Kryeministri Berisha: Brenda vitit 2017 realizohet dëmshpërblimi i ish të përndjekurve politikë
Kryeministri komentoi edhe taksën progresive të propozuar nga opozita.
Kryeministri Berisha garantoi sot, se në përputhje me ligjin, brenda vitit 2017 do të realizohet dëmshpërblimi i ish të përndjekurve politikë. Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për këtë çështje, Kryeministri tha se qëndrimi ndaj të përndjekurve politikë dhe dëmshpërblimi i tyre është një detyrim madhor, moral e ligjor, ndërsa e konsideroi grevën e urisë një “parodi të shëmtuar e një grupi të vogël njerëzish të inkriminuar”, qëllimi i të cilëve nuk kishte asnjë lidhje me kërkesat e drejta e të ndershme të të përndjekurve politikë, ndaj edhe nuk u mbështetën prej tyre.
Greva, nënvizoi Kryeministri, u shoqërua me akte të djegies së gjallë, si akte të mirëfillta terroriste, pikërisht në ditën, kur Komisioni Europian do të rekomandonte statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.
Duke siguruar se ndjek me shqetësimin më të madh çdo problem të qytetarëve dhe se mbetet i hapur për dialog konstant me qytetarët, në interesin më të mirë të zgjidhjes së problemit, Kryeministri theksoi se “qeveria, në mënyrë kategorike, nuk mund të pranojë shantazhin e askujt”, por do të respektohet çdo formë paqësore e protestës. “Në një shoqëri, natyrisht, ka kundërshti, absolutisht ka padrejtësi, arbitraritet, por rruga e vetme e papranueshme për t’i kërkuar ato, është greva e urisë, sepse ajo merr një karakter tjetër, e vë qytetarin përballë ligjit.”
Kryeministri siguroi se procesi i dëmshpërblimit i të përndjekurve do të vazhdojë sipas ligjit dhe informoi se do të zgjerohet baza e përfituesve, duke përfshirë edhe kategori të tjera, si tregtarët e dënuar nga regjimi komunist me akuzën e montuar të kontrabandës së floririt, etj..
“Qëndrimi ynë, - tha Kryeministri - është ndër më seriozët, bazuar në moralin dhe rivendosjen e të drejtës në këtë vend. Ai ka synim paqen sociale të shqiptareve.”
Kryeministri komentoi gjithashtu. taksën progresive të propozuar nga opozita. “Zoti Rama, - tha Kryeministri - u nxjerr shqiptarëve propozimet e dajës së tij [Spiro Koleka] të 40 viteve më parë, për taksën progresive, duke e paraqitur tani si taksë të rilindjes kombëtare.”
Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e qeverisë.
“Dëshiroj në emër të qeverisë, të falënderoj shumë përzemërsisht të gjithë të përndjekurit politikë të këtij vendi, të cilët me mençuri dhe fisnikëri të madhe përcollën me përçmim grevën e paguar të një grupi të vogël, i cili në thelb përfaqësonte strikt botën e krimit dhe bëri një shoë, përfshi edhe akte terroriste, në emër të një pushteti që nuk mund të kthehet me metoda të tilla.
Unë dua të garantoj qytetarët shqiptarë se mbetem i ndjeshëm ndaj çdo rënkimi, halli e problemi të tyre dhe unë kam vetëdije të plotë që këto janë të shumta, të panumërta. Sikundër mbetem i hapur për një dialog konstant me qytetarët, në interesin më të mirë të zgjidhjes së problemit. Por ajo që u zhvillua në studion e Kristaq Ramës, ish ofiqarit më të lartë të arteve në diktaturë, ishte një parodi e shëmtuar që nuk kishte të bënte me asgjë, me kërkesat e ndershme, të drejta e të merituara të të përndjekurve dhe të të burgosurve politikë. Ajo grevë ishte larg tyre, vite drite në distancë me ta. Pikërisht në këtë qëndron edhe arsyeja që atë e përkrahën vetëm politikanë që ndajnë trafiqet me ta dhe pati zero përkrahje, nga shtresa e gjerë e të përndjekurve politikë.
