Vendimet dhe projektligjet e miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave

V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.9901, DATË 14.4.2008, “PËR TREGTARËT DHE SHOQËRITË TREGTARE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.9901, DATË 14.4.2008, “PËR TREGTARËT DHE SHOQËRITË TREGTARE”
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, bëhet ky ndryshim:
Neni 1
Pika1, e nenit 107, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Shoqëria aksionare me ofertë private nuk mund të ketë një kapital më të vogël se 3 500 000 lekë.”.
Neni 2
1. Shoqëritë aksionare ekzistuese, me ofertë private, që janë themeluar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të detyruara të përfundojnë procedurat për regjistrimin e rritjes së kapitalit, të paktën deri në shumën e përcaktuar sipas nenit 1, të këtij ligji, brenda 1(një) viti pas hyrjes në fuqi të tij.
2. Shoqëritë aksionare ekzistuese, me ofertë private, të cilat nuk përmbushin detyrimin për të rritur kapitalin sipas pikës 1, të këtij neni, vlerësohen të prishura dhe çregjistrohen nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, pas përfundimit të procedurës së zbatueshme të likuidimit.
Neni 3
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
***
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.55, DATË 26.1.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR VITIN 2011, NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12. 7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10 355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 1, e vendimit nr.55, datë 26.1.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2011, në njësitë e qeverisjes qendrore, bëhet 1557 veta. Shtesa prej 5 punonjësish për aparatin e Ministrisë së Drejtësisë jepet me hollësi në lidhjen nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga shpenzimet korente, të miratuara në buxhetin përkatës të institucionit, për vitin 2011.
3. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.563, DATË 14.7.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROÇEDURAVE TË HOLLËSISHME TË BASHKËPUNIMIT TË SHËRBIMIT PËRMBARIMOR ME AGJENCINË E ADMINISTRIMIT TË PASURIVE TË SEKUESTRUARA DHE TË KONFISKUARA, SI DHE PAGESËN PËRKATËSE PËR SHËRBIMIN E PËRMBARIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 14, pika 4, e 28, pika 4, të ligjit nr.10 192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, dhe të ligjit nr.8730, datë 18.1.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të përmbarimit gjyqësor”, me propozimin e ministrit të Financave dhe të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.563, datë 14.7.2010, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas kreut III shtohet kreu III/1, me këtë përmbajtje:
“KREU III/1
EKZEKUTIMI I AKTIT TË REVOKIMIT TË PASURIVE TË SEKUESTRUARA/TË KONFISKUARA
1. Agjencia njofton përmbaruesin gjyqësor dhe, nëpërmjet tij, pronarin e pasurisë së sekuestruar/konfiskuar për aktin e revokimit të pasurisë së sekuestruar/konfiskuar.
2. Dorëzimi i pasurisë së revokuar te pronari i pasurisë bëhet sipas procedurave të Kodit të Procedurës Civile dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës, të cilin përmbaruesi gjyqësor e merr nga administratori i pasurisë.
3. Në rastin e mosmarrjes në dorëzim të pasurisë nga pronari i saj, me kalimin e afatit 30 - ditor nga data e marrjes së njoftimit të aktit të revokimit të pasurisë së sekuestruar/konfiskuar, Agjencia i kërkon gjykatës, që ka vendosur revokimin e aktit, heqjen nga administrimi i saj të pasurisë së sekuestruar/konfiskuar.”.
2. Kreu IV ndryshohet, si më poshtë vijon:
“KREU IV
PAGESAT PËR SHËRBIMIN PËRMBARIMOR
1. Pagesat e shërbimit përmbarimor për ekzekutimin e aktit të sekuestrimit/konfiskimit përcaktohen sipas tabelës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Agjencia përjashtohet nga pagesa paraprake e shërbimit për ekzekutimin e vendimit të sekuestrimit/konfiskimit.
3. Tarifat e përcaktuara në këtë vendim aplikohen dhe për pagesat e shërbimeve përmbarimore, të cilat nuk janë kryer nga Agjencia deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.718, DATË 29.10.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LISTËN E PERSONAVE TË SHPALLUR SI FINANCUES TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR
V E N D O S I:
1. Në fund të shkronjës “A”, “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë me talibanët”, shtohen personat e renditur në listën “a”, “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë, me talibanët”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si anëtarë ose bashkëpunëtorë me talibanët, sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues, për talebanët dhe organizatën Al-Qaida.
