Kryeministri Berisha: Qeveria shqiptare do të bëje çdo përpjekje për zbatimin e projekteve të reja që lehtësojnë biznesin dhe luftojnë me efiçencë korrupsionin

Sot, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Zyrave Qendrore të Qendrës Kombëtare të Licencimit, në Tiranë. Së bashku me Kryeministrin, të pranishëm ishin Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zoti Genc Ruli, Drejtoresha e USAID-it në Shqipëri, zonja Roberta Mahoney, përfaqësuesja e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, zonja Sophia H. Sahaf, përfaqësues të Bankës Botërore, FMN-së, si dhe përfaqësues të biznesit vendas.
Qendra Kombëtare e Licencimit është hapur me mbështetjen e Fazës së dytë të programit Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit në Shqipëri. Kjo marrëveshje dyvjeçare me vlerë 15.7 milion dollarë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, e financuar nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe administruar nga USAID, ka si synim të forcojë shtetin ligjor, të reduktojë korrupsionin dhe të rrisë mbikëqyrjen nga publiku, përmes zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit dhe ndihmës teknike, duke përmirësuar në këtë mënyrë, klimën ndaj biznesit, në Shqipëri.
Duke vlerësuar këtë qendër, një hap domethënës në luftën kundër korrupsionit dhe një ndihmë të madhe për biznesin, Drejtorja e USAID në Shqipëri, zonja Mahoney u shpreh se qeveria shqiptare po përmbush më së miri premtimin e saj, për të goditur ndjeshëm korrupsionin. “Sot, me inaugurimin e kësaj Qendre Kombëtare të Licencimit, Shqipëria ndërmerr një hap të rëndësishëm përpara, drejt plotësimit të premtimit të saj, për të luftuar korrupsionin, në një mënyrë të prekshme”.
Në përshëndetjen e rastit, Kryeministri Berisha u shpreh se “Kjo do të do të mbetet një ndër ditët më të shënuara në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të lehtësuar barrën burokratike dhe financiare mbi biznesin dhe për të luftuar me eficencë korrupsionin.”
Kryeministri Berisha i vlerësoi projektet e realizuara deri tani, në kuadrin e pragut të Mijëvjeçarit, si projekte shumë të rëndësishme, të cilat kanë transformuar tërësisht praktikat e mëparshme, kanë shkurtuar kohën, kanë thjeshtuar burokracitë e si rrjedhim kanë rritur transparencën. “Në kuadrin Pragut të Mijëvjeçari, Në Shqipëri kanë marrë jetë disa projekte që kanë transformuar tërësisht praktikat e mëparshme, siç janë taksa elektronike, regjistri elektronik i biznesit, prokurimi elektronik.”
Duke shprehur mirënjohjen për ndihmën e madhe të dhënë nga USAID, qeveria e SHBA-ve, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, si dhe GTZ, në drejtim të legjislacionit, Kryeministri garantoi se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për suksesin e mëtejshëm të këtyre projekteve, si dhe të atyre që do të zbatohen në të ardhmen.
Më pas, kryeministri Berisha dhe Drejtoresha e Misionit të USAID, zonja Mahoney zbuluan një pllakë dedikimi, në të cilën thuhej “ Qendra Kombëtare e Licencimit u ngrit nga qeveria shqiptare me ndihmën e popullit amerikan për ta bërë procesin e licencimit të biznesit, në Shqipëri, më të lehtë, më të shpejtë dhe transparent”.
Në fjalën përshëndetëse, kryeministri Berisha u shpreh:
“Kjo do të do të mbetet një ndër ditët më të shënuara në përpjekjet e qeverisë sime për të lehtësuar barrën burokratike dhe financiare mbi biznesin dhe për të luftuar me eficencë korrupsionin. Hapja e Qendrës Kombëtare të Licencimit bëhet në kuadrin e një projekti të përbashkët të Millennium Challenge Account Corporation, të zbatuar nga USAID dhe mund them se në këtë linjë është një nga projektet më të rëndësishme. Në kuadrin pragut të Mijëvjeçarit , Në Shqipëri kanë marrë jetë disa projekte që kanë transformuar tërësisht praktikat e mëparshme, siç janë taksa elektronike, regjistri elektronik i biznesit, prokurimi elektronik. Të tre këto projekte të vitit të kaluar, sot janë të plota dhe e kanë transformuar tërësisht praktikat e mëparshme, kanë shkurtuar kohën, kanë thjeshtuar burokracitë, kanë rritur shumë transparencën. Sporteli unik për licencat dhe lejet është një hap tjetër madhor, i cili erdhi pasi qeveria hoqi me vendime dhe ligje dy të tretat e licencave dhe lejeve ekzistuese. Kanë mbetur një e treta.
