E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Mirditë: Do shkurtoj pesë vite pensionin e minatorëve dhe me efekt prapaveprues

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje një takim me qytetarë të Mirditës. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur mirditore dhe mirditorë,

Përshëndetje vëllazërore.

Shpreh kënaqësinë e madhe timen që ndodhen sot në këtë shesh, pasi kemi shndërruar në realitet disa nga ëndrrat tona më të mëdha, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kemi shndërruar në realitet korridorin e kombit që përshkon Mirditën dhe lidh Shqipërinë me Kosovën, lidh shqiptarët me rajonin dhe botën. Shpreh kënaqësinë se gjatë këtyre 4 viteve, në rrethin tuaj ne investuam dhjetëra e dhjetëra herë më shumë se katër vitet e mëparshme. Në Mirditë, nga Skurraj në Fan është investimi i shekullit i këtij vendi, në të cilin janë punësuar mbi 2 mijë qytetarë të Mirditës. Por projekte të tjera të mëdha janë realizuar gjatë këtyre viteve, është investuar në rrugë, në shkolla, në bujqësi. Kemi dyfishuar pensionet e të gjithë fermerëve në Shqipëri, por sot zotohem para mirditorëve se do shkurtoj pesë vite pensionin e minatorëve dhe me efekt prapaveprues.

Qytetarë e qytetare të Mirditës,

Këto që realizuan këto katër vite së bashku janë baza më e fuqishme që katër vitet që vijnë të ndërtojmë Mirditën evropiane, të ndërtojmë Shqipërinë evropiane. Mirditë evropiane për mua do të thotë Mirditë me rrugë të asfaltuar nga Kryelura në Skurraj, nga Ulza në Fan. Jam sot për t’u zotuar ju këtu sot se të gjitha komunat e rrethit tuaj, të gjitha fshatrat e këtij rrethi do të lidhen me rrugë të asfaltuara me autostradën e madhe, me korridorin e kombit. Kam ardhur t’u jap fjalën se kudo që ju banoni nga Kumbulla gjer në Fan, në Gjegjan dhe kudo që ndodheni do të keni ujë 24 orë në shtëpitë tuaja. Katër vitet që vijnë do të rrisim rrogat e pensionet tuaja, duke lënë mbrapa jo dy vende të BE-së, por 6 vende të BE-së.

Katër vitet që vijnë ne së bashku do të përgatisim Mirditën, do të përgatisim Shqipërinë për anëtarësim të plotë në BE. Këto katër vite do të jenë vitet, në të cilat ne do t’u garantojmë qytetarëve shqiptare shërbimet më të mira në shëndetësi, në arsim dhe në të gjitha shërbimet e tjera njëlloj si qytetarët e vendeve anëtare të BE-së.

Në katër vite, minierat e Mirditës, pasuria përrallore shekullore e këtij vendi do të njohin zhvillimet më të fuqishme. Studimet e fundit faktojnë se bakri dhe i përzier me minerale të tjera në Mirditë është një nga pasuritë më të mëdha të Ballkanit e më gjerë.

Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e luftës me zero tolerancë ndaj varfërisë. Nuk do të ketë shqiptarë që të marrë nën dy dollarë në ditë, pavarësisht se ku jeton, pavarësisht se çfarë bën.

Qytetarë e qytetare të Mirditës,

Unë kam besim të madh se ju, si gjithnjë, do t’u prijë mençuria, do t’u prijë mençuria në këto zgjedhje dhe çdo votë do ta jepni për Mirditën europiane, për Shqipërinë europiane. Unë kam besim tek ju se këtë radhë do t’i jepni ju ndëshkimin e merituar armikut të rrugës. Armiku i rrugës është armiku juaj, armiku i qenies shqiptare. Nuk keni punë asnjë votë ndaj tij.

Së fundmi, prapë më duhet ta ftoj edhe një herë, zoti Rama edhe dy ditë afat ke, dy ditë për t’u bërë burrë, por druaj se ti nuk mund të bëhesh kurrë. Druaj. Vendos të ndryshoj ligjin, ta vësh veten në krye të listës së partisë tënde. E bëj këtë në respekt të socialistëve, të cilët nuk do pranonin kurrë një skenë të shëmtuar të tillë, të shohin kryetarin e tyre që futet ndën tavolinën e lejeve të ndërtimit.

Së dyti, do ju bëj thirrje vëllazërore, i merrni të gjithë letërnjoftimet e reja, merrini se janë dëshmia e teknologjisë më moderne për identitetin e qytetarëve, merrini se me to ne barazohemi me qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Evropës dhe botës për sa i përket dëshmisë së identitetit. Merrini dhe votoni të gjithë, në mënyrë që të firmosim së bashku kontratën tonë me të ardhmen për Mirditën evropiane, për Shqipërinë evropiane.

Rroftë Shqipëria!

Rroftë Mirdita!

Fitore!


08/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›