Kryeministri Berisha: Dhurata për ditën e parë të shkollës për fëmijët jetim që jetojnë në shtëpitë e përkujdesit ndaj tyre
Kryeministri Berisha së bashku me bashkëshorten e tij zonjën Liri Berisha pritën në ambientet e kryeministrisë një grup fëmijësh të shtëpisë për kujdesin e fëmijëve jetimë “Zyber Hallulli” në Tiranë, të cilët shoqëroheshin nga drejtoresha e kësaj qendre zonja Drita Mandria. Ky takim u zhvillua nën kujdesin e kryeministrit Berisha me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor dhe në fund të tij u shpërndanë dhurata për të gjithë fëmijët e kësaj qendre, të cilat përmbanin çanta shkolle, artikuj të ndryshëm shkollor, veshmbathje, ëmbëlsira etj. Jam i kënaqur, tha Kryeministri, që ditën e punës sot e nis me ju, edhe pse do të doja t'ju takoja në shtëpinë tuaj, por për shkak të rikonstruksionit të saj, unë do t'ju vizitoj sërish atje.
Kryeministri Berisha e përgëzoi zonjën Mandria për punën që bën me ta si dhe theksoi se për të gjithë fëmijët pas prindërve, mësuesit janë prindërit e dytë të tyre ose njerëzit më të dashur më të çmuar për këta fëmijë. “Për disa specifika të tyre që kanë këta fëmijë, ju jeni dy herë më të dashur sesa për të gjithë fëmijët e tjerë dhe më të çmuar. Me punën që bëni ndikoni shumë fuqishëm në formimin e tyre, ndikoni në të ardhmen e tyre, unë e vlerësoj shumë punën që bëni me ta” , u shpreh kryeministri.
Kryeministri Berisha i përcolli përshëndetjet dhe urimet më të përzemërta për një vit të ri shkollor me plot suksese edhe të gjithë fëmijëve që nuk ndodheshin në këtë takim. “Ne, theksoi kryeministri, ju kemi bërë nga një dhuratë të vogël për ju, por dhe atyre që nuk janë këtu do tua përcjellim nëpërmjet mësueses dhe të gjithë fëmijëve të cilët jetojnë si ju në shtëpitë e kujdesit për fëmijët. E nisëm me shtëpinë tuaj, por do t’ju bëjmë një dhuratë për fillimin e vitit të ri shkollor të gjithë fëmijëve që jetojnë në shtëpitë e kujdesit për fëmijët jetimë si simbolikë për tu uruar mbarësi për këtë fillim viti”, tha ai.
Drejtoresha e kësaj qendre zonja Mandria shprehu kënaqësinë e këtij takimi si dhe falënderimet për vlerësimin dhe kujdesin e vazhdueshëm që kryeministri tregon për këta fëmijë. Ajo shprehu kënaqësinë që këtë vit katër nga fëmijët e kësaj qendre përfundojnë ciklin 9 vjeçar dhe do të ndjekin shkollën e mesme të përgjithshme ndërsa dy të tjerë përkatësisht Anxhelo dhe Klajdi kanë fituar njëri konkursin për në lice në degën e pikturës dhe tjetri ka fituar shkollën “Loro Boriçi” për futboll.
Duke e njohur kryeministrin mbi rikonstruksionin e kësaj qendre zonja Mandria theksoi se rikonstruksioni nuk do të jetë thjesht një riparim, por një përshtatje e ambientit në tip shtëpi- familje në mënyrë që fëmijët të jenë më grup mosha të caktuara, të kenë ambient ndenje, kuzhinë, biblioteke, ambient lojërash etj.
08/09/2011