E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare në SHBA “Vatra”, zotin Gjon Buçaj

Kryeministri Berisha priti në një takim një përfaqësi të Federatës Pan-Shqiptare në SHBA “Vatra”, të kryesuar nga kryetari i saj zoti Gjon Buçaj.
Kryetari i Federatës “Vatra” zoti Gjon Buçaj duke e falenderuar kryeministrin Berisha për pritjen, i përcolli atij përshëndetjet e të gjithë anëtarëve të kësaj shoqate, si dhe të të gjithë diasporës shqiptare në SHBA, bashkë me përgëzimet e tyre për arritjet e mëdha të Shqipërisë në zhvillimin demokratik të vendit, zhvillimin ekonomik të saj si dhe mbështetjen e paçmuar që qeveria shqiptare ka dhënë dhe jep, për njohjen dhe konsolidimin e shtetit të ri të Kosovës.

Zoti Buçaj i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen për vizionin dhe përpjekjet e tij në të mirë të kombit shqiptar, duke nënvizuar se Federata “Vatra” do të vazhdojë të jetë si në tërë këto vite, në mbështetje të plotë të zhvillimit dhe integrimit të Shqipërisë dhe Kosovës.

Duke folur për aktivitetin që shoqata Vatra kryen, Zoti Buçaj theksoi se, kjo shoqatë në 28 prill 2012 feston 100 vjetorin e themelimit të saj. Ai shprehu dëshirën që Federata Pan – Shqiptare  “Vatra”, të marrë pjesë në organizimet dhe aktivitetet, që do të zhvillohen me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit.

Nga ana e tij kryeministri Berisha, pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, i shprehu zotit Buçaj, mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për të gjithë kontributin e vyer, rolin thelbësor dhe të jashtëzakonshëm të Federatës “Vatra”, por edhe të të gjithë diasporës shqiptare në SHBA, duke i përcjellë të gjithë shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në SHBA përshëndetjen dhe mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e tyre.

Kryeministri theksoi se Federata “Vatra” do të jetë pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë si një nga organizatat më të fuqishme të shqiptarëve të diasporës. Kryeministri i njohu drejtuesit e shoqatës se për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit, është krijuar një komitet, i cili po punon që kjo ditë e shënuar të kremtohet gjërësisht nga të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.

Kryeministri tha se, këtë datë shqiptarët e presin me arritje të mëdha si komb dhe me një perspektive mjaft të begatë për të ardhmen e tyre. “Qëllimi ynë, theksoi kryeministri, është Shqipëria vend i zhvilluar”. “Ne, theksoi ai, kemi lënë pas bashkë me diktaturën edhe varfërinë dhe braktisjen e vendit. Periudha e largimit të shqiptarëve nëpër botë po merr fund, pasi ata po e shikojnë çdo ditë e më shumë të ardhmen e jetës dhe familjeve të tyre në atdheun e tyre, në Shqipëri”.

Kryeministri e njohu gjithashtu zotin Buçaj dhe me arritjet e vendit në infrastrukturë, në arsim, në krijimin e një klime të favorshme të biznesit, në zhvillimin e turizmit si dhe në shfrytëzimin e të gjithë potencialeve të vendit.


21/06/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›