2. Në fund të shkronjës “C”, “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë, me organizatën AI-Qaida”, shtohen personat e renditur në listën “b”, “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë, me organizatën AI-Qaida”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida, sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues, për talebanët dhe organizatën Al-Qaida.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2011, MIRATUAR PËR MINISTRINË E FINANCAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.10 355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Financave, në buxhetin e miratuar për vitin 2011, programi “Menaxhimi i të ardhurave tatimore”, t’i shtohet fondi prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, për shpenzime korrente.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
3. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM
TË BASHKISË RROGOZHINË, TË QARKUT TË TIRANËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve, 3 e17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, brenda juridiksionit, territorial dhe administrativ të bashkisë Rrogozhinë, të qarkut të Tiranës, që transferohen në pronësi ose në përdorim të kësaj bashkie, sipas lidhjes 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Lista me 64 (gjashtëdhjetë e katër) fletë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përfundon me numrin rendor 380 (treqind e tetëdhjetë).
2. Ngarkohen ministri i Brendshëm, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe bashkia Rrogozhinë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I ST R I
SALI BERISHA
***
PËR
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR TË VEPRIMIT PËR EFIÇENCËN E ENERGJISË, 2011-2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Efiçencën e Energjisë, 2011 - 2018, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLIT TEKNIK “PËR KËRKESAT THELBËSORE DHE VLERËSIMIN E KONFORMITETIT
TË PAJISJEVE NË MJEDISE TË HAPURA NË LIDHJE ME EMETIMIN E ZHURMAVE” (1)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr. 9779, datë 16.7.2007, “Për sigurinë e përgjithshme, kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të produkteve joushqimore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e rregullit teknik “Për kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të pajisjeve në mjedise të hapura në lidhje me emetimin e zhurmave”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1707, DATË 29.12.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,
“PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR LËSHIMIN E PATENTAVE PËR SHPIKJET DHE MODELET
E PËRDORIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 202, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin “Rregullore për lëshimin e patentave për shpikjet dhe modelet e përdorimit”, që i bashkëlidhet vendimit nr.1707, datë 29.12.2008, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në kreun I, “Dispozita të përgjithshme”, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Pas nënpikës 3.3, të pikës 3, “Parime të përgjithshme”, shtohen pikat 3.4 dhe 3.5, me këtë përmbajtje:
“3.4 DPPM-ja regjistron, në regjistrin e patentave, përfaqësuesin e autorizuar, i cili është caktuar si përfaqësues nga aplikanti ose pronari i patentës me anë të një autorizimi të përgjithshëm, që i jep përfaqësuesit të drejtën të përfaqësojë aplikantin ose pronarin e patentës në të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, dhe nga kjo rregullore, që përfshijnë procedurat për lëshimin e patentës dhe ndryshimet e mëvonshme në regjistrin e patentave.
3.5 Aplikimet e paraqitura pranë DPPM-së nga një përfaqësues i autorizuar, i regjistruar si përfaqësues në regjistrin e patentave për një patentë të caktuar, nuk është e nevojshme të përmbajnë autorizim përfaqësimi. Kur aplikanti ose pronari i një patente e ka revokuar autorizimin e përfaqësimit të regjistruar pranë DPPM-së, ai duhet të depozitojë pranë DPPM-së autorizimin për përfaqësuesin e ri, i cili regjistrohet në regjistrin e patentave sipas parashikimeve të pikës 3.4 të këtij kreu.”.
2. Në kreun VIII, “E drejta për prioritet”, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Nënpika 1.5 e pikës 1, “Depozitimi i dokumentit të prioritetit”, shfuqizohet.
b) Pas pikës 1 të kreut VIII shtohet pika 2, me këtë përmbajtje:
“2. Deklarimi i prioritetit
2.1 Deklarimi i prioritetit, i përmendur në nenin 24, paragrafi 1, paraqitet me depozitimin e kërkesës për patentë dhe duhet të përmbajë datën dhe numrin e aplikimit të mëparshëm, si dhe shtetin palë në Konventën e Parisit ose anëtar në Organizatën Botërore të Tregtisë, ku është bërë aplikimi i mëparshëm. Në rastin kur prioriteti kërkohet në bazë të paraqitjes në një ekspozite ndërkombëtare, deklarata duhet të përmbajë datën e paraqitjes në ekspozitë dhe emërtimin e ekspozitës.
