Kryeministri Berisha: Bashkërisht do t’i shndërrojmë kodrat e Mallakastrës në kopshtet më të mëdha të vendit
Në katër vite, në këtë rreth janë ndërtuar 90 kilometra rrugë;
janë ndërtuar e rindërtuar 10 shkolla;
10 ujësjellës e kanalizime;
8 qendra shëndetësore,
janë subvencionuar 400 hektarë ullishte e vreshta.
Në vijim të prezantimit të kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit, Kryeministri Berisha ishte sot në Ballsh dhe në tubimin me qytetarë të këtij qyteti prezantoi zonjën Dallëndyshe Allkaj si kandidate për kryetare të bashkisë Ballsh.
Kryeministri Berisha, duke vlerësuar zonjën Dallëndyshe Allkaj si një qytetare shembullore, shprehu mbështetjen për çdo projekt që zhvillon Ballshin, Mallakastrën dhe çdo komunë.
“Ne ju garantojmë se vitet që vijnë do të gjashtëfishohen investimet në këtë rreth dhe jam i sigurt se në sektorin e naftës, rafinimit, përpunimit, nxjerrjes së saj do të shumëfishohen investimet, si për fuqizimin e prodhimit dhe për mbrojtjen maksimale të mjedisit”.
Më gjerë, në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
“Së pari, jam këtu për t’ju shprehur mirënjohjen për të gjithë mbështetjen që i keni dhënë në këto vite përpjekjeve, reformave tona, për mundin e djersën që ju keni derdhur, frytet e çmuara të punës suaj, që të gjitha sëbashku na bëjnë ne të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të lirë, qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s.
Unë kam nder të madh, kënaqësi të veçantë të paraqes para jush zonjën Dallëndyshe Allkaj, një nënë, një intelektuale, bashkëshorte, grua e bijë shembullore për Mallakastrën, por një simbol të vërtetë i gruas, nënës dhe intelektuales shqiptare.
Vëllezër e motra,
Të fitosh zgjedhjet është një sukses, por ta shndërrosh suksesin tënd në një të mirë për të gjithë komunitetin, kjo është detyra më e vështirë dhe ky është misioni i vërtetë. Unë jam këtu për t’u zotuar para jush për t’u bërë garant se suksesi i Dallëndyshe Allkaj do të jetë një sukses për secilin prej jush, se me Dallëndyshen do të shumëfishojmë investimet në bashkinë e Ballshit, se me Dallëndyshen të gjitha rrugët e këtij qyteti do të asfaltohen, sistemi i ujësjellës-kanalizimeve do rindërtohet e ju do të keni ujë 24 orë. Mjedisi dhe mbrojtja e tij nga nafta do të njohë standardet më të larta. Stadiumi juaj do të rindërtohet në mënyrë që skuadra të qëndrojë gjithnjë e lart. Secili me skuadrën e tij. Unë jam me atë që bën gola. Ju garantoj se në këtë qytet, ne do të financojmë çdo projekt, por dua, gjithashtu, të garantoj kryetarët e komunave të Mallakastrës se katër vitet që vijnë ne do të financojmë çdo projekt të tyre.
Vëllezër e motra,
Në katër vitet që shkuan, në rrethin tuaj kemi ndërtuar 90 kilometra rrugë. Në katër vitet që vijnë, ju garantoj se do të asfaltojmë çdo rrugë, rrugicë të qytetit e komunave të këtij rrethi. Kemi ndërtuar e rindërtuar 10 shkolla, 10 ujësjellës e kanalizime, 8 qendra shëndetësore dhe ju garantoj se do të ndërtojmë e rindërtojmë të gjitha shkollat e mbetura dhe se do të keni qendër shëndetësore në komunitetin më të afërt. Katër vitet që shkuan, ne kemi subvencionuar 400 hektarë ullishte e vreshta. Ftoj fermerët e Mallakastrës, këto katër vite, të mbjellin 4 mijë hektarë ullishte. Kodrat e Mallakastrës, luginat e saj janë terreni më i shkëlqyer për ullirin dhe drurë të tjerë frutorë, ndaj të punojmë bashkërisht për ta shndërruar Mallakastrën në një nga kopshtet më të mëdha të Shqipërisë.
Qytetare e qytetarë të Mallakastrës dhe Ballshit,
Këto 20 vite nuk kanë qenë vite të lehta për ne, por kanë qenë vite të mundit, djersës, dhimbjes, mallit për fëmijët e njerëzit tanë të larguar nga Mallakastra e Shqipëria, për kafshatën e gojës. Por këto 20 vite janë vite, në të cilat ne, si ish qytetarët më të varfër e të shtypur të kontinentit e të planetit, kemi realizuar bashkërisht ëndrrat tona ndër më fisniket, ndër më të mëdhatë.
Këto 20 vite, qytetarët e Mallakastrës e mbarë Shqipërisë nga qytetarë të vendit më të izoluar janë sot, qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Këto 20 vite, qytetarët e Mallakastrës e të mbarë Shqipërisë, nga qytetarë të një vendi të rrethuar me klone, sot lëvizin të lirë në mbarë Europën, pa viza.