Ky ishte një akt i shëmtuar! Një grevë e paguar, shoqëruar me akte të mirëfillta terroriste. Natyrisht, në këtë kat terrorist nuk u përdor dinamiti, por u përdor benzina, për të djegur të gjallë një njeri me probleme serioze mendore, i cili, ndonëse ka bërë përpjekje të vazhdueshme për vetëvrasje, nuk ka kryer vetëvrasje. Meqenëse ky person ishte i kësaj tendence, duhej t’i vihej zjarri ditën që Komisioni Europian do të rekomandonte statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Nuk kishte akt më të shëmtuar! Ora e Bushit u tejkalua me jetë njerëzore që do të digjeshin të gjallë, vetëm e vetëm për t’ia përlyer shqiptarëve një akt plotësisht të merituar, nga Brukseli.
Në një akt urrejtje ndaj të përndjekurve politike, organizatorët dhe paguesit e grevës përzgjodhën figura kryekëput të inkriminuara, trafikantin e vajzave e grave shqiptare Tufa, i cili padyshim që i ndan trofetë e trafiqeve me politikanë. Bejko, që vendosi të bëhej theror, ishte arrestuar me 30 kilogram drogë, nga policia e Durrësit dhe për të cilin, organi i akuzës kërkoi 9 vjet, por që, natyrisht, e liruan Tabakët e KLD-së, me ndërhyrje të fortë.
Në këto rrethana, është në dinjitetin më të madh të mijëra e mijëra të përndjekurve politikë, të dhjetëra mijërave familjarëve të tyre që, qoftë edhe për një minutë të vetme, nuk u dezorientuan, por qenë të parët që kuptuan se kjo ishte gjithçka e organizuar për llogari të pushtetit të Edi Ramës. Edhe vizitat e tij natën, edhe furnizimi që u bënte nga klubi ngjitur, të gjitha të ishin në funksion të asaj karrigeje, në të cilën, mesa duket, nuk do të ulet kurrë.
Natyrisht, qeveria ndjek me shqetësimin më të madh çdo shqetësim të qytetarëve, por qeveria, në mënyrë kategorike, nuk mund të pranojë shantazhin e askujt. Qeveria nuk mund të shpërblejë kurrë, aktet terroriste, me qëndrime të tjera, përveç rreptësisë më të madhe të ligjit. Dhe ligji do të veprojë! Qeveria do të bëjë gjithçka për të dëgjuar zërin e të përndjekurve politikë. Amendamente të tjera, shumë të drejta, janë dërguar në parlament. Unë sërish u deklaroj shqiptarëve se qëndrimi ndaj të përndjekurve politikë dhe dëmshpërblimi i tyre është një detyrim madhor, moral e ligjor, ndaj tyre. Ata kanë derdhur lumenj djerse, kanë ndërtuar lagje të tëra të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera. Ata kanë punuar 45 vjet, të kalbur, në punët më të rënda. Natyrisht, kjo nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera ish komuniste. Kampet e punës të regjimit stalinist në ish Bashkimin Sovjetik kanë qenë ndër më të lemerishmet. Por ne kemi këtë standard qëndrimi ndaj tyre.
Ne do të bëjmë dëmshpërblimin e tyre, sipas ligjit. Sikundër do të shtojmë edhe kategori të tjera, sepse të pranosh për kontrabandistë floriri, tregtarët shqiptarë që e kishin mbledhur atë, në dekada dhe kur ia konfiskuan, i dhanë edhe dënimin për kontrabandë floriri, kjo është të besosh gënjeshtrat e regjimit. Floririn nuk marrim përsipër t’ua kthejmë. E kemi deklaruar se nuk ka mundësi, pasi çdo gjë ka një limit. Por vitet e burgut do t’u njihen edhe të ashtuquajturve kontrabandistë të floririt, të cilët ishin tjetër se tregtarë të ndershëm që kishin mbledhur pasurinë e tyre dhe një ditë ia konfiskuan në mënyrën më të paligjshme. Po kështu do të rishqyrtohen të gjitha dënimet brenda burgjeve. Ato ishin përpjekje kundër regjimit të paligjshëm. Qëndrimi ynë është ndër më seriozët, bazuar në moralin dhe rivendosjen e të drejtës në këtë vend. Ai ka synim paqen sociale të shqiptareve.