2.2 Kërkuesi mund të korrigjojë deklaratën e prioritetit brenda gjashtëmbëdhjetë muajve nga data e prioritetit më të parë të pretenduar, ose, nëse korrigjimi do të shkaktonte një ndryshim në datën e prioritetit më të parë të pretenduar, brenda gjashtëmbëdhjetë muajve nga data e korrigjuar e prioritetit më të parë, cilado periudhë gjashtëmbëdhjetëmujore të mbarojë më parë, me kusht që një korrigjim i tillë të paraqitet para mbarimit të katër muajve nga data e depozitimit të dhënë të kërkesës për patentë.
2.3 Deklarata e prioritetit nuk mund të bëhet ose të korrigjohet pas depozitimit të kërkesës për publikim të parakohshëm.”.
3. Pas pikës 3 të kreut X, “Publikimi i aplikimeve për patentë dhe i patentave”, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Publikimi i patentave të pavlefshme
4.1 DPPM-ja publikon të dhënat për patentat e bëra të pavlefshme për shkak të mospagimit të tarifës së ripërtëritjes, ose kur pavlefshmëria e patentës është vendosur me vendim gjykate, si dhe në çdo rast tjetër pavlefshmërie parashikuar nga ligji dhe nga kjo rregullore.”.
4. Në kreun XII, “Rivendosja e të drejtave”, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Në pikën 1, “Paraqitja e kërkesës”, bëhen këto ndryshime:
i) Në nënpikën 1.1, shprehja “…brenda një muaji nga data e marrjes së njoftimit për refuzimin e aplikimit për patentë ose të ndonjë aplikimi tjetër…” zëvendësohet me “…brenda dy muajve nga mënjanimi i shkakut të mosrespektimit të afatit, por jo më vonë se 1 (një) vit nga mbarimi i afatit të parespektuar...”.
ii.) Në nënpikën 1.2, shprehja “…në çdo kohë…” zëvendësohet me “…brenda 2 (dy) muajve nga data e mbarimit të shkakut pengues ose brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e mbarimit të periudhës shtesë për pagesën e tarifës së ripërtëritjes, parashikuar nga pika 3, e nenit 41, të ligjit, cilado nga periudhat e mësipërme mbaron më herët...”.
iii) Pas pikës 1.2 shtohet pika 1.3, me këtë përmbajtje:
“1.3 Kur një kopje e aplikimit më të hershëm, të kërkuar sipas pikës 2, të nenit 24, të ligjit, nuk është depozituar pranë DPPM-së brenda afatit kohor të caktuar, aplikanti ka të drejtë të kërkojë rivendosjen e të drejtës prioritare nëse:
a) deklarata për prioritet është paraqitur pranë DPPM-së në përputhje me kërkesat e pikës 2.1, të kreut VIII, të kësaj rregulloreje;
b) kërkesa për rivendosje, së bashku me kopjen e aplikimit më të hershëm, është depozituar pranë DPPM-së brenda 1 (një) muaji nga data e mbarimit të afatit të parashikuar nga pika 2, e nenit 24, të ligjit.”.
b) Pas nënpikës 2.3, të pikës 2, “Shqyrtimi i kërkesës nga DPPM-ja”, shtohet nënpika 2.4, me këtë përmbajtje:
“2.4 Vendimi i DPPM-së për refuzimin e rivendosjes në afat mund të apelohet në Bordin e Apelit të DPPM-së brenda 2 (dy) muajve nga data e marrjes njoftim.”.
5. Në kreun XVI, “Ripërtëritja e patentës”, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Shkronja “b” e nënpikës 1.1, të pikës 1, “Paraqitja e kërkesës”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) autorizimin e përfaqësimit për ripërtëritjen e patentës, kur paraqitësi i kërkesës nuk është i regjistruar në regjistrin e patentave si përfaqësues i autorizuar i pronarit të patentës për patentën që kërkohet të ripërtërihet.”.
b) Në pikën 2, “Kushtet që duhet të plotësojë kërkesa për ripërtëritje të patentës”, shtohen nënpikat 2.2 dhe 2.3, me këtë përmbajtje:
“2.2 Kërkesa për ripërtëritjen e patentës dhe pagesa e tarifës së ripërtëritjes nuk mund të bëhet më parë se 12 (dymbëdhjetë) muaj që paraprijnë datën e fundit të afatit për kryerjen e pagesës së ripërtëritjes.
