E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Do të bëjmë çdo gjë që të mbështesim çdo ekselencë shqiptare, në mënyrë që vendi të ketë softin e merituar

-          Projektin për ekselencat dhe fondin për ekselencat e kemi pa kufizim dhe do e kemi pa kufizim. Sikur dhe 100 apo 200 të fitojnë të drejtën për të studiuar në universitetet më të mira të botës, vendi do ti mbështesë ata, do të bëjë gjithçka për suksesin  e tyre

-          Ne duhet të bëjmë gjithçka të inkurajomë softin shqiptar, mendja  e kualifikuar shqiptare të jetë sa shqiptare aq edhe globale, por mundësisht dhe primarisht shqiptare.

-          Programi i ekselencës do të shtrihet edhe në fushën e artit dhe muzikës, ku dhe në këto fusha ekselencat do të kenë mundësi të kërkojnë shkollimin e tyre më të mirë

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme, vendimin “Për disa shtesa në vendimin për fondin e ekselencës, për mbështetjen financiare të studentëve e shkencëtarëve të rinj, të shkëlqyer”

Duke e trajtuar këtë vendim, si një çështje shumë të rëndësishme, kryeministri u shpreh se fondi i krijuar tre vite më parë po jep rezultatet  e para, pasi janë një seri ekspertësh dhe specialistësh të fushave të ndryshme që janë shkolluar apo graduar në perëndim me mbështetjen  e këtij fondi.  Kryeministri bëri të ditur se vetëm këtë vit kanë aplikuar 125 kandidatë, nga të cilët 77 kanë aplikuar në shkencat natyrore dhe teknike, ndërsa 48 të tjerë në shkencat shoqërore.  

Kryeministri tha se me miratimin e vendimit të ri ridimensionohet shtrirja  e përdorimit të këtij fondi edhe në degë të tjera, si ajo e artit dhe muzikës. “Përshtatemi kësaj radhe dhe me artin e muzikën, ku edhe në këto fusha, ekselencat do të kenë mundësi të kërkojnë shkollimin e tyre më të mirë.” u shpreh kryeministri.

Duke theksuar se programi i ekselencës është parashikuar për të gjithë qytetarët shqiptarë, por dhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë, kryeministri vlerësoi se është e domosdoshme që ky program të promovohet edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë, me kushte e kërkesa të njëjta. “Ne do të bëjmë çdo gjë që të mbështesim çdo ekselencë shqiptare, në mënyrë që vendi të ketë softin e merituar. Ne do të bëjmë gjithçka që të lehtësojmë kthimin dhe sistemimin në vend të ekspertëve dhe specialistëve më të mirë shqiptarë kudo që ndodhen.” u shpreh kryeministri.

Kryeministri tha se është e nevojshme që programi të plotësohet me të gjithë kuadrin ligjor dhe të mos konceptohet vetëm me dhënien e një burse, apo me mbështetje financiare. “Mundësitë janë edhe më të mëdha. Është e domosdoshme që kuadri ynë ligjor të parashikojë detyrimin e sektorit publik për punësimin imediat të tyre, për bonuset respective ndaj tyre. Është e domosdoshme që të ftohen ekspertë shqiptarë të shquar të të gjitha fushave të rikthehen për të punuar në Shqipëri edhe duke krijuar kushte analoge kur është  e mundshme me ato në të cilat punojnë dhe ushtrojnë veprimtarinë  e tyre.” u shpreh kryeministri.

*  * *

Në mbledhje, kryeministri Berisha veçoi si një vendim shumë të rëndësishëm vendimin për “ Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar, 2008, për projektin ‘Masterplani në sektorin ujor”.

Duke  e vlerësuar këtë si një nga masterplanet më të rëndësishme, kryeministri u shpreh se me këtë financim, Shqipëria do të ketë masterplanin e vet për ujërat, i cili do  të përcaktojë mënyrat më racionale të përdorimit dhe të ofrimit të tyre.

Kryeministri u ndal gjithashtu në dy vendime të tjera, atë të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë dhe në vendimin i cili do të shndërrojë cirkun në një institucion kombëtar. Lidhur me këtë vendim, kryeministri u shpreh se ashtu si teatri komedisë edhe cirku duhet të shndërrohet në një institucion që të ketë mbështetje të plotë nga qeveria.

Ne fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

Sot, do të veçoja si një çështje shumë të rëndësishme fondin  e ekselencës. Ky fond i krijuar tre vite me parë po jep rezultatet e para. Janë një seri ekspertësh dhe specialistësh të fushave të ndryshme që janë shkolluar apo graduar në perëndim me mbështetjen e këtij fondi. Vetëm këtë vit kanë aplikuar 125 kandidatë, nga të cilët shumica dërrmuese, 77 prej tyre janë në shkencat natyrore dhe teknike, ndërsa 48 të tjerë  janë në shkencat shoqërore.

Dua të theksoj se me vendimin e sotëm ne ridimensionojmë shtrirjen në fusha te  tjera pasi deri tani ne mbështesim studentët që fitojnë të drejtën për të ndjekur studimet në 15 universitete e para të botës, mbështesim doktoratura dhe masterin jashtëuniversitar në një seri universitetesh.

