Kryeministri Berisha: Buxheti i vitit 2011 të dorëzohet në qeveri me 1 Shtator
-Kryeministri pohoi se ky buxhet do t’i qëndrojë parimit të zemrës së dhimbsur, parimit të qeverisë së shërbesave dhe shërbimeve si dhe të përmirësimit dhe konsolidimit të frymës sociale.
-Rritja e pagave dhe pensioneve, theksoi Kryeministri, do të jetë sërish në axhëndën e kësaj qeverie. Një premtin solemn ky i dhënë dhe i mbajtur edhe në vitet më të vështira të krizës botërore.
Kryeministri Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, theksoi se kryefjala e kësaj mbledhje është buxheti afatmesëm në tërësi si dhe fillimi fillimi nga të gjitha agjensitë dhe ministritë e vendit i hartimit të buxhetit për vitin 2011. Buxhet, i cili duhet të dorëzohet në qeveri me datën 1 Shtator e që brenda këtij muaji të dërgohet në Palament.
Kryeministri pohoi se ky buxhet do t’i qëndrojë parimit të zemrës së dhimbsur, parimit të qeverisë së shërbesave dhe shërbimeve si dhe të përmirësimit dhe konsolidimit të frymës sociale.
Rritja e pagave dhe pensioneve, theksoi Kryeministri, do të jetë sërish në axhëndën e kësaj qeverie. Një premtin solemn ky i dhënë dhe i mbajtur edhe në vitet më të vështira të krizës botërore.
Më tej Kryeministri kërkoi nga ministrat e kabinetit të tij, realizimin e projekteve të mëdha të shpallura para shqiptarëve: infrastruktura rrugore, rrjeti i ujësjellësve, arsimi , modernizimi i shëndetësisë si dhe mbështetja e projektit kombëtar të ullirit dhe projekteve të tjera në bujqësi. Buxheti i ardhshëm tha Kryeministri Berisha është vendimtar në realizimin e tyre.
Kryeministri kërkoi gjithashtu studimin e të gjitha mundësive për shkurtime të tjera administrative, pa cënuar aspak veprimtarinë e administratës si dhe thellimin e luftës kundër korrupsionit që është dhe do mbetet një nga burimet kryesore të ardhurash për këtë qeveri. Transparenca e çdo procedure që ushtrohet nga ministritë është kusht, për të kursyer, për të shpëtuar nga kthetrat e korrupsionit dhjetëra e qindra milionë dhe për tua rikthyer ato qytetarëve shqiptarë.
Në fund të fjalës së tij Kryeministri theksoi se “Ne jemi sot qeveria e vetme, ndofta që do të mund të ndërtojmë një buxhet realisht optimist, real, një buxhet që do të mbështesë fuqishëm rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshme të këtij vendi”
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Zotërinj ministra, zonja ministre,
Sot, kryefjala është buxheti afatmesëm në tërësi dhe në veçanti, në këtë konteks, fillimi nga të gjitha agjensitë dhe ministritë e vendit të hartimit të buxhetit për vitin 2011. Buxhet, i cili duhet të dorëzohet në qeveri me datën 1 shtator dhe qeveria brenda shtatorit ta dërgojë në Parlament.
Zotërinj ministra, buxheti i vitit të ardhshëm është një buxhet përcaktues, në zbatimin e programit të koalicionit qeveritarë. Ky buxhet, duhet paras së gjithash dhe mbi të gjitha ti qëndrojë parimit të zemrës së dhimbsur, ti qëndrojë parimit të qeverisë së shërbesave dhe shërbimeve, pra të përmirësojë më tej, të konsolidojë më tej, frymën sociale, qëndrimin e njerëzishëm të qeverisë shqiptare ndaj 820 mijë familjeve shqiptare. Kur them këtë, kam parasysh se rritja e rrogave dhe pensioneve, do të jetë sërish në axhëndën e kësaj qeverie. Ka një zotim solem, elektoral timin para mbarë shqiptarëve, përsakohë do të më votoni, do të rris rrogat dhe pensionet. Ne sëbashku, do të mbajmë premtimin. Mbajtëm premtimin dhe në vitet më të vështira të krizës botërore dhe unë mendoj se, vepruam shumë drejt dhe kam bindjen më të thellë, se kjo politikë dhe ky premtim i mbajtur, ka dhënë kontributin e tij të pamohueshëm në parandalimin e krizës në këtë vend.
Mbajtja e këtij premtimi ka bërë, që sot në fondin e pensioneve në Shqipëri nga 50 miliard lekë që ishte në vitin 2005 ky fond, sot të jetë 109 miliard. Po të dëgjoja vajtorët e krizës, ose këshilltarët e zisë, nuk i rrisnim ato as një qindarkë, por njëmijë herë për para kam dëgjuar dhe do të dëgjoj zërin e atyre, që janë në nevojë, sepse ne vërtet kemi dyfishuar pensionet, përmbi 250 mijë pensionist, i kemi rritur ato me 60%, ne vërtet kemi dyfishuar në tërësi fondin e pensioneve, por prapë këto burra dhe gra meritojnë më shumë, për sakrificat që kanë bërë për vuajtjet që kanë kaluar, për vështirësitë me të cilat përballen. Ndaj dhe të dalësh dhe ta shpallës rritjen e pensioneve një veprim kriminal, do të thotë të kesh humbur edhe nanagramin e fundit të dhimbsurisë dhe njerëzisë.
