E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Buxheti i vitit 2011, më i madhi në historinë e vendit, mbështet fuqishëm rritjen ekonomike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit

- Kryeministri theksoi se disa nga përcaktimet kryesore të buxhetit të vitit 2011 do të jenë infrastruktura rrugore, turizmi, rritja e rrogave dhe pensioneve, si dhe teknologjia e informacionit dhe moderniteti i administratës shtetërore

- Kryeministri kërkoi nga Ministria e Turizmit, Kultures,Rinise dhe Sporteve përmirësimin e kuadrit ligjor dhe krijimin e një ligji, i cili do të garantojë për qytetarët plazhet publike.

- Kryeministri kërkoi gjithashtu nga Ministria e Mjedisit që kuadri ligjor të parashikojë ndër të tjera edhe ndëshkime të rrepta për të gjithë ndotësit e mjedisit, duke nënvizuar se krimi ndaj mjedisit është krim i rëndë ndaj jetës.

Në mbledhjen e rradhës, së Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha u ndal në disa nga drejtimet themelore të buxhetit të vitit 2011. Kryeministri u shpreh se në shtator duhet të finalizohet buxheti dhe të miratohet në qeveri,në mënyrë që në muajin tetor të dorëzohet në parlament, për të patur të gjithë kohën e nevojshme për një shqyrtim të hollësishëm.

Kryeministri theksoi se një nga përcaktimet kryesore të këtij buxheti do të jetë infrastruktura rrugore.“Buxheti do të mbështesë ndërtimin e rrugëve të reja, rrugës së Arbrit, autostradës Tiranë-Elbasan, përfundimin e autostradës Levan-Vlorë, Levan - Tepelenë, Konispol - Sarandë, Kardhiq-Delvinë, Bogë - Theth, fillimin e punimeve të një rruge të re, Lezhe –Velipojë , e cila kalon në majën e kodrave që ndajnë detin nga Torovica dhe zona të tjera. Janë qindra e qindra rrugë rurale e dytësore,të cilat do të ndërtohen gjatë vitit që vjen, ujësjellësat, kanalizimet, shkollat, qendrat shëndetësore.”

Një ndër drejtimet themelore të buxhetit do të jetë gjithashtu problematika e turizmit, e cila theksoi kryeministri, do të ketë konceptimin më të gjerë se çdo vit tjetër. Duke kërkuar nga ministritë që të bashkërendojnë punën, që viti i ardhshëm të jetë një vit, ku turistët të kenë lehtësirat më të mëdha, kryeministri u shpreh se është e nevojshme që në zëra të veçantë, grantet nuk mund të jepen më siç janë dhënë, por do të kenë destinacionin e tyre të qartë, në funksion të turizmit. “Do të kenë destinacionin e tyre para së gjithash për pastrimin, për ujin, kanalizmimet,etj”, tha kryeministri.

Kryeministri kërkoi nga Ministria e Turizmit, Kultures,Rinise dhe Sporteve, përmirësimin e kuadrit ligjor dhe krijimin e një ligji, i cili do të garantojë për qytetarët plazhet publike. “Asgjë nuk do të kemi më të mirëpritur se turizmin. Por në qofte se qytetarët e Durrësit, për shkak të adaptimit në total të skemës, së dhënies së plazhit, privatëve dhe nuk mund të shijojnë bregun e tyre, kjo është babëzi.”

Kryeministri kërkoi i gjithashtu nga Ministria e Mjedisit që kuadri ligjor të parashikojë ndër të tjera edhe ndëshkime të rrepta për të gjithë ndotësit e mjedisit, duke nënvizuar se krimi ndaj mjedisit është krim i rëndë ndaj jetës. “Ai që nga moteli apo pallati i tij derdh ujërat në det, ai meriton vetëm shkatërrimin përfundimtar, të lokalit, hotelit, apo motelit që disponon, sepse ai ka një ndërgjegje të errësuar dhe këto akte janë çnjerëzore dhe të turpshme, prandaj ligji për krimet ndaj mjedisit duhet të funksionojë plotësisht. Krimet ndaj mjedisit janë krime të rënda sepse janë krime ndaj jetës. Në një mënyrë ose në tjetër ato kërcënojnë jetën. Nëse konstatohen shkelje të tilla nuk duhen prishur kanalet, por lokalet që i derdhin ato në det. Këto lokale duhet të asgjësohen.”

Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se përgjegjësi direkt, për garantimin dhe zbatimin me korrektësi të ligjit do të jetë vetë prefekti i qarkut, por edhe autoritetet e tjera vendore, të cilat përparësi kryesore do të kenë garantimin e një mjedisi sa më të pastër e të përshtatshëm për turistët.

