E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Bashkëpunimi rajonal është substancial për të gjithë ne që aspirojmë integrimin në BE

Kryeministri Berisha: Shqipëria i kushton shumë rëndësi bashkëpunimit rajonal, dëshmi e një transformimi të thellë dhe një përpjekje shumë serioze.

Komisioneri Fule u shpreh se është një zotim serioz i liderëve të mbledhur këtu, për të ndihmuar njëri-tjetrin për të realizuar sfidën e integrimit në BE.

Kryeministri Berisha po merr pjesë në konferencën e nivelit të lartë me liderë të Ballkanit Perëndimor: "Bashkë për Bashkimin Evropian: Kontributi i Ballkanit Perëndimor për të ardhmen e Europës", që po mbahet në Brno të Sllovenisë.

Në këtë Konferencë, të organizuar nën patronazhin e kryeministrave të Sllovenisë Borut Pahor dhe Kroacisë Jadranka Kosor, janë të pranishëm edhe Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, Kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviç, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministri i Bosnje-Hercegovinës Nikola Spiric, si dhe komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë të BE-së Stefan Fule dhe shefi i UNMIK-ut në Kosovë Lamberto Zannier.

Në ceremonialin e organizuar nga qeveria sllovene dhe ajo kroate, si dy mikpritësit e kësaj Konference, pjesëmarrësit u prononcuan për mediat që po ndjekin punimet e saj.

Kryeministri Berisha, në prononcimin e tij, e konsideroi zhvillimin e kësaj Konference shumë të rëndësishme. Shqipëria, u shpreh Kryeministri Berisha, i kushton shumë rëndësi bashkëpunimit rajonal, dëshmi e një transformimi të thellë dhe një përpjekjeje shumë serioze.

Kryeministri Berisha vlerësoi praninë e Kryeministrit të Kosovës, zotit Thaçi në këtë Konferencë, duke theksuar se Kosova gjithnjë e më shumë po konsolidohet si faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në Ballkan dhe natyrisht, prania e saj këtu, është kontribut në problemet e paqes dhe sigurisë së rajonit.

Kryeministri Berisha shprehu keqardhjen për mospjesëmarrjen e zotit Tadiç në Konferencë, duke u shprehur se vendi i tij është në këtë Konferencë. Bashkëpunimi rajonal, tha Kryeministri, është padyshim substancial për të gjithë ne që aspirojmë integrimin në BE.

Komisioneri europian Fule e vlerësoi gjithashtu, mbajtjen e kësaj Konference një hap në drejtimin e duhur. Vendet e rajonit, tha ai, e kuptojnë se është një benefit për to, nëse punojnë së bashku. Unë jam shumë i lumtur për këtë ngjarje që po mbahet sot, këtu, dhe mendoj se është një zotim serioz i liderëve të mbledhur këtu, për të ndihmuar njëri-tjetrin për të realizuar sfidën e integrimit në BE.

Kryeministri Berisha pritet të mbajë një fjalë në Konferencë, ku do të përqëndrohet në ecurinë e procesit të integrimit Europian të Shqipërisë, përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit europian për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, si dhe do të shprehë angazhimin e qeverisë shqiptare për konsolidimin e standardeve europiane dhe vullnetin për një bashkëpunim të ngushtë me vendet e rajonit në përpjekjet e përbashkëta për integrim europian.

Në përfundim të kësaj Konference do të dilet me një Deklaratë të Përbashkët Rajonale, e cila do të paraprije Takimin Ministerial që do të zhvillohet nën Presidencën spanjolle të BE-së.


20/03/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›