryeministri shqiptar, zoti Sali Berisha, i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski, me rastin e tragjedisë së liqenit të Ohrit ku humbën jetën një numër i madh turistësh.
Në këtë mesazh Kryeministri Berisha shprehet:
"I dashur zoti Kryeministër Gruevski,
Humbja e jetëve në ujërat e liqenit të Ohrit të një numri të madh turistësh, në mëngjesin e datës 5 shtator, është një ngjarje tragjike që ka tronditur jo vetëm Ju, qeverinë tuaj dhe popullin mik maqedonas, por ka tronditur thellë edhe mua, qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar. Me këtë rast në ëmër të qeverisë shqiptare ju përcjell Ju, qeverisë tuaj dhe familjeve të viktimave ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe lutem sëbashku me të gjithë ju, që shpirtrat e viktimave të pafajshme që mbetën në ujërat e liqenit të Ohrit të gjejnë paqen e merituar.
Me respekt
Sali Berisha”
05/09/2009