E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për ta rritur në një nivel shumë më të lartë qëndrimin ndaj bimëve aromantike mjeksore, një pasuri nga e cila përfitojnë në tërësi familjet e varfra të vendit

-Kryeministri Berisha: Qeveria e angazhuar të mbështesë prodhimin, kultivimin dhe përpunimin e bimëve aromatike mjekësore

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm  në  Konferencën e Tetë Kombëtare të industrisë së përpunimit të bimëve aromatike mjekësore të organizuar nga Ministria e Bujqësisë dhe shoqata EPCA. Të pranishëm në këtë konferencë ishte Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit  Genc Ruli, Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, si dhe specialistë të fushës, kultivues e përpunues të këtyre bimëve në Shqipëri.

Duke theksuar rëndësinë e sektorit prodhimit dhe trajtimit  të bimëve mjekësore, Kryeministri Berisha  u shpreh se, meqënëse këto bimë natyralisht kultivohen në zonat  verilindore dhe juglindore të vendit, ku varfëria është më e madhe, përpjekja e qeverisë do të konsistojë në fuqizimin  e këtij sektori si një mekanizëm për të luftuar varfërinë në këto zona. “Ju garantoj se qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për ta spostuar në një nivel shumë më të lartë qëndrimin ndaj kësaj pasurie të madhe natyrore, por kësaj pasurie nga e cila përfitojnë në tërësi familjet e varfra të vendit.” u shpreh kryeministri

Kryeministri theksoi se një rëndësi të veçantë merr zhvillimi i sektorit të përpunimit të këtyre bimëve, i cili do tu rrisë vlerën këtij produkti shqiptar kaq të vlerësuar në botë dhe do të krijojë më shumë vende pune dhe më shumë të ardhura për familjet shqiptare. Në këtë kontekst, Kryeministri  premtoi se, qeveria do të mbështesë me kredi duke zbutur interesat e të gjitha projekteve për përpunimin e bimëve aromatike mjekësore  në vend.

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha tha se, “Qeveria do të mbështesë me të gjithë forcën e saj, laboratorët më modernë që duhen  për të gjitha llojet e çertifikatave dhe vërtetimin e cilësive të tyre”.

 Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha u shpreh:

Zotërinj ministra

Të nderuar të pranishëm

Problemi i bimëve aromatike mjekësore, kultivimi, trajtimi, përpunimi, tregtimi i tyre janë të një rëndësie shumë të madhe. Së pari Shqipëria është një nga vendet më të pasura në Europë, në mos edhe në Botë, me bimë aromatike dhe bimë mjekësore. Biodiversiteti i saj është i famshëm , është i njohur dhe është  i jashtëzakonshëm, por ka një specifikë më themelore dhe kjo specifikë me themelore është se në tërësinë e tyre, bimët aromatike mjekësore rriten natyralisht,  apo kultivohen në ato zona që përbëjnë edhe hartën e varfërisë së vendit, në zonën veri lindore në zonën jug lindore. Pra në këtë aspekt përpjekja jonë, përqendrimi ynë  në problemin tërësor të bimëve aromatike mjekësore duhet konsideruar me përparësinë më të madhe si një mekanizëm për të luftuar varfërinë në këto zona. Këto zona kanë pak tokë, janë zona mahnitëse me bukuritë e tyre natyrore, por turizmin nuk është i zhvilluar. Ndaj dhe në këto zona duhet të bëjmë gjithçka. Të mos harrojmë se sipërfaqet me bimë mjekësore apo bimë aromatike në këto zona janë shumë e shumë herë më të mëdha  sesa sipërfaqet e arave apo livadheve të tyre.

Ndaj dhe duke ju përshëndetur ju përzemërsisht për përpjekjen e suksesshme që keni bërë deri më sot , ju garantoj se qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për ta spostuar në një nivel shumë më të lartë qëndrimin ndaj kësaj pasurie të madhe natyrore, por kësaj pasurie nga e cila përfitojnë në tërësi familjet e varfra të vendit.