2.3 Në rastet kur është vendosur rivendosja e së drejtës për një patentë që është bërë e pavlefshme për shkak të mospagimit brenda afatit të tarifës së ripërtëritjes, pagesa e tarifave të ripërtëritjes për vitet e papaguara do të bëhet jo më vonë se 3 (tre) muaj nga data e marrjes së njoftimit për rivendosjen e të drejtës.”.
c) Pika 3 “Shqyrtimi i kërkesës nga DPPM-ja” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Shqyrtimi i kërkesës nga DPPM-ja
3.1. DPPM-ja shqyrton kërkesën për ripërtëritjen e patentës dhe, në rast se ka të meta që kanë të bëjnë me pagesën e tarifës së ripërtëritjes, njofton aplikantin të bëjë plotësimet e nevojshme brenda periudhës gjashtëmujore pas datës së fundit të muajit të datës së depozitimit, kundrejt pagesës së një tarife shtesë, në të kundërt ajo refuzon aplikimin për ripërtëritjen e patentës.
3.2. Nëse të metat e kërkesës për ripërtëritje janë të tilla që nuk lejojnë të kuptohet se cila patentë kërkohet të ripërtërihet, DPPM-ja njofton aplikantin të bëjë plotësimet e nevojshme brenda 3 (tre) muajve nga data e njoftimit, në të kundërt ajo refuzon kërkesën.
3.3. Kur kërkesa për ripërtëritjen e patentës është paraqitur nga një person i paautorizuar nga pronari i patentës, DPPM-ja e ripërtërin patentën dhe bën shënimin për ripërtëritjen e saj në regjistrin e patentave, por nuk i lëshon paraqitësit të kërkesës njoftim për ripërtëritjen e patentës.
3.4. Kur për një patentë janë paraqitur disa kërkesa për ripërtëritje, ripërtëritja e patentës bëhet në bazë të kërkesës që është paraqitur e para dhe DPPM-ja nuk merr në shqyrtim kërkesat e mëvonshme. Kur kërkesa e mëvonshme për ripërtëritje paraqitet nga përfaqësuesi i autorizuar i patentës, DPPM-ja e njofton atë për statusin aktual të patentës.
3.5. Nëse tarifa e ripërtëritjes nuk është paguar brenda afatit të parashikuar në pikat 2 dhe 3, të nenit 41, të ligjit, patenta konsiderohet se ka mbaruar në ditën që tarifa e ripërtëritjes ishte për t’u paguar dhe DPPM-ja njofton pronarin ose përfaqësuesin e autorizuar, të regjistruar në regjistrin e patentave, për skadimin e patentës.”.
ç) Në nënpikën 4.1, të pikës 4, “Ripërtëritja e patentave të licencuara”, pas shprehjes “DPPM-ja njofton të licencuarin...”, shtohen fjalët “...,jo më vonë se 8 (tetë) javë para mbarimit të afatit për pagesën e ripërtëritjes, ...”.
6. Në kreun XVII, “Dorëheqja nga patenta dhe ndryshimet në një patentë”, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Në pikën 1, titulli “Paraqitja e kërkesës” zëvendësohet me “Paraqitja e kërkesës për regjistrimin e dorëheqjes nga patenta”.
b) Në pikën 2, nënpikat 2.3 dhe 2.4 shfuqizohen.
c) Pas pikës 2 shtohen pikat 3, 4 dhe 5, me këtë përmbajtje:
“3. Paraqitja e kërkesës për regjistrimin, në regjistrin e patentave, të ndryshimeve në pretendimet e një patente
3.1. Pronari i një patente mund të kërkojë regjistrimin, në regjistrin e patentave, të ndryshimeve në pretendimet e një patente, kur këto ndryshime janë rezultat i një procedure të parashikuar nga pika 3, e nenit 82, të ligjit, brenda afatit të parashikuar në këtë nen. Kërkesa për ndryshimin e pretendimeve përbëhet nga:
a) formulari FP7, i nënshkruar nga pronari i patentës ose përfaqësuesi i tij;
b) autorizimi i përfaqësimit, nëse kërkesa paraqitet nga përfaqësuesi i pronarit të patentës;
c) dokumenti i pagesës së tarifës së publikimit, parashikuar nga pika 3, e nenit 82, të ligjit;
ç) pretendimet e ndryshuara, të përkthyera në gjuhën shqipe e të noterizuara në formë shkresore dhe elektronike.
d) vendimi për ripërtëritjen e patentës me pretendime të ndryshuara.
