E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Aplikimi për në BE, arritje historike për shqiptarët

- Aplikim u bë me konsensus të plotë me kryesinë e radhës së BE-së, e cila e ndërmori hapin pas pëlqimit  të vendeve anëtare, me faktorët kryesorë europianë, me Komisionin Europian.

Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Varshavë për të marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore Europiane, i është përgjigjur interesimit të mediave mbi paraqitjen prej tij të kërkesës së Shqipërisë për aplikimin si vend kandidat për në BE, vetëm një ditë më parë, në Pragë.

Pyetje: Zoti Kryeministër, ka pasur mjaft reagime jo vetëm nga politika, por edhe nga media, për aplikimin e statusit të vendit kandidat. Cili është komenti juaj?

Kryeministri Berisha: Mendoj se dita e djeshme do të mbetet një ndër ditët më të rëndësishme në historinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Prilli ishte një muaj historik për shqiptarët, siç do të shprehej zv Presidenti i Senatit çek: Dy ngjarjet e mëdha të prillit për Shqipërinë janë rast i pashembullt për ndonjë vend tjetër, që ndodhën në një hark kohor 24 ditor: anëtarësimi në NATO dhe aplikimi për vendin kandidat për anëtarësimin në BE. Ky aplikim u bë me konsensus të plotë me kryesinë e radhës së BE-së, e cila hapin e ndërmori pas pëlqimit  të vendeve anëtare, me faktorët kryesorë europianë, me Komisionin Europian.

Pra, unë mendoj se kjo arritje përbën vërtet një arritje historike për shqiptarët. Jehona është jashtëzakonisht pozitive. Të gjitha agjencitë e mëdha të botës, mediat me prestigjioze europiane, kanë dhënë fuqishëm lajmin dhe kanë mirëpritur Shqipërinë. Dhe pas 4 prillit, Shqipëria i jep botës mesazhin e dytë të madh pozitiv, lajmin e  dytë të madh, të mirë.

Pyetje: Sa elektoral ishte hapi i hedhur dje zoti Kryeministër ?

Kryeministri Berisha: Mendoj se ka qenë një hap programatik, i bërë në përputhje të plotë me programin e kësaj mazhorance. Por, të mendoj se 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian u angazhuan në fushatë elektorale me Sali Berishën, kjo do të më dukej tepër. Nuk e mohoj se janë të shumtë interlokutorët që shprehin qartazi dëshirën e vazhdimit të dialogut me Berishën, por nuk mund të interpretohet dita e djeshme si një hap elektoral.


29/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›