E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: By Pass-i i Fierit e shndërron këtë qytet në një nga nyjet kryesore nevralgjike të transportit dhe të trafikut të vendit

-          Nis punimet ndërtimi i By-Pass të Fierit, investim me vlerë 40 milion euro

Kryeministri Berisha inauguroi sot fillimin e punimeve për by-pass e Fierit, me gjatësi 22 km, vlera  e prokuruar e të cilit është 39.87 milion euro. Fondi limit për ndërtimin e këtij aksi rrugor ka qene 60 milion euro dhe janë kursyer në këtë mënyrë rreth 20 milion Euro.

Autostrada do të ketë një gjatësi prej 22 km Gjerësia e rrugës 22 m, me 4 korsi, 3 ura me gjatësi 80 m 21 nënkalime (mjetesh dhe hekurudhore), 4 nyje me 2 nivele, 2 Gjysem kryqëzime, 2 zona me nga 25.000 m2 secila, per shërbime dhe pike informacioni për turistet.

Punimet për ndërtimin e rrugës do të kryhen nga kompania Serenissima S.p.A nje nga kompanitë me te mëdha ne tregun Italian, e cila është shpallur fituese nga procesi i prokurimit, me ofertën me te ulet.

Projekti i tipit autostrade interurbane  midis qytetit te Fierit dhe Levanit është pjese e një korridori te rëndësishëm nga Lushnja në Vlore.

Aksi rrugor do te kaloje ne perëndim te Fierit, midis qytetit dhe vijës se bregut, duke përfshirë ne pjesën me te madhe një fushe qe kultivohet e vaditet ne mënyrë intensive.

Ai përshkon Lumin e Semanit, një rrjedhje e rëndësishme uji, i cili bashkohet me lumin Gjanica dhe nje numër te madh kanalesh vaditjeje dhe kullimi sikurse edhe me shume struktura te vogla hidraulike dhe kullimi.

Aksi rrugor i mëparshëm, qe kalonte pranë vendndodhjes se trashëgimisë kulturore te Apolonisë dhe brenda perimetrit te përcaktuar per mbrojtën e saj, u modifikua duke marre parasysh kundërshtimet e Ministrisë se Kulturës dhe ato te popullsisë dhe autoriteteve vendase. Aksi rrugor aktual kalon ne nje përvijim tërthor (rreth 2.5 km) larg nga kjo vendndodhje.

* * *

-Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e madhe që dita  e sotme do të mbetet e shënuar, pasi mban në historinë e saj inaugurimin e një sërë veprave publike dhe shumë të rëndësishme për shqiptarët. Kryeministri tha se By pass e fierit, është një nga nyjet më nevralgjike në të gjithë sistemin e trafikut të vendit, i cili i shërben Vlorës, Fierit dhe mbarë Shqipërisë dhe shndërron Fierin në një nga nyjet kryesore nevralgjike të transoportit dhe të trafikut të vendit.

Në fjalën e mbajtur, kryeministri Berisha u shpreh:

Të dashur banorë të Levanit,

Zoti Ministër,

Zoti president i kompanisë italiane që ndërton by-pass-in

Të dashur punëtorë, inxhinierë, teknikë,

Kandidatë për deputetë të PD për qarkun e Fierit

Përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më mira. Sot, kjo datë 16 qershori do të mbetet një datë e shënuar në historinë e shqiptarëve në përpjekjen  e tyre për zhvillim, për një Shqipëri të zhvilluar, për një vend të zhvilluar, të integruar në Evropë.

Sot, sapo inauguruam autostradën Tiranë-Elbasan, pas saj inauguruam rrugën piktoreske, që zbret drejt detit të Pish Poros, tani po inaugurojnë veprën e madhe, By pass-in e Fierit, një nga nyjet më nevralgjike në të gjithë sistemin e trafikut të vendit, nyje kjo që lidh fierin me Vlorën, nyje nevralgjike për autostradat aktuale Milot-Vlorë dhe së shpejti Shkodër-Vlorë.

By pass i Fierit është një investim prej 40 milion euro, me një gjatësi 22 km dhe gjerësi 22 metra. Ai do ti shërbejë Vlorës, Fierit dhe mbarë Shqipërisë dhe shndërron Fierin në një nga nyjet kryesore nevralgjike të transportit dhe të trafikut të vendit.

Në qarkun e Fierit janë investuar rreth 700 milion euro, rreth 720 milion euro në qarkun e Vlorës, pra nga Mbrostari deri në Konispol janë investuar 1,4 miliard euro për infrastrukturën në rrugore dhe  janë asfaltuar ndërtuar dhe e rindërtuar qindra e qindra km, autostrada, superstrada, rrugë të të gjitha kategorive, janë ndërtuar dhe rindërtuar qindra shkolla, qendra shëndetësore, ujësjellësa e kanalizime. Janë financuar në të dy qarqet mijëra  e mijëra fermerë me mijëra ha dru frutorë, sera e prodhime të tjera.