4. Shqyrtimi i kërkesës për ndryshimin e pretendimeve të patentës
4.1. DPPM-ja shqyrton kërkesën për regjistrimin, në regjistrin e patentave, të ndryshimeve në pretendimet e një patente, nëse është në përputhje me parashikimet e pikës 3 të këtij kreu dhe, në rast se ka të meta, njofton aplikantin të bëjë plotësimet e nevojshme brenda 3 (tre) muajve nga data e njoftimit, në të kundërt kërkesa refuzohet.
4.2 Kur kërkesa për regjistrimin, në regjistrin e patentave, të ndryshimeve në pretendimet e një patente është në përputhje me parashikimet e pikës 3 të këtij kreu, DPPM-ja regjistron ndryshimet në pretendimet e patentës në regjistrin e patentave, njofton aplikantin dhe publikon ndryshimet në Buletinin e Pronësisë Industriale.
5. Paraqitja dhe shqyrtimi i kërkesës për ndryshime në patentë
5.1 Pronari i një patente mund të kërkojë, nëpërmjet një kërkese me shkrim depozituar pranë DPPM-së dhe kundrejt pagesës së tarifës përkatëse, bërjen e ndryshimeve në një patentë për korrigjimin e gabimeve apo pasaktësive formale të paqëllimshme, kur këto gabime janë bërë nga aplikanti në aplikimin për patentë dhe që nuk kanë të bëjnë me thelbin e patentës. DPPM-ja, pasi shqyrton kërkesën, njofton kërkuesin për vendimin e marrë dhe, kur e pranon kërkesën, publikon ndryshimet e patentës në Buletinin e Pronësisë Industriale.”.
7. Në fund të nënpikës 5.1, të pikës 5, “Korrigjimi i gabimeve në dokumentet e lëshuara nga DPPM-ja”, të kreut XXII, “Inspektimi i dosjes dhe dokumente të tjera që lëshon DPPM-ja lidhur me patentat”, shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
“Kur rilëshimi i aktit është i pamundur, DPPM-ja bën korrigjimin e gabimit në regjistrin e patentave dhe njofton, me shkrim, aplikantin ose pronarin e patentës për korrigjimin e bërë.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTUES PËR DHËNIEN ME KONCESION TË HIDROCENTRALEVE “BATRA Nr. 1, Nr. 2
DHE Nr. 3”, DHE MIRATIMIN E BONUSIT NË PROÇEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, pika 3, e 23, pika 3, shkronja “b”, të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion të formës “BOT” (Ndërtim, Operim dhe Transferim), të hidrocentraleve “Batra Nr. 1, Nr. 2 dhe Nr. 3” është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
2. Miratimin e bonusit prej prej 2 % të pikëve, për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar) për dhënien me koncesion të këtyre hidrocentraleve, që i jepet Shoqërisë “K.E.A”, sh.p.k.
3. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në procedurën konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentraleve “Batra Nr. 1, Nr. 2 dhe Nr. 3” të pranojë oferta, për të gjithë pjesën e lirë të skemës ku përfshihet ndërtimi i këtyre hidrocentraleve.
4. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTUES PËR DHËNIEN ME KONCESION TË HIDROCENTRALIT “ZEREC 1” DHE MIRATIMIN E BONUSIT NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE QË I JEPET SHOQËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 3, e 23, pika 3, shkronja “b”, të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion, të formës “BOT” (Ndërtim, Operim dhe Transferim),të hidrocentralit “Zerec 1” është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
2. Miratimin e bonusit prej 2 % të pikëve për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar) për dhënien me koncesion të këtij hidrocentrali, që i jepet shoqërisë “Korça ndërtim - prodhim - A”, sh.p.k.
3. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në procedurën konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Zerec 1” të pranojë oferta për të gjithë pjesën e lirë të skemës, ku përfshihet ndërtimi i këtij hidrocentrali.
4. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTUES PËR DHËNIEN ME KONCESION TË HIDROCENTRALIT “BLLICË” DHE MIRATIMIN E BONUSIT NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE QË I JEPET SHOQËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 3, e 23, pika 3, shkronja “b”, të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006, “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion, të formës “BOT” (Ndërtim, Operim dhe Transferim) të hidrocentralit “Bllicë” është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
2. Miratimin e bonusit prej 2 % të pikëve për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar) për dhënien me koncesion të këtij hidrocentrali, që i jepet shoqërisë “Sufa”, sh.p.k.
3. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në procedurën konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Bllicë” të pranojë oferta për të gjithë pjesën e lirë të skemës, ku përfshihet ndërtimi i këtij hidrocentrali.
4. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTUES PËR DHËNIEN ME KONCESION TË HIDROCENTRALEVE “STARAVECKË NR.1 DHE STARAVECKË NR.2” DHE MIRATIMIN E BONUSIT NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 3, e 23, pika 3, shkronja “b”, të ligjit nr.9663 datë 18.12.2006, “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion, të formës “BOT” (Ndërtim, Operim dhe Transferim), të hidrocentraleve “Staraveckë nr.1 dhe Staraveckë nr.2” është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
2. Miratimin e bonusit prej 2 % të pikëve për rezultatin, teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar) për dhënien me koncesion të këtyre hidrocentraleve, që i jepet shoqërisë “Realty & Energy”, sh.p.k.
3. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në procedurën konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentraleve “Staraveckë nr.1 dhe Staraveckë nr.2” të pranojë oferta për të gjithë pjesën e lirë të skemës, ku përfshihet ndërtimi i këtyre hidrocentraleve.
4. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE
TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR TIRANË – ELBASAN (LOTI I)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, dhe të ligjit nr.10 355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Tiranë - Elbasan (Loti I).
2. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për objekte me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 17 516 359.8 (shtatëmbëdhjetë milionë e pesëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e treqind e pesëdhjetë e nëntë pikë tetë) lekësh.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 17 516 359.8 (shtatëmbëdhjetë milionë e pesëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e treqind e pesëdhjetë e nëntë pikë tetë) lekësh, të përballohet nga “Zëri investimeve”, miratuar për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, për vitin 2011.
6. Shpronësimi të fillojë më 15.9.2011 dhe të përfundojë më 15.12.2011.
7. Pronarët e objekteve, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ALUIZNI”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të ketë përfunduar procesi i legalizimit dhe i regjistrimit në ZVRPP Tiranë, si dhe në bazë të dokumentacionit të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
8. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’i vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
9. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në çastin kur do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
PËR
MIRATIMIN E KRITEREVE DHE TË NORMAVE TË TRAJTIMIT ME UNIFORMË TË USHTARAKËVE TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27, të ligjit nr.9210, datë 23.3.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kritereve e të normave të trajtimit me uniformë për ushtarakët aktivë (oficerë, nënoficerë, ushtarë profesionistë) të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe studentët e shkollave të larta ushtarake, brenda dhe jashtë vendit, sipas pasqyrave 1-6, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
Kandidatët (kursantët) për nënoficerë dhe ushtarë profesionistë trajtohen me normat e ushtarit profesionist.
2. Ushtarakët e Forcave të Armatosura, të cilët dërgohen në misione ushtarake jashtë vendit, trajtohen me uniformë stërvitjeje shtesë për çdo mision, sipas natyrës dhe kushteve specifike të misionit.
3. Uniforma, gradat, shenjat dhe simbolet, që mbahen në uniformë, jepen falas për ushtarakët e përmendur në pikat 1 dhe 2, të këtij vendimi.
4. Ushtarakët aktivë, në momentin e daljes në rezervë apo lirim, për arsye shëndetësore, për shkak ristrukturimi apo për shkak të shkurtimeve në numrin e përgjithshëm të personelit të Forcave të Armatosura, përfitojnë falas një uniformë ceremoniale, të shoqëruar me shenjat dhe simbolet përkatëse.
