Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e nisjes së Kontingjentit “Eagle I”, në Afganistan
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e përcjelljes së Kontingjentit “Eagle I” të batalionit special të Forcave të Armatosura. Ky kontingjent, në përbërje të të cilit janë nga 44 trupa, do të përfshihet në operacione luftarake në Kandahar, në Afganistan.
Në ceremoninë e zhvilluar në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, në Tiranë, ishin të pranishëm Ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, përfaqësuesi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë z. Paul Poletes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura z. Maksim Malaj, drejtues të lartë të ushtrisë shqiptare, familjarë të komandove, etj.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu bindjen se ky kontingjent, i cili është dhe njësia e parë që niset me mision luftarak, do të përmbushë me sukses të plotë misionin që nis dhe me dinjitet do të mbajë lart flamurin e kombit shqiptar. Kryeministri theksoi se qeveria është e vendosur të mbështesë Forcat e Armatosura dhe se dora - dorës, në kohërat që vijnë, të mund të shpaloset jo një njësi, por edhe një batalion krah aleatëve tanë, aty ku të jetë nevoja.
Pas ceremonisë, Kryeministri Berisha i dorëzoi flamurin kombëtar komandantit të Kontingjentit të Parë, nënkolonel Dritan Demirajt. Më pas, Kryeministri bëri edhe një foto familjare me të gjithë njësinë e ushtarakëve.
Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha gjatë ceremonisë:
“I nderuar zoti ministër i Mbrojtjes,
Shef i Shtabit të Përgjithshëm z. Maksim Malaj,
I nderuar zoti Pol Poletis, përfaqësues i ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri,
Zotërinj Gjeneralë, të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë,
Të dashur prindër, familjarë dhe të ftuar,
Për të gjithë ne këtu, për Shqipërinë dhe shqiptarët, kjo është një ditë e veçantë. Pas më shumë se një vit, pas anëtarësimit të vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, aleancën më të madhe të lirisë së të gjitha kohërave, ne nisim sot njësinë e parë të ushtarakëve shqiptarë me mision të ri, mision luftarak.
Ne nisim anëtarët e Forcave të Armatosura në fushë betejën më të madhe që kombet e qytetëruara, Aleanca e Atlantikut të Veriut ka ndërmarrë dhe vazhdon të ndërmarrë, në emër të lirisë, vlerave të saj, të sigurisë dhe paqes në botë. Ju, të dashur ushtarë, nënoficer, dhe oficerë, të grupuar në njësinë ‘Shqiponja’, niseni dhe do të merrni pjesë në veprime operative, krah për krah me ushtarakë të ushtrisë më të shkëlqyer të botës, ushtrisë amerikane. Me këtë rast, unë dua të falënderoj me mirënjohje qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të gjithë ndihmesën shumë të çmuar që na ka dhënë dhe na jep në përgatitjen tuaj. Por shpreh bindjen më të madhe se ju me dinjitet, me burrëri, me kurajë, do të mbani lart flamurin e kombit tuaj.
Ju niseni si shqiponja, e cila përbën dhe zemrën e simbolit tonë kombëtar, të flamurit që merrni me vete. Ju niseni me një mision të vështirë, por ju jeni ushtarakë të zotë, djem trima, të përgatitur në të gjitha rrafshet, të përgatitur në rrafshin psikologjik, të motivuar për mision tuaj të madh, të përgatitur në rrafshin ushtarak dhe profesional. Unë kam bindje se ju do të përmbushni me sukses të plotë mision që nisni. Sikundër, dua të theksoj se ky është vetëm misioni i parë i trupave tona në fushë betejë. Qeveria ime është e vendosur të punojë dhe të mbështesë Forcat tona të Armatosura dhe dora - dorës, në kohërat që vijnë, ne të mund të shpalosim jo një njësi, jo një kompani, por dhe një batalion, krahas aleatëve tanë aty ku të jetë nevoja.
Ju shkoni në një front të vështirë, por shkoni në kuadrin e një Aleance, e cila nuk ka njohur dhe nuk mund të njohë kurrë gjë tjetër, përveç se fitore. Ju shkoni në një komandë shkëlqyer dhe ju keni me vete mbështetjen, urimin, bekimin, jo vetëm të familjeve tuaja, të cilat unë dua tu shpreh mirënjohjen me të thellë për mbështeten që ju kanë dhënë, por edhe të mbarë shqiptarëve kudo që janë.
Edhe njëherë ju uroj faqe të bardhë, ju uroj sukses!
Mirëardhshi pas misionit tuaj të madh dhe fisnik!
Faleminderit dhe rrugë të mbarë!”
28/07/2010