Përshtatemi kësaj radhe dhe me artin e muzikën, ku  edhe në këto fusha ekselencat do të kenë mundësi të kërkojnë shkollimin e tyre më të mirë. Por, dua të theksoj se ky program është i një rëndësie cilësore shumë të madhe.

Ky program, zoti ministër i arsimit është parashikuar për të gjithë qytetarët shqiptarë, por dhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë, ndaj dhe është e domosdoshme që të promovohet programi në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë, me kushte e kërkesa të njëjta.

Ne do të bëjmë çdo gjë që të mbështesim çdo ekselencë shqiptare, në mënyrë që vendi të ketë softin e merituar. Ne do të bëjmë gjithçka që të lehtësojmë kthimin dhe sistemimin në vend të ekspertëve dhe specialistëve më të mirë shqiptarë kudo që ndodhen.

E vërteta është që në disa fusha ata kanë sjellë dhe po sjellin kontribute shumë të mëdha. Kanë çelur dhe po çelin horizonte realisht të reja, në punën e tyre, në veprimtarinë kërkimore e shkencore.

Por mundësitë janë edhe më të mëdha. Është e domosdoshme që kuadri ynë ligjor të parashikojë detyrimin e sektorit publik për punësimin imediat të tyre, për bonuset respective ndaj tyre.

Është e domosdoshme që të ftohen ekspertë shqiptarë të shquar të të gjitha fushave të rikthehen për të punuar në Shqipëri, edhe duke krijuar kushte analoge kur është  e mundshme me ato në të cilat punojnë dhe ushtrojnë veprimtarinë  e tyre. Ne duhet të bëjmë gjithçka të inkurajomë softin shqiptar, mendja  e kualifikuar shqiptare të jetë sa shqiptare aq edhe globale, por mundësisht dhe primarisht shqiptare.

Ky proces po ecën, por ky proces ka mundësi shumë të mëdha, është risi dhe zhvillim shumë pozitiv që sot në administratë dhe në shërbimin civil janë mbi 20 % e punonjësve të shkolluar dhe graduar në universitete të mira, por në të gjithë këtë proces programi i ekselencës duhet të jetë lider, ta udhëheqë, ta frymëzojë, ta inkurajojë dhe programi duhet të plotësohet me të gjithë kuadrin ligjor, të mos konceptohet kjo vetëm me një bursë, me një mbështetje financiare. Natyrisht kanë patur një kontratë, por duhet që gjithnjë të synojnë përmirësime, të bëjmë një përkujdesje të madhe. Nuk duhet të harrojmë se ne do të ndërtojmë një sistem rrugor nga më modernët në Shqipëri. Ne kemi bërë dhe bëjmë progres të madh në fushën  e ICT. Shqipëria është shndërruar në një vend shumë të rëndësishëm turistik në rajon. Shqipëria është bërë tërheqëse për investimet e huaja dhe klimën ndaj biznesit, por themel i një zhvillimi është mendja është arsimi, është shkollimi dhe duhet që të jemi shumë aktivë. Reformat në arsim kanë qenë nga reformat më të suksesshme. Reformat në këtë fushë kanë qenë nga më seriozet. Por ato kërkojnë horizonte të tjera që të kapen dhe theksoj dhe njëherë, se projekti për ekselencat dhe fondi për ekselencat, të cilin ne  e kemi pa kufizim dhe do e kemi pa kufizim, sikur dhe 100 apo 200 të fitojnë të drejtën për të studiuar në universitetet më të mira të botës, vendi do ti mbështesë ata  bëjë gjithçka për suksesin  e tyre.

Ne nuk e kufizojmë. Ne ftojmë të rinjtë që të jenë sa më ambiciozë dhe të aplikojnë në këto universitete dhe i garantoj se sikundër deri më sot, secili prej tyre që ka fituar që është mbështetur dhe do të mbështetet.

*  * *

Në rendin e ditës janë dhe një seri vendimesh të tjera të tjera të rëndësishme. Janë një seri marrëveshjesh financiare me bankën gjermane të zhvillimit të cilat interesojnë projekte ndër më të rëndësishmet, në infrastrukturën e vendit, por njeri që do të veçoja unë këtu është vendimi për projektin “Masterplani në sektorin ujor” dhe ky përbën një nga masterplanet më të rëndësishme.

Me këtë financim, Shqipëria do të ketë masterplanin e vet për ujërat, vend ujor, vend që ka pasurinë më të madhe ujërat. Dhe tani do të behet një masterplan në mënyrë që të përcaktojë mënyrat më racionale të përdorimit dhe të ofrimit të tyre.

* * *

Në mbledhjen sotme vendosim edhe  për kompensimin e të përndjekurve politikë në përputhje me ligjin, një numër i konsiderueshëm.

Miratojmë një seri rregulloresh por vendosim gjithashtu që cirku të shndërrohet në një institucion kombëtar, kjo edhe në një vlerësim të talentit, të përkushtimit të atyre artistëve, të cilët në kushte realisht të vështira, në kushte pothuajse të braktisur , por me talentin, përkushtimin dhuntinë e tyre artistike, ata e mbajtën gjallë dhe tani meriton siç vendosëm për teatrin e komedisë, i cili duhet të fillojë nga veprimtaria sa më shpejt të jetë e mundur, edhe cirku duhet të shndërrohet në një institucion që të ketë mbështetje të plotë nga qeveria.


22/06/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›