5. Kur ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura apo ushtaraku në rezervë i thirrur në shërbim aktiv, humbet jetën në krye të detyrës, familjes së tij i jepen falas për ceremoninë e varrimit artikujt, si më poshtë vijon:
a) Për oficerët, uniformë ceremoniale, këmishë, kollare dhe këpucë;
b) Për nënoficerët dhe ushtarakët profesionistë, kostum pune, këmishë, kollare dhe këpucë.
6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.
7. Vendimi nr.464, datë 2.7.2004, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kritereve dhe të normave të trajtimit me uniformë të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohet.
8. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
V E N D O S I:
Znj. Grida Duma emërohet zëvendësministër i Integrimit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË KANDIDATURËS PËR ANËTAR TË BORDIT
TË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES FINANCIARE
Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të kandidaturës së znj. Kestrin Katro, për anëtar të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
KONTRATAT E TREGTIMIT NË LARGËSI TË SHËRBIMEVE FINANCIARE PËR KONSUMATORËT
V E N D O S I:
1. Kontratat për tregtimin në largësi të shërbimeve financiare për konsumatorët, bazuar në nenet 36, 37, 38 e 39, të ligjit nr.9902, datë 17.4.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, rregullohen sipas përcaktimeve të parashikuara në këtë vendim.
2. Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Shërbim financiar”, çdo lloj shërbimi me natyrë bankare, kredie, sigurimi, pensioni vullnetar, investimi financiar ose pagese.
b) “Operator i mjeteve të komunikimit në largësi”, çdo person, fizik a juridik, publik a privat, i cili në tregtinë, biznesin ose profesionin e vet bën të disponueshëm për tregtarët një a më shumë mjete të komunikimit në largësi.
3. Dispozitat e këtij vendimi, për rastin e kontratave të shërbimeve financiare në largësi, që përmbajnë një marrëveshje fillestare shërbimi, të ndjekur nga veprime të njëpasnjëshme ose një numër veprimesh të veçanta të së njëjtës natyrë, të kryera me kalimin e kohës, zbatohen vetëm për marrëveshjen fillestare.
4. Dispozitat e këtij vendimi zbatohen edhe për kontratat në largësi, që shtojnë elemente të reja në marrëveshjen fillestare, sipas pikës 3, të këtij vendimi, për ofrimin e një shërbimi financiar në largësi.
5. Pikat 7, 8, 9 dhe 10, të këtij vendimi, në rast se nuk ka marrëveshje fillestare për ofrimin e një shërbimi financiar në largësi, por veprime pasuese ose veprime të veçanta të së njëjtës natyrë, të kryera me kalimin e kohës ndërmjet të njëjtave palë kontraktuese, zbatohen vetëm kur është kryer veprimi i parë.
6. Për rastet sipas pikës 3, të këtij vendimi, dhe kur nuk është kryer asnjë veprim i së njëjtës natyrë për më shumë se një vit, veprimi pasues në një seri të re veprimesh konsiderohet të jetë i pari dhe, në këtë rast, zbatohen pikat 7, 8, 9 dhe 10, të këtij vendimi.
7. Tregtari duhet t’i sigurojë konsumatorit, përpara se ky të pranojë ndonjë ofertë ose të lidhë kontratën për shërbimet financiare në largësi, informacionin për:
a) Tregtarin, ku përfshihen të dhënat për:
i. identitetin dhe veprimtarinë kryesore të tregtarit, adresën ku është vendosur tregtari, si dhe ndonjë adresë tjetër, në lidhje me marrëdhëniet e konsumatorit me tregtarin;
ii. identitetin e përfaqësuesit të tregtarit, të vendosur në Shqipëri, dhe adresën e tij, në lidhje me marrëdhëniet e konsumatorit me këtë përfaqësues, nëse ka një përfaqësues të tillë;
iii. identitetin e personit/profesionistit, cilësinë në të cilën ai është duke vepruar përballë konsumatorit, dhe adresën e tij për marrëdhëniet me konsumatorin, në rastin kur këto marrëdhënie janë edhe me një person/profesionist tjetër, përveç tregtarit;
