Kryeministri Berisha: Prioritet i qeverisë, Shqipëria superfuqi energjetike ne rajon
- Drejtori i Qendrës për Studime Europiane, z. Tom Hahnen, vlerësoi se në Shqipëri ka një situatë impresionuese zhvillimi vitet e fundit dhe për këtë ai përgëzoi Kryeministrin Berisha për hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, nën drejtimin e tij, për zhvillimin e sektorit energjetik.
Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Varshavë për të marrë pjesë në Kongresin e Partive Popullore Europiane, mbajti sot një fjalë në punimet e panelit të organizuar nga Qendra për Studime Europiane, me tematikë; potencialet dhe perspektiva ekonomike e sektorit të energjisë.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin Zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave të Finlandës, z. Jynki Katainen, Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian, njëkohësisht anëtar i Komitetit për Industrinë dhe Kërkimin Shkencor dhe Energjinë, z. Alerjo Vidal – Quadras, Ministri i Jashtëm dhe i Çështjeve Europiane të Kroacisë, z. Gordan Jandrokovic, etj.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha foli për hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të shfrytëzuar potencialet e mëdha të vendit në fushën e energjisë dhe për perspektivën e investimeve dhe përdorimit të burimeve energjetike.
Të pranishmit përgëzuan Kryeministrin Berisha për politikat e ndjekura nga qeveria shqiptare nën drejtimin e tij,veçanërisht kohët e fundit, përsa i përket diversifikimit të burimeve të energjisë, në projektet për një infrastrukturë të re dhe moderne energjetike, për vizionin e qeverisë shqiptare për projektet rajonale të fushën e energjisë, si dhe për projektet për shfrytëzimin e potencialeve të mëdha që ka Shqipëria,si dhe për synimin e qeverisë për ta kthyer vendin në një superfuqi të vogël energjetike në rajon, duke shfrytëzuar këto potenciale dhe pozicionin gjeografik të Shqipërisë.
Drejtori i Qendrës për Studime Europiane, z. Tom Hahnen vlerësoi se në Shqipëri ka një situatë impresionuese zhvillimi vitet e fundit dhe për këtë, ai përgëzoi Kryeministrin Berisha për hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, nën drejtimin e tij. Z. Hahman shprehu bindjen se shumë shpejt Shqipëria do të kthehet në një vend eksportues për energjinë, ndërsa theksoi e arritjet e suksesshme të reformave të qeverisë janë inkurajuese për të gjithë.
Duke folur mbi situatën energjetike dhe projekteve në këtë fushë, Kryeministri Berisha u shpreh se një nga qëllimet kryesore të qeveris shqiptare është diversifikimi i burimeve të energjisë, i cili është një potencial shumë i madh. Një tjetër qëllim gjithashtu është eficenca e energjisë, që është shumë e domosdoshme për suksesin në projektet në këtë fushë.
Kryeministri tha se çështja e energjisë ka qenë një nga prioritetet e qeverisë që me ardhjen e tij në pushtet në vitin 2005 dhe vazhdon të mbetet i tillë. Duke iu referuar situatës në qeverisjet e mëparshme, Kryeministri theksoi se Shqipëria ka qenë një vend ku praktikohej ndërprerja e energjisë në masë, si një dënim kolektiv për qytetarët vendit. Në këtë kontekst, Kryeministri nënvizoi se mbetet i vendosur në mendimin se çmimi më i lartë i energjisë elektrike është mungesa e saj.
Nga ana tjetër, Kryeministri vuri në dukje rëndësinë që do të ketë Shqipëria në tregun energjetik, sepse ajo ka potenciale të mëdha hidrike dhe një pozitë gjeografike kyç, si dhe shumë faktorë të tjerë ndihmues, që bëjnë që ajo të kthehet në një superfuqi të vogël energjetike në mbarë rajonin. Kjo do të thotë që Shqipëria duhet të zbulojë burime të ndryshme të energjisë, duhet të zhvillojë dhe forcojë lidhjet e interkonjeksionit me vendet e tjerë, si një vend i vogël dhe me treg të vogël.
Kryeministri tha se puna në këtë drejtim tashmë ka nisur dhe rezultatet e para e kanë ndërruar situatën, veçanërisht për sa u përket sistemit të lidhjeve të interkonjeksionit. Ai përmendi këtu disa projekte si; lidhjen e re të interkonjeksionit me Malin e Zi, që është duke përfunduar, licencimin e 2 lidhjeve nënujore, etj. Në një hark të shkurtër kohor, kemi licencuar dhe kemi përmbyllur marrëveshje koncensionare me 47 stacione hidrobauer, ku njëri prej tyre është nga më të mëdhenjtë në Europë, që do të realizohet nga një kompani austriake dhe norvegjeze, tha Kryeministri.
Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare synon që menaxhimi dhe zhvillimi i fushës së energjisë në Shqipëri të bëhet totalisht nga sektori privat dhe kjo gjë po funksionon shumë mirë, duke shtuar se tashmë ka një interes shumë të madh, shumë të gjallë dhe transparent, nga shumë kompani të fuqishme, për prodhimin e energjisë në Shqipëri.
Shqipëria ka tashmë një ligj të partneritetit Publik - Privat nga më të mirët, theksoi Kryeministri, duke u shprehur se falë këtij ligji, tashmë shumës kompani të mëdha ndërkombëtare nga e gjithë bota kanë shprehur interes të madh të investojnë në vendin tonë në fushën e energjisë. Shqipëria, vijoi Kryeministri, është një vend me një vijë bregdetare shumë të gjatë dhe ka lartësinë më të madhe në Europë, gjë që e bën atë një vend shumë të përshtatshëm për platformat e prodhimit të energjisë së erës dhe deri tani janë licensuar 4 të tilla, ndërkohë që interesi i kompanive te tjera është çdo ditë në rritje. Këto kompani, në projektet e tyre po avancojnë me shpejtësi dhe ato do të bëhen shumë shpejt realitet, tha Kryeministri.
Shqipëria është duke avancuar për sa u përket burimeve energjetike, ndërkohë që ende ka shumë për të bërë në eficencën energjetike, tha Kryeministri, duke shprehur besimin se ne 3-4 vjet Shqipëria do të jetë një eksportuese serioze e energjisë.
Kryeministri foli edhe për rigazifikatorin e Semanit, në një ndër më të mëdhenjtë në Europë, duke theksuar se ai ka ngjallur një interes shumë të madh, tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha shprehu bindjen se fusha e energjisë do të jetë një fushë e shumë e rëndësishme zhvillimi në vendin tim. Ai ftoi vendet që shohin interes në këtë drejtim, që të investojnë në Shqipëri, duke siguruar se investimi i tyre do të jetë një histori suksesi.
29/04/2009