E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Burgim përjetë për vrasësit e bashkëshortes dhe të vajzës

Kryeministri Berisha tha sot, se është e domosdoshme forcimi i dënimeve për krimet në familje, kundër bashkëshortes dhe vajzës, duke vendosur dënimin me burg përjetë. Këtë qëndrim, Kryeministri e shprehu në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, i cili miratoi Konventën e Këshillit të Ministrave të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”.

“E vërteta është se krimi në familje është rritur me shpejtësi të madhe. Në qoftë se vrasja e bashkëshortes pothuajse ka qenë inekzistente, sot, për fat të keq, kjo është jo e rrallë dhe është akt tmerrësisht i shëmtuar”, - tha Kryeministri, duke e cilësuar vrasjen e bashkëshortes apo të vajzës si krimin më të shëmtuar.  

Kryeministri theksoi se krahas ratifikimit të kësaj Konvente, e cila i imponon shteteve anëtare standarde të reja në luftën kundër dhunës në familje, duhet të rreptësohet dënimi për këtë vepër penale, sikundër edhe për veprën penale të vrasjes së policit dhe të vrasjes për hakmarrje.

Lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Rendi i ditës ka një vendim shumë të rëndësishëm, ratifikimin e Konventës së Këshillit të Ministrave të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”.

Të nderuar qytetarë, zotërinj ministra,

Ky është një nga problemet më shqetësuese sot, të shoqërisë shqiptare. Ky është një problem, natyrisht, shqetësues për shoqërinë më gjerë se shqiptare, por në Shqipëri ka disa kulminacione jashtëzakonisht të papranueshme. E vërteta është se krimi në familje është rritur me shpejtësi të madhe. Në qoftë se vrasja e bashkëshortes pothuajse ka qenë inekzistente, sot, për fat të keq, kjo është jo e rrallë dhe është akt tmerrësisht i shëmtuar. Ne kemi bërë dhe bëjmë përpjekje, por përpjekjet duhet të jenë shumë më të mëdha. Duke pasur parasysh dallimin e qartë në agresivitet midis dy gjinive, unë mendoj se mund të vendoset dënimi përjetë, për të gjithë ata, të cilët e çojnë krimin deri në një kufi të tillë, të paimagjinueshëm. Le të na frymëzojë kjo Konventë, për të përcaktuar në Kodin tonë Penal, shkallën më të lartë të dënimit për të gjithë ata, të cilët ngenë hanxharin e krimit kundër bashkëshortes e vajës së tyre, gjë që përbën formën ndër më ekstremet, për të mos thënë më ekstremen, të krimit, formë, e cila ka qenë absolutisht, gjëja më e rrallë që mund të ndodhte, por që, për fat të keq, nuk është më e tillë.

Ndaj, krahas ratifikimit të kësaj Konvente, e cila i imponon shteteve anëtare standarde të reja, përpjekje të reja madhore në luftën kundër dhunës në familje, të ndërmarrim zoti ministër i Drejtësisë, propozimet për tre vepra penale. Kështu për vrasjen e policit, krahas dënimit të prerë përjetë, të vendoset edhe konfiskimi i të gjitha pasurive. Në dy rastet e tjera, vrasjes për hakmarrje dhe vrasjen e bashkëshortes dhe të vajzës, duhet të vendoset dënimi përjetë. Kjo do të ketë ndikimin e vet. T’i dërgojmë propozimet në parlament dhe shpresoj që opozita do t’i votojë ato, si  shprehje e një qëndrimi tërësor të shoqërisë shqiptare, e cila me shumë të drejtë i përjeton me tronditje të thellë. Çdo krim është tronditës, por krimet e mësipërme i rendisin ato si krimet më të shëmtuara. Për to ka përcaktime, por duhet të jenë më vete: për vrasjen e policit, dënim përjete dhe konfiskim të pasurisë. Forma këto që ekzistojnë në Kodet Penale të vendeve mike dhe ne duhet t’i praktikojmë. Për vrasjen për hakmarrje dhe të bashkëshortes, dënim përjetë. Kudo që të shkojë, e di që do të marrë dënimin përjetë.”


24/10/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›