E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me komunitetin rom dhe siguron se qeveria po harton planin e veprimit, që do t’i japë përgjigje problemeve të tyre

-          Qeveria do t’i japë komunitetit rom letërnjoftimin elektronik falas.

Kryeministri Berisha morri pjesë sot në aktivitetin e organizuar nga PNUD, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me rastin e ditës ndërkombëtare të romëve, zhvilluar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Në fjalën e mbajtur, Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare i është bashkuar nismës së një grupi vendesh të Europës Juglindore, në dekadën e integrimit të romëve në shoqëri dhe në këtë kontekst, ajo po harton një plan veprimi që trajton të gjithë problematikën e këtij komuniteti.

“Sot, qeveria disponon një strategji të gjatë të trajtimit të problematikës së madhe të këtij komuniteti të nderuar dhe po bën planin e veprimit, pasi ajo u bashkua me një grup vendesh të Europës Juglindore në dekadën për përfshirjen e romëve. Ju garantoj se në këtë plan veprimi, qeveria do mobilizojë të gjitha burimet e nevojshme qe kjo dekade, e shpallur dekada e përfshirjes suaj, të jetë një dhjetëvjeçar, në të cilin jeta juaj të ndryshojë më shumë se kurrë, ku do marrin përgjigjen më të mirë problemet e mëdha të trashëguara nga ju, problemet e punësimit, të strehimit, shkollimit dhe probleme te tjera të jetës suaj,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha tha duhet të ketë një dialog konstant me njëri-tjetrin. “Ju siguroj se propozimet dhe sugjerimet tuaja do të merren seriozisht parasysh.”

Kryeministri i informoi ata se qeveria do t’i jap këtij komuniteti kartat e identitet falas.

Më poshtë,  vijon fjala e plotë e Kryeministrit Berisha:

“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht në këtë ditë dhe t’ju siguroj se për qeverinë time ndryshimi rrënjësor i jetës suaj është dhe do mbetet një përparësi madhore e pandryshueshme. Sot, qeveria disponon një strategji të gjatë të trajtimit të problematikës së madhe të këtij komuniteti të nderuar dhe po bën planin e veprimit, pasi ajo u bashkua me një grup vendesh të Europës Juglindore në dekadën për përfshirjen e romëve. Ju garantoj se në këtë plan veprimi, qeveria do mobilizojë të gjitha burimet e nevojshme që kjo dekade, e shpallur dekada e përfshirjes suaj, të jetë një dhjetëvjeçar, në të cilin jeta juaj të ndryshojë më shumë se kurrë, ku do marrin përgjigjen më të mirë problemet e mëdha të trashëguara nga ju, problemet e punësimit, të strehimit, shkollimit dhe probleme te tjera të jetës suaj. Qeveria ime e ka marrë me seriozitet të madh problemin e përfshirjes suaj në shoqëri. Nuk mund te bëhet fjalë për një shoqëri të drejtë, në rast se nuk zgjidhen me seriozitet dhe vendosmëri problemet tuaja të mëdha. Ne e kemi filluar dhe do ta vazhdojmë sërish, duke u përqendruar në radhë të parë  të fëmijët. Së bashku me PNUD dhe me interesimin direkt të zonjës Turkoz-Cosslett, do ndërmerret regjistrimi dhe kjo është një detyrë e madhe e jona dhe e juaja. Secili fëmijë rom duhet të këtë mbrojtjen, garancinë e plotë të jetës, të shkollës, të punës,  si të gjithë fëmijët e tjerë.