Këto 20 vite, nga vendi me skamjen më të madhe, sot janë qytetarë të një vendi me të ardhura të mesme të larta. Gjatë viteve të fundit, falë mundit, djersës, sakrificave, mendjes, punës suaj dhe reformave të qeverisë që ju mbështetni, ekonomia shqiptare për të tretin vit qëndron në krye të rritjes ekonomike në Europë. Vitin që kaloi, eksportet e këtij vendi u rritën me 62 përqind. Ky entuziazëm, kjo rritje e ekonomisë shqiptare bëri të mundur që, në kohën më të vështirë për ekonominë e Europës, ne të dyfishojmë pensionet e ulëta për të gjithë shqiptarët, bëri të mundur që ne të mbidyfishojmë rrogat e mësuesve, infermierëve, mjekëve dhe të administratës, bëri të mundur që, në një hark kohor të shkurtër, ne të ndërtojmë në mbarë vendin mbi 8 mijë kilometra korridore, autostrada, superstrada, rrugë rurale e dytësore, në të katër anët e vendit, bëri të mundur që së bashku të ndërtojmë qindra kilometra ujësjellës- kanalizime. Sot, kanë ujë 95 përqind e shqiptarëve. Ju garantoj se në katër vitet që vijnë do të kenë ujë 24 orë të gjithë shqiptarët. Në vitin 2004, ne si vend nuk ekzistonim në hartën e turizmit botëror. Këtë vit, Ballshi dhe Shqipëria është shpallur e bukura e dheut, destinacioni kryesor turistik i botës. Nuk them se e kemi rrugën bulevard me lule. Jo, e kemi prapë me djersë, por e kemi me nder, me dinjitet, me sukses dhe shpresë.
Ju ftoj t’i shndërrojmë këto zgjedhje në dëshminë më të madhe të përkushtimit tonë ndaj lirisë, të votojmë si qytetarë të lirë të një vendi të lirë, t’u faktojmë kombeve të qytetëruara se vendi ynë është në Bashkimin Europian, është në gjirin e tyre, t’u faktojmë atyre se ne jemi burrat dhe gratë e suksesit, jemi njerëz që besojmë tek njëri- tjetri, ndajmë vlerat më të arrira me kombet e qytetëruara të Europës, të vendosur të ndërtojmë në Ballsh, të ndërtojmë në Shqipëri, Europën që kërkojmë.
Ne, në alternativën tonë, ju kemi vendosur ju, të dashur qytetare e qytetarë të Ballshit, Mallakastrës e të mbarë Shqipërisë, në qendër të saj, kemi vendosur interesat tuaja, hallet e dertet tuaja dhe të komunitetit tuaj, familjet dhe fëmijët tuaj. Kjo është alternativa jonë. Krahas saj, po servilet alternativa e rrugës së vetme. Nga ky shesh dua t’u bëj thirrje të gjithë mallakastriotëve, të gjithë shqiptarëve, urdhëroni në shtëpinë tonë të alternativës së qytetarit, aty ka një vend për gjithsecilin dhe ne nuk ju ftojmë ju vetëm me dyer hapur. Jo dhe jo! Ne ju ftojmë juve të merrni të gjithë rolin që ju takon si qytetarë të lirë të një qyteti e vendi të lirë. Për ne nuk ka dhe nuk ekziston ne dhe ata, ju dhe ata, për ne ka qytetarë shqiptarë, fëmijë të qytetarëve shqiptarëve, familje të qytetarëve shqiptarë, komunitete të qytetarëve shqiptarë, bashki e komuna të tyre, me të cilët ne, në katër vitet që vijnë, duam të ndërtojmë ëndrrat e tyre më të bukura, Ballshin, qytet të zhvilluar, Shqipërinë, vend të zhvilluar. Ne ju garantojmë se vitet që vijnë do të gjashtëfishohen investimet në këtë rreth dhe jam i sigurt se në sektorin e naftës, rafinimit, përpunimit, nxjerrjes së saj do të shumëfishohen investimet, si për fuqizimin e prodhimit dhe për mbrojtjen maksimale të mjedisit.
Vëllezër e motra,
Kjo është alternativa jonë, alternativë në të cilën secili ka rrugën e tij, që me mundin, djersën, përkushtimin mbrothëson familjen, ndërton të sotmen e të ardhmen e tij. Atë të rrugës së vetmisë le t’ia lëmë shokut Edi Rama. Ec, vazhdo zoti Rama se në datën 9 maj do të arrish tek banesa e vetmisë. Rruga e vetme të çon vetëm në banesën e vetmisë dhe ajo është rruga pa kthim. Ne kemi përpara një fillim të ri. Ti ke përpara një fund të ri dhe plotësisht të merituar. Ne do të fitojmë. 8 maji është dita e ngadhënjimit të lirive tuaja, e votës suaj, e fitores së vajzës, motrës, nënës, intelektuales e gruas shembullore, Dallëndyshe Allkaj. Rrofshi ju! Rroftë Mallakastra! Rroftë Shqipëria!”
20/04/2011