Në Fier dhe në Vlorë në fushën e energjisë janë investuar mbi gjysëm miliard euro dhe kjo është zhvillim, rrugët janë zhvillim, shkollat janë zhvillim, ujësjellësit janë zhvillim dhe ne po zhvillohemi.

4 vitet e ardhshme ritmet e zhvillimit do të jenë shumë më të mëdha. Kjo është alternativa jonë e infrastrukturës moderne, e rrugëve të sigurta dhe shpejtësive të mëdha, e shkollave të reja, e fermave moderne, e furnizimit me ujë 24 orë, e fuqizimit të biznesit,  fuqizimit të fermave, trefishimit të investimeve në bujqësi.

Cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër apo alternativa e autobuzit mavi kërkon të mohojë rrugët tuaja, të mohojë shtëpitë tuaja, të mohojë fermat tuaja, të mohojë bizneset tuaja, të mohojë djersën tuaj, të mohojë arritjet tuaja, të mohojë anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lirë, ti fusë të gjitha këto në autobuzin mavi ose ne thesin e Koços. Për ata, për Koçon dhe adhuruesin e tij Edi Ramën, në Shqipëri në këto 4 vite, nuk ka ndodhur asgjë e mirë, NATO është natë, BE nuk është as bukë, as ujë, vizat nuk janë as bukë, as ujë, autostrada Levan-Tepelenë nuk është ndërtuar, autostrada Levan-Vlorë nuk është ndërtuar, qindra kilometra rrugë nuk janë ndërtuar. Këto nuk ekzistojnë sepse në xhamat e zeza të autobuzit mavi nuk lejohet të shikohen këto, përkundrazi mohimi i tyre, Edi Rama përpiqet të mbjellë kudo dëshpërim, përpiqet të mbjellë kudo zhgënjim. Përpiqet të mohojë çdo arritje tuajën , çdo sukses tuajin, çdo përpjekje tuajën për një jetë më të mirë.

Shqipëria që ju po ndërtoni për veten dhe fëmijët tuaj, djersa që ju derdhni çdo ditë e më shumë për një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët tuaj, gjithçka sipas tij është e gënjeshtërt. E vërtetë ka qënë vetëm Shqipëria e etërve të tij, kurse Shqipëria e grave dhe e burrave të lirë ehte një gënjeshtër dhe asgjë më shumë.

Këto janë mendjet e autobuzit mavi, këto janë mendjet e Kocos shofer autobuzi tani që e përzutë nga Fieri dhe shkoi në Vlorë.

Ndaj dhe ju ftoj më 23 qershor, socialistë, të pa parti, demokratë, të bashkohemi në alternativën tonë të ndërtimit të infrastrukturës më moderne evropiane, alternativën e begatimit të bizneseve me taksa të ulëta, alternativën e fermave duke trefishuar grantet dhe hequr çdo detyrim tatimor tvsh dhe të makinerive dhe imputeve që përdorini. Alternativën e një sistemi modern vaditjeje, të ujësjellësve dhe kanalizimeve, shkollave , njëlloj si në lagjet e qyteteve tona, alternativën e dinjitetit që bazohet në mundin, djersën dhe besimin tek njëri-tjetri dhe tek e ardhmja, alternativën që bazohet në integrimin e Shqipërisë në Evropë.

Së bashku anëtarësuam Shqipërinë në NATO, së bashku hoqëm vizat, së bashku do të marrim statusin e vendit kandidat, qindra milion euro investime, do të liberalizojmë vizat me vendin e madh të lirisë, SHBA-të.

Le të lemë Koçon me pasagjerin e tij Edi Ramën në autobuz, ne të ecim përpara, përpara, përpara.

Ndaj dhe ftoj qytetarët e Fierit, banorët e Fierit, të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë, që më 23 qershor të bashkohen me ne, alternativën e zhvillimit, të bashkohen me ne, modelin e vlerave, modelin e besimit tek Zoti, besimit tek familja, besimit tek Shqipëria , besimit tek e ardhmja.

Le ti lëmë ata mjeranë në autobuzin e tyre të shpifin, të trillojnë, mashtrojnë, nga mëngjesi deri në darkë, le të vazhdojnë udhën e tyre për në banesën e harresës së historisë.

Le të ecim përpara, përpara, përpara!

Votoni 44!

Rrofshi Ju! Rroftë Fieri! Rroftë Shqipëria!

Gëzuar! Gëzuar!


16/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›