E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Bashkëpunimi rajonal, substancial për të gjithë ne që aspirojmë integrimin në BE Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë takimit në Brdo, Slloveni

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, po merr sot pjesë në konferencën e nivelit të lartë me liderë të Ballkanit Perëndimor, “Bashkë për Bashkimin Evropian: Kontributi i Ballkanit Perëndimor për të ardhmen e Evropës”, që po mbahet në Brdo të Sllovenisë. Në këtë Konferencë, të organizuar nën patronazhin e kryeministrave të Sllovenisë Borut Pahor dhe Kroacisë Jadranka Kosor, janë të pranishëm edhe Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, Kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviç, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Kryeministri i Bosnje-Hercegovinës Nikola Spiric, si dhe komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë të BE-së Stefan Fule dhe shefi i UNMIK-ut në Kosovë Lamberto Zannier. Në ceremonialin e organizuar nga qeveria sllovene dhe ajo kroate, si dy mikpritësit e kësaj Konference, pjesëmarrësit u prononcuan për mediat që po ndjekin punimet e saj. Kryeministri Berisha, në prononcimin e tij, e konsideroi zhvillimin e kësaj Konference shumë të rëndësishme. “Shqipëria, i kushton shumë rëndësi bashkëpunimit rajonal, dëshmi e një transformimi të thellë dhe një përpjekjeje shumë serioze”, tha Berisha, gjatë fjalës së tij. Ai vlerësoi praninë e Kryeministrit të Kosovës, zotit Thaçi në këtë Konferencë, duke theksuar se “Kosova gjithnjë e më shumë po konsolidohet si faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në Ballkan dhe natyrisht, prania e saj këtu, është kontribut në problemet e paqes dhe sigurisë së rajonit”. Kryeministri i Shqipërisë shprehu keqardhjen për mospjesëmarrjen e zotit Tadiç në Konferencë, duke u shprehur se vendi i tij është në këtë Konferencë. “Bashkëpunimi rajonal, është padyshim substancial për të gjithë ne që aspirojmë integrimin në BE”, vlerësoi kreu i ekzekutivit shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›