E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Do ta shndërrojmë Laçin në një nga zonat më të fuqishme të zhvillimit në Shqipëri

Kryeministri Berisha u takua sot me qytetarë të Laçit. Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Qytetarë të Laçit,

ju përshëndes vëllazërisht dhe përulem para jush me mirënjohjen më të thellë, me nderim më të madh për Laçin blu, për Laçin e fitores. Kam zgjedhur Laçin për të përshëndetur Europën që u gdhi blu. Një përshëndetje vëllazërore ju bëj partive simotra për fitoren e jashtëzakonshme. Ne zotohemi se do jemi fitimtarë në 28 qershor. Në Laç, në Shqipëri, do kthejmë lavdinë e 22 marsit të vitit ‘92.

Ne mblidhemi sot në këtë shesh, pasi Laçi dhe Shqipëria janë anëtarë të NATO-s, mblidhemi në këtë shesh, pasi vendi ka aplikuar për anëtar të plotë në BE, mblidhemi sot këtu, të sigurt se brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë do të lëvizim të lirë në mbarë Europën, si qytetarë të barabartë midis të barabartëve.

Qytetare e qytetarë të Laçit,

28 qershori është dita juaj e madhe, është dita e idealeve tuaja demokratike, është dita e projektit tuaj europian.

Kam ardhur sot tek ju jo për t’ju uruar investimet që kemi bërë në këtë rreth gjatë katër viteve, të cilat janë 20 herë më të mëdha se investimet e shkuara, kam ardhur tek ju për t’ju dhënë fjalën se në këtë rreth, në këtë qytet do asfaltojmë çdo pëllëmbë dhe çdo metër rrugë dhe ju do keni hyrjen dhe daljen moderne të qytetit, se ju do të keni stadiumin me tribunë, se ju do keni të gjitha shërbimet e një qyteti europian.

Kam ardhur sot për t’ju premtuar ju se në katër vitet që vijnë rrogat tuaja, pensionet tuaja do të jenë dy herë më të madhe, sesa të gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Qytetare e qytetarë të Laçit,

Vota majtas është votë mbrapa dhe, siç e dini, ju mbrapa do të thotë Edi Rama.

Le të shtrojmë pyetjen, ky zotëri që refuzon të vendosë veten në krye të listës së partisë së tij a ka moral të kërkojë vota, a ka moral të paraqesë kandidatë, a ka moral të flasë për zgjedhjet. Kur ka ndodhur në historinë e demokracisë që një kryetar partie t’u thotë të tjerëve para ju, se mbrapa më keni. Nuk ndodh kurrë. Prandaj ju bëj thirrje asnjë votë të vetme majtas, sepse vota majtas është votë për të shkuarën, është votë, e cila synon të errësojë të ardhmen tonë, është votë për atë që nuk ka besim tek njerëzit e tij, nuk ka besim tek shqiptarët që refuzon të kandidojë.  

Qytetare e qytetarë të Laçit,

28 qershori është dita e madhe e projektit tonë të ri, projekt me të cilin ne do të bëjmë që çdo fermer i këtij rrethi të financojë të gjithë projektet e tij, të vendosim tërësisht nën ujë të gjithë sipërfaqet e tokës suaj, të subvencionojmë prodhimet, të subvencionojmë naftën dhe inputet tuaja për sipërfaqen e mbjellë, subvencionojmë projektin e ullirit, ta shndërrojmë Laçin në një nga zonat më të fuqishme të zhvillimit në Shqipëri. Laçi ka nga brigjet më të mrekullueshme të detit. Unë u jap fjalën banorëve të Kurbinit se infrastruktura më moderne do të ngrihet në të tërë bregun tuaj dhe resortet më të mira turistike do të ndërtohen gjatë katër viteve që vijnë.

Qytetare e qytetarë të Laçit,

Një thirrje vëllazërore kam për ju, një thirrje vëllazërore kam për të gjithë shqiptarët, një thirrje kam për të gjithë qeveritarët vendorë, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake. Kjo thirrje është merrni letërnjoftimet e reja, i merrni se me këto dokumente unë dhe ju barazohemi për dëshmi identiteti me qytetarët e vendeve më të zhvilluara të perëndimit. I merrni se ju garantoj unë ju se do ju shërbejnë për dhjetëra e dhjetëra shërbime gjatë viteve që vijnë.

Por merrini edhe për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Le të shndërrojmë këto në festën tonë të anëtarësisë në NATO, në festën tonë të aplikimit për anëtar të Bashkimit Europian, në festën tonë të dyfishimit të rrogave dhe pensioneve, në festën tonë të ndërtimit të infrastrukturës më moderne, në festën tonë të garës së madhe për të parakaluar 6 vende anëtare të BE-së, në festën tonë për të ndërtuar në Laç, për të ndërtuar në Shqipëri Laçin  Europian, Shqipërinë Europiane.

Rroftë Laçi!

Rroftë Shqipëria!”


08/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›