Ju jeni këtu prej shekujsh, keni dhënë një kontribut të madh, thelbësor në këtë vend dhe jeni një komunitet, një minoritet shumë i rëndësishëm, me kontribute të mëdha. Ndaj ne jemi të vendosur, por çfarëdo që të bëjmë ne, nuk mund ta realizojmë qëllimin pa pjesëmarrjen tuaj aktive, pa ndihmën tuaj, pa marrë edhe ju vetë përgjegjësitë që ju takojnë. Regjistrimi është vetëm hapi i parë për fëmijët tuaj, shkollimi i tyre do të jetë hapi i dytë. Ministria e Arsimit ka marrë urdhër të prerë të ngrejë shkolla me ushqim në zonat ku jeni ju dhe këtë ne e bëjmë, sepse varfëria në zonat ku ju banoni është shumë më e thellë, se sa në zona të tjera. Ne do bëjmë që fëmijët tuaj të ndjekin shkollat e mesme dhe ju garantoj për secilin prej tyre, bursë dhe konvikt. Fëmijët tuaj të ndjekin universitetin, nuk duhet të rreshtin së përpjekuri, se vetëm në këtë mënyrë shkëputemi nga trashëgimia e padrejtë që kemi.

Së dyti, ne kemi filluar një politikë zgjerimi të gjatë. Në bashkinë e Korçës janë alokuar fonde për pallate për ju dhe unë ju jap fjalën se kjo politikë do vazhdojë. Në këtë dekadë, strehimi juaj do jetë një përparësi madhore e qeverisë sime. Urbanizimi i zonave tuaja përbën gjithashtu një detyrim tjetër tonin, sikundër punësimi, nxitja e bizneseve të vogla dhe aktiviteteve të tjera, të cilat rrisin punësimin. Sa herë shkojë në Korçë, unë vizitoj tregun e Korçës, është një nga tregjet ku ju jeni dominues e që ju e menaxhoni në mënyrë të shkëlqyer, është një nga tregjet më dinamike të vendit, më të pasura. Ndaj do t’i inkurajoj shumë bashkitë që edhe ato t’u krijojnë të gjitha lehtësirat dhe hapësirat në këtë aktivitet, ku ju keni zotësi të veçanta. Në Allias ju merrnin nga 30 euro për metër katror dhe bëmë ligjin, në radhë të parë ju, për t’ua ulur në maksimum këtë taksë të tokës.

Ne duhet të kemi dialog konstant me njëri-tjetrin dhe të jeni të sigurt se propozimet dhe sugjerimet tuaja do të merren seriozisht parasysh. Tani po shkojmë drejtë zgjedhjeve. Qeveria do t’i japë komunitetit tuaj kartat e identitetit falas. Por ju duhet të bashkëpunoni në këtë proces të regjistrimit që po bëjmë. Regjistrimi i fëmijëve, regjistrimi i të rriturve është në interesin tuaj më të mirë, sepse në çdo plan, çdo projekt ne duhet ta bazojmë në të dhëna të sakta dhe tani  kemi edhe letërnjoftimet e reja. Ju bëj thirrje t’i merrni ato, të votoni të lirë sipas përzgjedhjes suaj, të kontrolloni listat e votimit, sepse, në këtë mënyrë, edhe zëri juaj bëhet shumë më i fuqishëm, në këtë mënyrë ju gradualisht do konsolidoheni. Tek unë keni një njeri që ju mbështet me gjithë shpirt, por ju duhet të keni njerëzit tuaj të zgjedhur, të cilët duhet të thonë fjalën e tyre, në komuna, në bashki, në parlament e kudo. Kjo kërkon që vota juaj të llogaritet.

Dua të falënderoj me shumë mirënjohje PNUD-in, qeveritë e vendeve mike, institucionet e tjera ndërkombëtare, të cilat kanë treguar gjithnjë një ndjeshmëri të madhe ndaj problemeve tuaja dhe ju siguroj se sa kohë ministria të përpunojë, së bashku me ju, të gjithë programet e dekadës së përfshirjes së romëve, ne duhet të kemi një qëllim, në këto 10 vjet nuk duhet të ketë  asgjëkund geto romësh, se ato jua kanë imponuar racizmi dhe dhe diskriminimi që ju kanë bërë në shekuj, në Shqipëri dhe në vende të tjera. Ne do të legalizojmë të dhënat tuaja, do të vendosim që ju të strehoheni si gjithë të tjerët, sepse kontributet i keni shumë të mëdha. Ju përshëndes ju, përshëndes çdo rom të Shqipërisë, dhe ju falënderoj shumë për kontributin që keni dhënë në zhvillimin e këtij vendi.


08/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›