Kryeministri Berisha: Ekonomia shqiptare më dinamike se kurrë
-Këshilli Kombëtar i Ujit miraton një sërë vendimesh që lehtësojnë koston e prodhimit për sipërmarrësit dhe ulin tarifat e ujit për qytetarët
Kryeministri Sali Berisha drejtoi sot mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Ujit, i cili miratoi një sërë vendimesh që lidhen me reduktimin e tarifave të ujit për qytetarët, përfshirjen e ujit teknologjik në platformën e qeverisë "1 Euro", formularët e kërkesës për leje të përdorimit të rezervave ujore, dhe lejet e shfrytëzimit të zhavorreve dhe rërave në shtretërit e lumenjve. Gjithashtu gjatë këtij takimi Këshilli miratoi formularin tip për pus-çpimet dhe dhënien në përdorim me konçesion të burimeve ujore në zonën e Ujit të Ftohtë-Jonufer, Vlorë. Kryeministri Berisha theksoi se me miratimin e këtyre vendimeve realizohet jo vetëm premtimi i mëparshëm i qeverisë për uljen e tarifave të ujit për qytetarët, por edhe përfshirja e ujit teknologjik në platformën e konçesionit "1Euro". "Uji është një potencial i madh industrial dhe ne sot vendosim për një premtim të mëparshëm me të cilin në rast se tarifat për qytetarët do të jetë sërish të ulëta, uji teknologjik do të jepet me vlerën më simbolike, duke u përfshirë në listën e tarifave ‘1 Euro', në mënyrë që prodhuesit e lëngjeve, birrës dhe përdoruesit e tjerë të ujit teknologjik të kenë një ulje të kostos së prodhimit", u shpreh Kryeministri Berisha. Ai shtoi se këto vendime përbëjnë një hap përpara drejt përcaktimit të rregullave të konçesionit. Zoti Berisha tha se në sajë të shfrytëzimit racional të rezervave ujore Shqipëria ka mundësi potenciale të eksportojë edhe jashtë vendit këtë pasuri të çmuar. Ai theksoi më tej se ka një zgjim të madh të interesit për ujërat, për vlerën e tyre të madhe, ndërsa pohoi se duhet të ketë një përballje shumë aktive dhe racionale ndaj kësaj kërkese, e cila do të ketë vetëm rritje."Ka disa kërkesa si për shfrytëzimin e ujërave që derdhen në det në Vlorë, për përdorimin e tyre në shishe, por edhe për blerjen e tyre dhe vendosjen në tubacionet që lidhin Sarandën me Korfuzin. Unë mendoj se duke respektuar disa kërkesa tonat, ne duhet të eksportojmë", tha Kryeministri. Duke u ndalur në dhënien me konçesion të hidrocetraleve të vegjël, të mesëm por edhe të mëdhenj kryeministri tha se për të gjitha këto projekte, oponenca zyrtare e tyre ka qëllimi kryesor garantimin dhe shfrytëzimin sa më racional të burimeve ujore në këto projekte. Me qëllim thjeshtëzimin e procedurave burokratike Kryeministri paralajmëroi ngritjen e një grupi pune, cili do të lehtësojë në maksimumin e mundshëm procedurat për HEC-et, duke hequr të gjitha kërkesat burokratike dhe të pavlera dhe duke mbajtur vetëm kërkesat serioze.
Duke iu përgjigjur interesimit të përfaqësuesve të Konfindustrisë për pasojat e MSA-së në ekonominë shqiptare, Kryeministri Berisha u shpreh se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ka pasur në tërësi efekte pozitive në ekonominë e vendit. "Në tërësi ekonomia është më dinamike se kurrë. Një ekonomi që rrit eksportin me 28 %, katër muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, një ekonomi që rrit në këtë mënyrë eksportin nuk mund të thuhet se po vuan nga MSA. Duhet të jemi realistë, kjo ekonomi po përfiton nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Në tërësi ekonomia është më entuziaste se asnjëherë më parë. Më gjeni një muaj Maj kur ka patur inflacion 1.9 %, me një rritje marramendëse krediti", u shpreh Kryeministri Berisha, duke nënvizuar se efektet pozitive të MSA-së kanë forcuar fibrën konkuruese të prodhuesve shqiptarë.
Zoti Berisha shprehu vendosmërinë e qeverisë për decentralizimin e ndërmarrjeve të ujësjellësave, por saktësoi se më parë do të bëhet studimi nga kompani ndërkombëtare për menaxhimin e tyre, veçanërisht për këto ndërmarrje në bashkitë e mëdha.
Një shqetësim tjetër i ngritur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Ujit, ishte edhe mbrojtja e brezit sanitar të ujëmbledhësve nga ndërtimet. Duke e cilësuar këtë si një pikë tejet të rëndësishme Kryeministri Berisha tha se "është e domosdoshme që brezi sanitar të mbrohet me çdo kusht. Të mos ndodhë kjo që ndodh me ujësjellësat e Tiranës, të cilët nuk kanë pothuajse kurrfarë mbrojtje. Bashkia dhe komunat japin leje pa asnjë lloj kriteri, pa respektuar këtë standard shumë të domosdoshëm".
Lidhur me eleminimin e informalitetit në shfrytëzimin e rërës dhe zhavorrit në shtretërit e lumenjve, Kryeministri Berisha u shpreh se dhënia e 60 lejeve për gurore të reja, është një dëshmi se qeveria po shkon drejt realizimit të plotë të qëllimit të saj. "Megjithatë sërish gjenden eskavatorë në shtretërit e lumenjve tanë, dhe këtu gjenden eskavatorë sepse paguajnë qoftë inspektorët e tatimeve qoftë të plotëfuqishmit e zonës", u shpreh zoti Berisha. Ai theksoi se industria e guroreve po inkurajohet me qëllim reduktimin e shfrytëzimit të shtretërve të lumenjve. Gjithashtu Kryeministri Berisha theksoi se sanksione të rrepta do të aplikohen edhe ndaj subjekteve që shfrytëzojnë apo hapin puse pa marrë miratimin paraprak të autoriteteve përkatëse.