Buxheti do të forcojë me tej fibrën sociale, fytyrën sociale të kësaj qeverie, qëndrimin e njerëzishëm, ndaj atyre që janë në ndihmë ekonomike. Ne jemi ata që kemi dyfishuar fondet për ndihmën ekonomike dhe invalitetet në 5 vjet. Duhet tu rikujtoj këtyre kritikëve tanë, jo tani, por në vitin 2007 në raportin e Komisionit Europian thuhet se, kjo qeveri ka rritur me 36% mbështetjen për ndihmën ekonomike invalitetet dhe për ata që janë në nevojë. Kjo do të vazhdojë, sepse asgjë nuk ka më të rëndësishme për një qeveri, për një vend, për një shoqëri sesa kohezioni social. Mund të kritikohemi se vendosëm në fondin e pensioneve më shumë se shuma totale e 50 viteve të fundit, kjo është e vërteta. E gjetëm me 50 miliard e kemi me 109 miliardë, por nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të realizosh në emër të kohezionit social një shpërndarje sa më të ndershme të të ardhurave dhe kjo është një shpërndarje. Jo rrallë dhe jo pa argument ekspertët e financave shprehin shqetësim se rreth 10% e GDP, i janë atribuuar faturës sociale, por kjo është e domosdoshme. Imagjinoni ju zotërinj ministra, si në vitin 2005 pensionisti i fshatit merrte 36 dollarë në muaj, 1.02 dollarë në ditë. A mund të pranonim ne një gjë të tillë. Apo pensioni mesatar ishte tek 70 dollarë. A mund të pranonim një gjë të tillë, dy dollarë e gjysme në ditë, jo, ndaj dhe realizuam objektivat. Do të vazhdojmë në mënyrë që shqiptarët të ndiejnë se ka një qeveri që përkujdeset. Të thuash se është krizë të rrisësh pensionet do të thotë të mos dish se çfarë është loti i heshtjes, do të thotë të mos kuptosh lotin e heshtjes, që edhe sot derdhin pensionistët shqiptarë, sepse përballen me vështirësira megjithë këtë mbështetje që kanë.
Po kështu për rrogat, është një garë midis sektorit publik dhe sektorit privat. Nëse ne nuk vazhdojmë të investojmë në burimet njerëzore, kush do të përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve në këtë shtet. Pse do të vijnë në administratë ekspertet dhe specialistët më të mirë, për patriotizëm, nuk mjafton, sepse u duhet të ndërtojnë dhe të përballojnë jetën. Ndaj dhe politika e pagave do të jetë një politike konstante.
Zotërinj ministra, nuk mund të cenohen projektet e mëdha të shpallura para shqiptarëve. Buxheti i ardhshëm është vendimtarë në realizimin e tyre. Të gjitha akseve rrugore, rrugëve rurale, rrugëve dytësore, ujësjellësve, shkollave, spitaleve, modernizimi i shëndetësisë dhe mbështetja e kësaj reforme, mbështetja e projektit kombëtarë të ullirit dhe projekteve të tjera në bujqësi, projektj i cili po ecën në disa rrethe. Dua tu bëj të qartë se i ka përfshirë ethja e ullirit. Shkoni në Berat dhe pyesni fermerët sesa kanë mbjellë, merrni statistikën e Beratit dhe të shihni sesi një qark i tërë, por jo vetëm Berati, kështu janë shumë rrethe të vendit, janë të përfshirë nga një klimë kaq pozitive për mbjelljen e këtij druri. Kështu që projekte të tilla në bujqësi do të vazhdojnë. Do të vazhdojnë projektet në arsim, në kulturë, në të gjitha fushat, përkundrazi jo që nuk do të pakësohen, por do të intensifikohen. Normale është të shtrohet pyetja, po paratë? Po. është parashikuar një rritje minimale 5% për vitin e ardhshme, por unë jam i sigurt që do të tejkalohet. Janë dhe 3.2 miliard euro grande dhe kredi për 3 vitet që vijnë. Që të gjitha sipas programit dhe projekteve, do të përdoren në çdo qindarkë dhe borxhi nuk do të rritet, si përqindjen e GDP do të rritet, rritja ekonomike. Kjo është e sigurt. Në këto gjashtë muaj, disa sektorë kanë shënuar rritjen më të madhe në tërë historinë e vendit. 2-3 sektorë njëri prej tyre ka pasur rritje të madhe, por sërish ka disa probleme, pavarësish nga rritja e madhe. Bankat po e rimarrin veten, po dalin nga një lloj plogështie që vjen nga shtërngata e euros. Pra kemi të gjitha arsyet të parashikojmë se do të mbyllim këtë vit me rritjen më të madhe në Europë. Ata, të cilët parashikuan se do ta çojmë edhe njëherë buxhetin në Parlament, me lejoni t’ju them se, keni shprehur një të vërtetë virtuale në sensin që, në rastin se do ta çonim, do ta çonim për të rritur shpenzimet, sepse të ardhurat i disponojmë. Por, nuk do ta bëjmë këtë, sepse do të frenojmë edhe në rast se do të arrijmë ta ulim borxhin me çdo kusht. Ky është qëndrim i pandryshueshëm, sepse ky është interesi maksimal i sektorit privat në Shqipëri. Pse është borxhi publik interesi maksimal i sektorit privat në Shqipëri, sepse ndikohet mjaft nga përmasat e borxhit. Ndonëse lidhja me krizën në botë është relative. Në Shqipëri nuk ka krizë, Shqipëria ka rritje ekonomike. Ata që flasin nga mëngjesi deri në darkë për krizë, ata kanë padije, se ç’është kriza dhe ç’është recesioni, janë alfa dhe ekzistojnë në të gjithë institucionet e botës. Shqipëria nuk ka krizë, Shqipëria ka rritje të mirëfilltë ekonomike dhe kjo është e vërteta.