Nuk ka arritje më të madhe sesa të bëjmë gjithçka për të rritur të ardhurat e tyre aty ku janë.

Padiskutim që ka një kthesë dhe nga një ndryshim, por kjo kthesë duhet të konsolidohet dhe duhet të kapë nivele të reja është e domosdoshme dhe qeveria do të qëndrojë të mbështesë me kredi duke zbutur interesat dhe  të gjitha përpjekjet tuaja, për përpunimin e tyre në vend. Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të arrijmë shkallën më të lartë të përpunimit të këtyre bimëve në Shqipëri, sepse në këtë mënyrë ne rrisim vlerën e tyre në treg. Qeveria do të mbështesë me të gjithë forcën e saj, laboratorët më moderne që ju duhen  ju për të gjitha llojet e çertifikatave dhe vërtetimin e cilësive të tyre. Universiteti i Bujqësisë, Qendra e Transferimit të Teknologjive, Instituti i Zooteknikës, të gjitha këto kanë laboratorë, por në rast se këtyre ju mungojnë mjete për të analizuar produktet, për çdo lloj analize që duhet, qeveria do ta ketë përparësi pajisjen sa më të shpejtë të tyre.

Ka një rëndësi të jashtëzakonshme që ne të konsolidojmë këtë sektor të rëndësishëm, edhe njëherë theksoj, nëpërmjet përpjekjeve tona, ne mund të përmirësojmë jetën e qindra mijëra familjeve të këtyre zonave dhe kjo është një arritje shumë e madhe. Në një perspektivë më të gjatë për Hotel –Turizëm, por kjo është një perspektivë nuk  mund të them imediate, ndaj dhe duhet të bëjmë çdo gjë. Duhet të bëjmë gjithçka për kultivimin e të gjithë atyre që janë të kultivueshme dhe kjo do të jetë një përparësi  e madhe, natyrisht që qeveria nuk mund të financojë në asnjë rrethanë ndryshe, përveç brenda standardeve më të mira. Ai qëndrim që mbahet për kultivimin e ullinjve, apo drurëve  të tjerë frutore. Po ato kërkesa  për standardet   e fidanëve duhet të jenë për të gjithë bimët aromatike, por financimi në këtë fushë i fermave të bimëve aromatike është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Është financuar shumë mirë në Malësinë e Madhe, sherebela duhet të financohet edhe në Jug, duhet të financohet në Gjirokastër, duhet të financohet në Zall Dardhë , sepse dhe ata mbjellin. Duhet të ketë përparësi Zall Dardha është një nga zonat më të izoluara të Shqipërisë. Të paktën të mund të nxjerrin, ata që jetojnë aty disa të ardhura për një jetë më të mirë. Por problemi është se edhe ju të nderuar specialistë  të Ministrisë së Bujqësisë duhet të shkoni në Zall Dardhë , duhet ta shihni Zall Dardhën, e mora si shembull. Duhet të hiqni dorë nga Google.  Google  është për amatorin, për ata që janë të apasionuar, kurse për specialistin është prekja e terrenit, njohja, është shumë e rëndësishme, se po ta shohim në këtë vështrim, më shumë do ta ndihmojmë ne këtë sektor.

Në qarkun e Kukësit më thonë se prodhohen rreth 200-250 ton boronicë, mirë është si prodhim, por problemi është se nuk e përpunojmë. Mëkat është që ta eksportosh atë kokërr,  në një kohë kur  ka disa mënyra përpunimi, me të cilat ia rrit shumë vlerën. Ndaj dhe qeveria duhet të financojë linjat e përpunimit të saj. E kam ngritur edhe njëherë tjetër, Universiteti i Bujqësisë dhe qendra duhet ti japim përgjigje, nëse mund të mbillet në pllajat e jugut, janë masive shumë të mëdha.