iv. numrin unik të identifikimit të subjektit (NUIS), dhënë tregtarit nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, në certifikatën e tij të regjistrimit;
v. adresën dhe të dhënat e organit administrativ apo mbikëqyrës, në rast se veprimtaria e tregtarit është subjekt për lëshimin e një lejeje paraprake nga organi përkatës;
b) Shërbimet financiare, ku përfshihen:
i. një përshkrim i karakteristikave kryesore të shërbimit financiar;
ii. çmimi i përgjithshëm që duhet të paguajë konsumatori për tregtarin, përfshirë të gjitha taksat, tarifat e shpenzimet dhe të gjitha taksat e paguara nga tregtari. Në rast se çmimi i saktë i shërbimit nuk mund të tregohet, atëherë jepet baza për llogaritjen e çmimit, për të bërë të mundur verifikimin e tij nga konsumatori;
iii. njoftimi, nëse është e nevojshme, se shërbimi financiar është i lidhur me instrumente që përfshijnë rreziqe të veçanta, për karakteristikat e tyre specifike ose për veprime që duhet të kryhen apo për çmimin, i cili varet nga luhatjet në tregjet financiare, jashtë kontrollit të tregtarit, dhe që performancat historike nuk janë tregues për performancat e ardhshme;
iv. njoftimi për mundësinë e ekzistencës së taksave dhe/ose të shpenzimeve të tjera që nuk janë paguar nga tregtari ose vendosur prej tij;
v. çdo kufizim i periudhës, për të cilën informacioni i dhënë është i vlefshëm;
vi. rregullimi i mënyrës së pagesës dhe zbatimit;
vii. çdo shtesë e kostove të veçanta për përdorimin e mjeteve të komunikimit në largësi, në rast se kostoja shtesë i ngarkohet konsumatorit;
c) Kontratat në largësi, ku përfshihen:
i. ekzistenca ose mungesa e së drejtës së heqjes dorë, në bazë të pikave 17, 18 ose 19, të këtij vendimi, dhe, nëse e drejta e heqjes dorë ekziston, kohëzgjatja dhe kushtet për ushtrimin e saj, përfshirë informacionin për shumën që mund t’i kërkohet të paguajë konsumatori, në bazë të pikave 23 dhe 24, të këtij vendimi, si dhe pasojat e mosushtrimit të kësaj të drejte;
ii. kohëzgjatja minimale e kontratës, në rastin kur shërbimet financiare do të kryhen në mënyrë të përhershme ose të përsëritur;
iii. informacioni për çdo të drejtë të palëve, në lidhje me përfundimin e kontratës para kohe ose në mënyrë të njëanshme, mbështetur në kushtet e kontratës në largësi, përfshirë çdo penalizim që vendoset në kontratë për raste të tilla;
iv. udhëzime praktike për ushtrimin e së drejtës së heqjes dorë, duke treguar, ndërmjet të tjerave, adresën në të cilën duhet të dërgohet njoftimi i heqjes dorë;
v. çdo dispozitë kontraktuale mbi ligjin e zbatueshëm në kontratë dhe/ose mbi gjykatën kompetente;
ç) Dëmshpërblimin për konsumatorin në rastin:
i. kur ekziston apo jo një mekanizëm për zgjidhjen jashtë gjyqësorit të mosmarrëveshjeve dhe për dëmshpërblimin e konsumatorëve, dhe, nëse po, mënyrat për mundësinë e përdorimit të tij;
ii. e ekzistencës së një fondi garancie ose të mënyrave të tjera për kompensimin e konsumatorëve.
8. Tregtari duhet të sigurojë që, në informacionin e përcaktuar në pikën 7, të këtij vendimi, të bëhet i qartë qëllimi i tij tregtar. Ky informacion të jepet në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme, në çdo rrugë të përshtatshme të mjeteve të përdorura të komunikimit në largësi. Në veçanti, informacioni të jetë në përputhje me parimet e mirëbesimit në transaksionet tregtare, si dhe me parimet që rregullojnë mbrojtjen e atyre, që, sipas legjislacionit në fuqi, nuk janë në gjendje të japin pëlqimin e tyre.
9. Informacioni i përcaktuar sipas pikës 7, të këtij vendimi, i sigurohet konsumatorit në kohën e duhur, përpara se ai të ngarkohet me ndonjë detyrim sipas kontratës. Informacioni jepet në gjuhën shqipe.
10. Në rastin e komunikimit të iniciuar nga tregtari, me telefon ose me mënyra të tjera të komunikimeve me zë, në largësi, bëhen të qarta, në fillim të çdo bisede me konsumatorin, identiteti i tregtarit dhe qëllimi tregtar i thirrjes.
a) Për të sigu