Pra, do të zbatohen të gjitha projektet e mëdha, por zotërinj ministra, niveli i shpenzimeve të administratës, do të jetë ky që u përcaktua me vendimin që morëm për shkurtimin e tyre. Kur them shpenzimet them shpenzimet e administratës jo investimet. Ne duhet të bëjmë një përpjekje të madhe për të kursyer çdo qindarkë nga shpenzimet e administratës. Unë ju përgëzoj ju, për punën e shkëlqyer që keni bërë në këtë drejtim. Nuk ka administratë që të ketë shkurtuar shpenzimet e saj më shumë sesa kjo dhe duhet të them se vetëm me këto shkurtime u realizuat tërësisht rritja e rrogave dhe pensioneve. Bëmë një gjë shumë të madhe. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka mundësi për shqyrtime të tjera, ndaj dhe për vitin që vjen niveli i shpenzimeve operative do të jetë ky, që u dërgua në parlament para një jave.
Për vitin që vjen ne, duhet të studiojmë të gjitha mundësitë se ku mund të shkurtojmë shpenzimet e tjera, pa kufizuar në asnjë aspekt veprimtarinë e administratës. Pra buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë, do të jetë buxheti më i fuqishëm, do të jetë buxheti, i cili do të dëshmojë dyfishimin në kohën më të shkurtër të rritjes ekonomike në vend. Edhe njëherë nëse bazohemi në rritjen e të ardhurave dhe nuk ka tregues më të ndjeshëm. Nga tatimet dhe doganat ne vitin 2004 në gjashtë muajt e parë, janë vjelur gjithsej 50 miliard lekë. Nga tatimet dhe doganat gjashtë muajt e parë të këtij viti janë vjelur 104 miliard lekë dhe kjo duke përgjysmuar taksat. Rezervat e tjera të mëdha ekzistojnë për të mobilizuar fonde enorme, koncesionet janë një burim i madh tjetër për të angazhuar sektorin privat në partneritet me sektorin publik. Ministria e Punëve Publike, dua ta shtrojë këtë në një drejtim themelor të vitit të ardhshëm, Ministria e Bujqësisë, Ministra e Ekonomisë, të gjitha ministrisë, dua të konsiderojnë partneritetin publik privat si levën e Arkimedit, për të mobilizuar sa më shumë fonde dhe investime për këtë vend dhe për këta qytetarë. Ministria e Arsimit duhet ta zgjerojë gjithnjë e më shumë sikundër duhet të kompletojë më qarqet akademike mekanizmin e ri të financimit të arsimit. Privatizimi i plotë dhe total, kjo qeveri do të ketë publike, diga, shkolla, spitale, të tjerat do ti menaxhojë sektori privat. Ndaj dhe të ecim të sigurt. Lufta kundër korrupsionit është dhe do mbetet një nga burimet kryesore të ardhurash për këtë qeveri. Transparenca e çdo procedure që ushtrohet nga ministritë tuaja është kusht, për të kursyer, është kusht për të shpëtuar nga kthetrat e korrupsionit dhjetëra e qindra milion dhe për tua rikthyer ato qytetarëve shqiptarë.
Pra zotërinj ministra edhe njeherë të fillojmë punën për buxhetin të shprehim kënaqësinë tonë se ne jemi sot qeveria e vetme, ndofta që do të mund të ndërtojmë një buxhet realisht optimist, real një buxhet që do të mbështesë fuqishëm rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshme të këtij vendi.
28/07/2010