Një tjetër drejtim themelor të buxhetit të vitit 2011, kryeministri përcaktoi rritjen e rrogave dhe pensioneve “Rritja e pensioneve është një detyrim ndaj të moshuarve të këtij vendi dhe sado që ti rrisim, ata nuk marrin dot atë që meritojnë.” u shpreh kryeministri.

Kryeministri theksoi ndër të tjera se teknologjia e informacionit dhe moderniteti i administratës shtetërore, pra “Shqipëria digjitale, është një shtyllë tjetër themelore, në të cilën do të adresohet buxheti i shtetit. Kryeministri u shpreh se këtë vit do të krijohet fondi i Shqipërisë dixhitale , me të cilin qeveria do të mbështesë fuqishëm përhapjen e teknologjisë digjitale në vend.

Më tej, në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“çështje kryesore është buxheti. Me traditën pozitive të krijuar buxheti është paraqitur gjithnjë në afate të përshtatshme kohore në parlament, ndaj dhe duke shfrytëzuar dhe energjitë e marra nga gushti në shtator ne duhet të finalizojmë tërësisht buxhetin. Duhet të miratojmë në qeveri buxhetin në mënyrë që parlamentit tia dorëzojmë në tetor dhe të ketë të gjithë kohën e nevojshme për shqyrtimin e hollësishëm.

Përcaktimet kryesore të buxhetit të viti 2011 do të jenë infrastruktura rrugore. Buxheti do të mbështesë ndërtimin e rrugëve të reja, rrugës së Arbërit, autostradës Tiranë-Elbasan, përfundimin e autostradës Levan-Vlorë, Levan - Tepelenë, Konispol - Sarandë, Kardhiq-Delvinë, Bogë - theth, fillimin e punimeve të një rruge të re, Lezhe –Velipojë , e cila kalon në majën e kodrave që ndajnë detin nga Torovica dhe zona të tjera. Janë qindra e qindra rrugë rurale e dytësore,të cilat do të ndërtohen gjatë vitit që vjen, ujësjellësat, kanalizimet, shkollat, qendrat shëndetësore.”

Buxheti i ardhshëm do të ketë drejtim themelor siç është theksuar në mënyrë të përsëritur problematikën turistike cila do të ketë konceptimin më të gjerë se çdo vit tjetër. është e vërtetë që në infrastrukturën e Ultësirës bregdetare dhe në funksion të turizmit janë mbi 1 miliard euro investime, por është e vërtetë se tani programime të tjera duhen në mënyrë që të garantojnë kushtet më optimale të mundshme për turistët që vijnë nga mbarë bota, në Shqipëri.

Në këtë kontekst është e domosdoshme që në zëra të veçantë grantet nuk mund të jepen më, siç janë dhënë , por do të kenë destinacionin e tyre të qartë në funksion të turizmit. Do të kenë destinacionin e tyre para së gjithash për pastrimin, do të kenë destinacionin e tyre për ujin , kanalizimet , pra ministritë duhet të bashkërendojnë dhe të bëjnë çdo gjë që viti i ardhshëm të jetë një vit ku turistët të kenë lehtësirat më të mëdha.

Zoti Xhaferri, Duhet të sillet ligji në parlament, në të cilin do të garantohen qytetarët e të gjithë qyteteve dhe komunave të ultësirës bregdetare se do të ketë plazhe publike për ta. Asgjë nuk do të kemi më të mirëpritur se turizmin. Por në qofte se qytetarët e Durrësit për shkak të adaptimit në total të skemës së dhënies së plazhit, privatëve nuk mund të shijojnë bregun e tyre , kjo është babëzi. Unë jam në favor të dhënies, pa diskutim. Por do të ketë dhe një përqindje të caktuar publike, me ligj dhe njëherë e përgjithmonë dhe do të jetë prefekti përgjegjësi direkt, për garantimin e ligjit, për zbatimin e ligjit, në të gjitha plazhet e vendit. Përqindje e caktuar e tyre nuk do të mund të disponohet nga askush tjetër përveç komunitetit që jeton aty, apo të tjerë që shkojnë. çfarë janë brezi i parë, i kryetarit, I morën, bënë para me çadrat dhe shezllonet dhe qytetarët detyrohen nga Durrësi apo nga Vlora të shkojnë diku tjetër. Plazhe private do të jipen , por do të ketë përqindje të caktuar, siç e kanë të përcaktuara praktika të njohura.

Ata që pranojnë standardet ose antistandaret, të cilat përbëjnë një krim të rëndë ekologjik,përgjegjës direkt do të jetë kryetari i cili do të shkarkohet me jo koment. është normale që inspektoratet të konstatojnë dhe të veprojnë , por është e detyrueshme edhe për autoritetet vendore aty, pasi një zot vendi i zgjedhur dhe I votuar nga qytetarët që lejon dhjetëra kanale ujërash të zeza të derdhen në det, në fakt ai nuk e meriton votën e qytetarëve. Ndaj dhe ligji duhet të përcaktojë të gjithë sanksionet e rrepta ligjore.