Ky proces do të vazhdojë. Jam këtu për të garantuar të përndjekurit politikë se, pavarësisht nga këto shtesa, brenda vitit 2017 do të jetë realizuar plotësisht dëmshpërblimi i tyre. Sikundër i garantoj se për asnjë sekondë të vetme nuk më ka shkuar ndërmend të pres apo të kontaktohen zyrtarisht ata që pretendonin të ishin përfaqësues të tyre, por që në të vërtetë përfaqësonin botën e trafiqeve. Nuk mund t’i lejoja vetes t’u paraqisja shqiptarëve trafikantë, mashtrues ordinerë, të cilët ditën e parë i deklaruan kamerave se nuk kishin marrë asgjë, ndërkohë kur sëbashku kishin marrë 900 mijë dollarë, ndofta më shumë se çdo kombinim tjetër aq, por i kanë marrë mbi bazën e dokumenteve dhe unë nuk e vë në dyshim. Kështu që kjo nuk më shkonte në mendje asnjë sekondë, përveçse porosive humane që greva të garantohej plotësisht, të mos mungonte asnjë ilaç, të mos mungonte asnjë kujdes shëndetësor, të mos mungonte asgjë nga ato, çka janë të domosdoshme për grevë urie, paçka se të tjerat i merrnin në rrugë tjetër, sipas stilit të grevës së Edi Ramës, e cila zgjati 21 ditë dhe një piceri e tërë funksiononte me tre turne vetëm për grevën dhe unë e përgëzoja për këtë.
Në një shoqëri, natyrisht, ka kundërshti, absolutisht ka padrejtësi, arbitraritet, por rruga e vetme e papranueshme për t’i kërkuar ato, është greva e urisë, sepse ajo merr një karakter tjetër, e vë qytetarin përballë ligjit. Ndaj në të gjithë qëndrimet e mia nuk kam negociuar ndonjëherë me grevistë urie. Shumë vite më parë më është dukur një barbari e vërtetë dhe i kam ndërprerë, por më vonë kam kuptuar se nuk kam vepruar drejt, pasi ai qëndrim ishte predominim i mjekut mbi politikanin. Por e drejta duhet të respektohet dhe këtë e them me sinqeritet. Ndaj as nuk i kam ndërprerë, as nuk do të ndërpriten, por do të respektohen, të çdo karakteri qofshin, përveç faktit që duhet të sigurohen dhe nuk duhet që terroristë t’i vënë zjarrin tjetrit për qëllime politike të mbizotërimit. Në një vend demokratik pranohen të gjitha format paqësore të protestës. Isha i gatshëm të pranoja edhe grevën e urisë së Edi Ramës, kur kërcënoi dhe dërgoi fjalë në Bruksel se të nesërmen do të futej në grevë e nuk do të dilte më i gjallë. Deklarova që nesër futu në grevë dhe do të të vë në dispozicion një dhomë në kat të parë të kryeministrisë, por nuk u fut.
Dua të ndalem në një çështje të dytë. Ju e patë vetë, dokumentin për taksën progresive, për të cilën, kur thosha se është e Marksit, ju nënqeshnit. Tani del taksa e dajës, e Spiro Kolekës. Kjo është rilindja! Zoti Rama do të rilindë me akte të një të shkuare që shqiptarët nuk duan ta dëgjojnë më. Keni dëgjuar të thotë qoftë edhe një fjalë të vetme për dajën e tij, i cili ishte më mizori, persekutori i të gjithë inteligjencës teknike shqiptare, nga Maliqi e me radhë, deri në vitin ’90, kur do të ngrihej në plenum dhe do të thoshte: e kemi marrë [pushtetin] me gjak, e pa gjak nuk duhet ta lëshojmë. Zoti Rama nuk thotë një fjalë për të, por u nxjerr shqiptarëve propozimet e tij të 40 viteve më parë, për taksën progresive, duke e paraqitur tani si taksë të rilindjes kombëtare. Kjo nuk do mund të ndodhë ndonjëherë! Ajo do të mbetet në arkiv, nga e kishin nxjerrë dhe ku do të shkojnë edhe këto që deklaron zoti Rama, sot. Pavarësisht nga qëndrimet që mban, pavarësisht nga implikimet e tij në disa akte, jam i bindur se socialistët nuk e pëlqejnë këtë, pasi nuk ka socialist që do që të shohë kryetarin e tij me Skënder Tufën. Pse e tërheqin mëkatarët si me magnet, këtë ai e di! Pardje kishte shkuar tek një serë e financuar nga 2KR dhe që i ka 150 milionë lekë borxh shtetit. Shkoi atje dhe i mori përsipër se do ja paguajë partia. Sera, ku ishte, ka marrë nga projekti i 2KR-së kredi dhe nuk e ka kthyer dhe natyrisht është në proces likuidimi. Prisni të shohim se ku do të shkojë herën e tretë. Kjo është rilindja e tij!”
24/10/2012