E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prononcim i përbashkët për shtyp i Kryeministrit Berisha dhe Komisionerit për Zgjerimin e BE-së, zotit Stefan Fule

- Komisioneri Fule shprehu përgëzimet për arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e aspiratave evropiane dhe u shpreh se Shqipëria ka lëvizur në drejtimin e duhur, në lidhje me liberalizimin e vizave.

- Komisioneri Fule vlerësoi angazhimin e qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit Berisha në luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

- Parlamenti është vendi për dialog dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Bojkotet parlamentare nuk kanë vend në politikën demokratike, në mënyrën se si zbatohet në Bashkimin Evropian. Rruga në vazhdim duhet të udhëhiqet nga dy parime themelore demokratike: respekti për Kushtetutën dhe transparenca.

- Kryeministri Berisha theksoi se zbatimi i udhërrëfyesit, ishte jashtëzakonisht i dobishëm për Shqipërinë e se e ka ngritur ne një nivel te ri kontrollin e sigurisë se vendit, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit.

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim Komisionerin per Zgjerimin e BE-se, zotin Stefan Fule, i cili ndodhet për një vizitë në Shqipëri. Pas takimit, kryeministri Berisha dhe Komisioneri Fule dhanë një prononcim për mediat e pranishme:

Kryeministri Berisha:

Sapo përfunduam një diskutim të zgjeruar me komisionerin Fule, të cilit i urova një mirëseardhje te përzemërt në këtë vizitë në Shqipëri, si një ngjarje shumë të rëndësishme. Gjatë takimit, shpreha mirënjohjen time më te thellë ndaj Komisionit Evropian për ndihmën e gjithanshme që i ka dhënë Shqipërisë, e njoha me angazhimin e plote dhe total te qeverise, administratës dhe institucioneve të këtij vendi, për përgjigjet e pyetësorit për statusin e kandidatit, e njoha me faktin se këto përgjigje kane përfunduar dhe nga fundi i muajit përfundon dhe përkthimi i tyre, pra bëhet e gatshme për tu paraqitur në komision në datën e caktuar. Gjithashtu e njoha Komisionerin Fule, me të gjithë përpjekjet dhe reformat e ndërmarra nga qeveria, në luftën kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit dhe me përpjekjet e tjera për modernizmin e kontrollit të kufijve dhe sigurisë së vendit, në mënyrë që të meritojmë liberalizimin e vizave. Si në të gjitha çështjet, unë shpreha mendimin tim se qeveria shqiptare e konsideron procesin e liberalizmit të vizave, bazuar në performancën dhe arritjet, si interesin më të mirë, të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë në tërësi. Procesi i liberalizimit të vizave dhe zbatimi i udhërrëfyesit, ishte jashtëzakonisht i dobishëm për Shqipërinë. Kam bindjen më të madhe se ka ngritur ne një nivel te ri, kontrollin e sigurisë se vendit, luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit.

Ne kemi marrëdhënie shume te mira me Komisionin Evropian. Përfaqësues te Komisionit kane ardhur dhe kanë inspektuar vendin në të gjitha fushat. Kanë bërë raportet e tyre. Ne po i shqyrtojmë ato dhe do t’i paraqesim komisionit te gjitha faktet e vërejtjet tona për çdo problem te ngritur. Pra ky është një proces tërësisht transparent. Gjithashtu sigurova se ne jemi te gatshëm të firmosim me te gjitha vendet anëtare të BE-së, te gjitha llojet e marrëveshjeve të domosdoshme, për të luftuar me sukses krimin e organizuar dhe për të parandaluar llojet e ndryshme të trafiqeve. Sigurisht në diskutimet tona me Komisionerin dhe delegacionin që kryeson, një vend te veçantë zuri çështja e ngërçit politik. Edhe njëherë shpreha bindjen time më të thellë dhe u shpreha plotësisht dakord me deklaratën që Komisioneri Fule ka bërë në aeroportin e vendit se çështja duhet të zgjidhet nga lidershipi shqiptar, në respekt të plotë të kushtetutës dhe transparencës. Por unë kam bindjen se respektimi i Kushtetutës së Shqipërisë dhe transparenca janë plotësisht të pajtueshme, dhe se vendi ka të gjitha instrumentet e shtetit ligjor për të vepruar në përputhje me kushtetutën dhe për të realizuar transparencën.

Duke falënderuar edhe njëherë komisionerin për këtë vizitë shumë të rëndësishme dua ti jap fjalën zotit Fule.

Komisioneri Stefan Fule:

Ju faleminderit zoti kryeministër. Kjo është sigurisht një vizitë në një kohë shumë interesante.

Më lejoni të theksoj katër çeshtje:

E para do të ishte përgëzimi ndaj vendit tuaj për arritjet në përmbushjen e aspiratave evropiane. Fakti që jemi në procesin e përgatitjes së opinionit dhe se presim përgjigje për shumë prej pyetjeve që kemi dërguar, mendoj se është prova më e mirë për progresin tashmë të arritur nga vendi juaj në një detyrë jo dhe aq të lehtë.

Së dyti, në diskutimin tonë, i theksova Kryeministrit dhe delegacionit të tij, rëndësinë e pjesës politike të Kritereve të Kopenhagenit.

Në qendër të përpjekjeve tona dhe në fokus të Shqipërisë do të jetë fakti se si Shqipëria po trajton Kriteret e Kopenhagenit, konkretisht: Liritë Themelore, Shtetin Ligjor dhe Forcimin e Demokracisë. Në këtë kontekst e vlerësoj angazhimin personal të Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare për tolerancën zero kundër korrupsionin dhe krimit të organizuar. Por, i shpreha gjithashtu se ne do të vlerësojmë në atë opinion, jo vetëm angazhimin, por gjithashtu edhe zbatimin dhe veprat konkrete.

Së treti, dua të theksoj se për sa i përket veprave, liberalizimi ka filluar të lëvizë në drejtimin e duhur. Kohët e fundit, Shqipëria ka bërë shumë progres në implementimin e udhërrëfyesit. Kolegët e mi në Komision po punojnë për të prezantuar muajin tjetër një vlerësim, dhe bazuar në të, një propozim se si duhet të veprojë më tej, Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian.

çështja e katërt, do të ishte sigurisht situata e tanishme politike dhe në veçanti debati i sotëm në Parlament. Më lejoni të përdor këtë mundësi, gjithashtu edhe faktin që z. Kryeministër iu referua asaj deklarate, ta lexoj edhe njëherë: Një parlament thellësisht funksional është thelbësor për një funksionim të plotë të demokracisë. Nëse ngërçi politik vazhdon, kjo me të vërtetë mund ta pengojë Shqipërinë në arritjen e standardeve politike të pritshme nga një vend që ka aplikuar për anëtarësim në BE. Parlamenti është vendi për dialog dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Bojkotet parlamentare nuk kanë vend në politikën demokratike, në mënyrën se si zbatohet në Bashkimin Evropian. Rruga në vazhdim duhet të udhëhiqet nga dy parime themelore demokratike: respekti për Kushtetutën dhe transparenca. Në interes të vendit të tyre dhe të perspektivës së integrimit evropian, liderët politikë të Shqipërisë duhet të përballen tani me këtë sfidë në mënyrë konstruktive dhe në frymën e Bashkimit Evropian.


19/03/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›