Së pari, detyrimi ndaj turistëve është i madh dhe këtu duhet të theksoj se qytetarët po e përmbushin në mënyrë të shkëlqyer këtë detyrim sepse ofrojnë apartamentet me çmime shumë të arsyeshme, realisht ofrojnë shërbime të lavdërueshme dhe kjo është shndërruar në një faktor shumë të rëndësishëm të tërheqjes së turizmit, por a po e përmbushin këtë autoritetet vendore? Nuk mund të them se nuk ka gjëra të papranueshme. Ligjet janë bërë para bumit turistik, ndërsa tani është koha e bumit turistik dhe ligji duhet të veprojë fuqishëm mbi çdo neglizhencë dhe indiferencë të autoriteteve. Pasi është shumë e thjeshtë ti tërheqësh turistët e të mbushësh hotelet, e pastaj tu ndotësh ujërat ku lahen, me derdhjet e kanaleve të zeza.

Së dyti,zoti ministër i mjedisit, ligjin për ndëshkimin më ekzemplar të krimeve ndaj mjedisit. Ai që nga moteli apo pallati I tij derdh ujërat në det, ai meriton vetëm shkatërrimin përfundimtar, të lokalit, hotelit, apo motelit që disponon, sepse ai ka një ndërgjegje të errësuar dhe këto akte janë çnjerëzore dhe të turpshme, prandaj ligji për krimet ndaj mjedisit duhet të funksionojë plotësisht.

Krimet ndaj mjedisit janë krime të rënda sepse janë krime ndaj jetës. Në një mënyrë ose në tjetër ato kërcënojnë jetën. Nëse konstatohen shkelje të tilla nuk duhen prishur kanalet, por lokalet që i derdhin ato në det. Këto lokale duhet të asgjësohen. Inspektoriati i ndërtimit duhet të plotësojë legjislacionin nëse ka mangësira. Duhet të nxjerrim mësime shumë serioze nga një tërësi thellësisht pozitive, nga një numër i paparë turistësh, por ato të ,meta që u vërtetuan duhet të mos ekzistojnë për sezonin që vjen.

Ministria e Turizmit, ministria e Punëve publike duhet të shqyrtojë 100 metra nga buzëuji janë publike njëherë e përgjithmonë. Nuk ka pronë private në 100 metra nga buzëuji. Duhet të hiqet ky koncept. Nuk ka ekzistuar kurrë pasi është vetëm spekulim, vetëm mashtrim, vetëm hajdutëri. Prandaj dhe me ligj 100 metra nga buzë uji do të jetë territori publik në mënyrën më përfundimtare. Edhe ata të cilët pretendojnë , vetëm mashtrojnë, se ky komb në shekuj dhe mijëvjecarë ka qëndruar me shpinë nga deti dhe jo me fytyrë nga deti. Tani po kthehet me fytyrë nga deti. Për këtë ekziston një vendim, por duhet të ketë një ligj. Nuk ka askush tagër në 100 metrat e fundit, për të tjerat le të zgjidhen. 100 metërshi I fundit do të jetë tokë publike, pa ndërtime. Nuk është se do të jepet nga qeveria për ndërtim, por do të jetë në funksion të zhvillimit të turizmit. Ka dikush që thotë se ka patur kullota deri në fund të ujit. Kjo është absurde.

Drejtim tjetër themelor do të jetë pa asnjë diskutim rritja e rrogave dhe pensioneve. Dhe është një kënaqësi e madhe qoftë rritja që bëhet për administratën për të cilën duhet të jemi shumë mirënjohës, për kontributin, përkushtimin e madh që ka dëshmuar dhe dëshmon, rritja e pensioneve po ashtu është një detyrim ndaj të moshuarve të këtij vendi dhe sado që ti rrisim nuk marrin dot atë që meritojnë.

Teknologjia e informacionit dhe moderniteti i administratës shtetërore, i të gjitha proceseve në këtë vend, pra “Shqipëria dixhitale, është një shtyllë tjetër themelore, në të cilën do të adresohet buxheti i shtetit. Me të gjitha këto, buxheti mbështet fuqishëm, rritjen ekonomike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit. Këtë vit do të krijojmë fondin e Shqipërisë dixhitale, me të cilin ne do të mbështesim fuqishëm përhapjen teknologjisë digjitale në vend. Unë kam një premtim që nuk e harroj. çdo i ri shqiptar do të ketë kompjuter në shtëpi. Që tani fillon fondi i “Shqipërisë dixhitale” dhe të rinjve shqiptarë iu krijohet mundësia e plotë për të patur kompjuter në shtëpi.

Këto janë disa nga drejtimet kryesore të buxhetit të viti 2011, i cili do të jetë buxheti më i madh në historinë e e këtij vendi.


01/09/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›