E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha u uron besimtarëve myslimanë Festën e Fiter Bajramit

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja  e tij, zonja Liri Berisha vizitoi sot në mesditë, selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, me rastin e  festës së Fiter Bajramit.

Kryeministri Berisha u prit nga Kryetari i këtij Komuniteti Haxhi Selim Muça, drejtues të tjerë dhe shumë besimtarë, të cilëve iu uroi këtë Ditë, duke shprehur vlerësimin për të gjithë ata që agjëruan, si dëshmi e gatishmërisë së tyre për sakrificën në emër të Zotit dhe të shndërrimit të saj në një mirësi për veten, familjen, shoqërinë shqiptare.

Më pas, Kryeministri i përcolli mesazhin e urimit të gjithë besimtarëve myslimanë, por edhe të gjithë besimtarëve të besimeve të tjera, duke u shprehur:

“Jemi këtu sot për tu përulur me nderim të madh ndaj të gjithë atyre grave dhe burrave, vajzave dhe djemve, besimtarëve mysliman, të cilët në një akt përkushtimi ndaj Zotit, agjëruan muajin e Madhërueshëm të Ramazanit dhe e kurorëzojnë sot  me këtë ditë të bekuar. Vendimi i tyre për t’ju përkushtuar dhe nderuar Zotin në këtë verë kaq të nxehtë, për të sakrifikuar dhe privuar veten nga pika e ujit,  është frymëzues për  të gjithë njerëzit.  Nuk ka përkushtim më epror dhe më të parë, se përkushtimi i njeriut ndaj Zotit.

Ndaj dhe le te urojme sot të gjithë besimtarët e Zotit gëzuar këtë ditë, ditët e nderimit  të sakrificës. Gjithçka ndërton njeriu nga  vitet më të hershme të fëmijërisë dhe në vazhdim të gjitha mirësitë, të gjitha ëndrrat që ai realizon kanë në themel sakrificën e tij, sakrificën e familjes së tij, sakrificën  e njerëzve të tij. Ndaj dhe nderimi për sakrificën është nderimi për arritjen, është nderimi për ndryshimin, është nderimi për të mirën dhe mirësinë.

Ndaj  dhe njëherë le të urojme gëzuar, të urojmë që Bajramin tjetër ta festojmë më mirë,ta festojmë më të begatë, me të lirë, më të sigurt, siç e  meritojmë.

Gëzuar të gjithë shqiptarëve kudo që janë. ”


19/08/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›