Nuk ka në Shqipërinë malore bimë më pantotonike se timuset , nga Çajupi deri në Bjeshkët e Namuna , kudo ato janë të pranishme.  Ato kanë një treg dhe kanë përbërje, kanë përdorim shumë të gjërë. Jemi eksportuesi  i parë ndoshta në Gjermani , por duhet të luftojmë ti përpunojmë edhe më mirë , duhet të luftojmë të kapim edhe tregje të tjera, potenciali ynë në timuse  është absolutisht ndër më të mëdhatë që mund të jetë. Nuk ka vend më të pasur se ne në male në Botë, po ti proporcionosh.  Në Europë jemi, sepse në Europë ne  kemi dyfishim e lartësisë mesatares Europiane, jemi vendi me lartësinë më të madhe, ndaj dhe duhet të bëjmë çdo gjë që të lehtësojmë të nxisim të inkurajojmë mbledhjen përpunimin e tyre. Natyrisht gjithçka e përcakton tregu. Në qoftë se ju do të jeni të pranishëm në Zagori, ju do të blini atje një nga çajrat më të mrekullueshëm që ekzistojnë , problemi është se duhet të jeni aty dhe ne duhet t’ju ndihmojmë ju, që të jeni aty, sepse edhe ju keni kostot tuaja. E tërë zona e rritjes është një zonë e vështirë për të pasur akses  është një  zonë me kosto.  Ndaj këto duhet të shqyrtohen nga Ministra e Bujqësisë dhe mjedisit në mënyrë që ne t’ju lehtësojmë ju  që ju të rrjetëzoheni  sa më shumë. Janë zona jo të lehta në pjesën më të madhe të tyre nuk kanë as rrugë, ose kanë rrugë të shpartalluara.

Pra të dashur  miq

Për ta ngritur në një nivel tjetër të gjithë këtë sektor shumë të rëndësishme duhet një përpjekje e madhe dhe e organizuar. Unë ftoj Universitetin Bujqësor, i cili ka specialist të shkëlqyer dhe jam i bindur, që ka prej atyre që kanë mbrojtur doktorata dhe i njohin shumë nga këto bimë në mënyrë të shkëlqyer, por të ketë një sektor të fuqishëm në këtë universitet për bimët  aromatike mjekësore, sikundër edhe qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore duhet ta ketë sektorin e vet.

Të bëjmë gjithçka për të rritur më tej. Prodhimi i tyre në vend është shumë e shumë herë më i madh sesa ai që vilet mblidhet dhe përpunohet, por studimet shkencore të orientuara drejt përzgjedhjes së varieteteve më të mira përmirësimit të cilësive të tyre janë dhe ato të një rëndësi të madhe. Dua t’ju bëj një krahasim, kjo është një përpjekje si të kthesh një gjë të egër në të zbutur. Në kuptimin që këto në tërësinë e vet  janë  në malet më të larta. Është e vështirë për ata që i mbledhin, të cilët përballen me vështirësi, është e lodhshme të mbledhësh, timus, boronica, por është absolutisht e vlefshme dhe ne gjithçka ti lehtësojmë ata. Duhet të bëjmë që të jenë sa më afër tyre mbledhësit, të nxisim mbledhësit dhe grumbulluesit e këtyre bimëve, që të jenë të pranishëm edhe në zonat më të larta. Dua t’ju falenderoj edhe njëherë për punën shumë të mirë që keni bërë, sepse ky sektor  ra njëherë përtokë dhe tani e ka marrë veten përsëri dhe ju garantoj se do ta marrë edhe më mirë dhe ju garantoj se  do të ecë shumë më mirë, sepse ne do të garantojmë mbështetje për ju.

Ju uroj gëzuar festat e fund vitit  ju, por edhe të gjithë fermerëve dhe bashkëpunëtorëve tuaj kudo që janë sot në Shqipëri."


17/12/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›