Zonja drejtoreshë e USAID-it, por edhe e QKL-së, zoti Ministër, sporteli unik më i shkëlqyer për licencat është heqja e tyre. Kam besim të madh se gjatë muajve që vijnë ju do i propozoni qeverisë sime, sipas vullnetit të shqiptarëve, heqjen e një seri licencash të tjera, duke e vlerësuar në këtë mënyrë, si punën më të mirë tuajën.
Ndërkohë një premtim tjetër i imi para biznesit është se ne do të krijojmë sportelin unik për energjinë, e cila është një fushë me një perspektivë të jashtëzakonshme në Shqipëri. Janë qindra e qindra hidrocentrale, parqe eolike dhe impiante nga burime të tjera energjetike që duhet të ndërtohen apo ka kërkesa për ndërtim. Ne do të nisim shpejt punën për ndërtimin e tij. Ne nuk do të lemë përpjekje pa bërë për tu lehtësuar ju, të nderuar përfaqësues të biznesit, si gjeneratorë kryesorë të punësimit dhe të begatimit të këtij vendi. Por siç theksoi drejtoresha USAID-it, vlera më absolute e këtij projekti dhe projekteve që kemi bërë është lufta kundër korrupsionit, lufta kundër këtij kanceri, i cili ndonëse ka marrë përgjigje shumë të forta gjatë këtyre viteve, përgjigje të cilat kanë bërë që Shqipëria sipas renditjes së vendeve të parakalojë dhe të lerë pas 95 vende dhe nga faktorët më kryesorë kanë qenë këto projekte, luftë, e cila bërë që ky vend të ketë të ardhura në tërësi, rreth 5.2 miliard dollarë më shumë këto katër vite, sesa vitet që shkuan, luftë për të cilën qeveria ime u njoh si qeveri kampion nga Transparency International, për reformat e ndërmarra. Por dua të theksoj se ndofta nuk ka patur fushë tjetër ku kemi patur suksese më të mëdha, se në këtë fushë, por nuk ka fushë tjetër, në të cilën ne kemi nevojë të kemi sukses shumë herë më të madh.
Jam optimist se ky projekt është një përgjigje e merituar në një fushë ku korrupsioni ekziston, privatizimet kanë qenë një përgjigje e shkëlqyer dhe e merituar që i është dhënë korrupsionit, në këto korporata. Prokurimet, kam kënaqësinë të pohoj që Shqipëria është i vetmi vend në botë me prokurime elektronike totale. Asnjë vend nuk ka prokurime elektronike njëqind për qind, siç e ka Shqipëria. Rezultati është që pjesëmarrja në tender ka arritur një mesatare 5 deri në 6 kompani nga 2 apo 3 që ka qenë mesatarja e formës manuale. Sërish ka nevojë për përmirësime të ndjeshme, por ne i qëndrojmë në fushën e prokurimeve, prokurimit total elektronik.
Agjencia ka marrë porosi, por edhe ministri, që shumë shpejt të gjitha blerjet ,të gjitha ankandet të jenë elektronike. Në këtë mënyrë ne rrisim transparencën, në këtë mënyrë ne përmbushim përgjegjësitë tona ndaj detyrimeve që kemi, për detyrën që përmbushim, por edhe ndaj biznesit dhe qytetarëve shqiptarë.
Unë dua të shpreh mirënjohje të madhe për ju zonja Mahoney, për paraardhësin tuaj, për qeverinë e SHBA-ve, korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, për këtë ndihmë dhe dua tu garantoj se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për suksesin. Sot kam lënë fushatën elektorale dhe jam kthyer këtu për të festuar së bashku me ju biznesmenë dhe biznesmene këtë ngjarje të madhe për vendin.
Gjithashtu dua të falënderoj edhe GTZ-në, e cila ka ndihmuar shumë në legjislacion dhe ftoj drejtoreshën e qendrës, i ftoj këto vajza dhe djem të sapo kualifikuar që me përkushtim maksimal, ta shndërrojnë këtë qendër me hapësirë të vogël, në një histori të madhe suksesi për Shqipërinë, rajonin dhe më gjerë.
Ju faleminderit”
09/06/2009