Kryeministri Berisha: Hartimi i projekteve në ndihmë të komunitetit rom, nisëm e rëndësishme për të kapërcyer pasojat e një diskriminimi shumë të thellë

Kryeministri Berisha veçoi si një çështje të rëndësishme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave hartimin e projekteve në ndihmë të komunitetit rom, të cilat përfshijnë strehimin, shkollimin, si dhe ofrimin e shërbimit shëndetësor ndaj këtij komuniteti.
Kryeministri vlerësoi si një eksperiencë pozitive, projektin e 100 banesave për komunitetin rom të Durrësit, i cili përfshinte gjithashtu edhe elementë të tjerë si shkollën, kopshtin e qendrën shëndetësore për ta.
Duke kërkuar që ky model të ndiqej edhe në qytete të tjera ku është i pranishëm ky komunitet, kryeministri u shpreh se kjo do të ishte një nisëm shumë e rëndësishme antidiskriminuese për të mos ndodhur më ngjarje të shëmtuara si ajo me komunitetin rom në Tiranë.
* * *
Ndër të tjera, kryeministri veçoi në këtë mbledhje edhe vendimin për lëvrimin e 1.3 miliard lekëve të tjera për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, ku do të përparësohen të gjithë personat mbi 75 vjeç të këtij komuniteti.
Gjithashtu kryeministri u ndal në një vendim tjetër të rëndësiëhm atë të rimbursimit të pajisjeve fiskale dhe të taksimetrave në 7 komuna dhe tre bashki.
Kryeministri theksoi se këto kasa paraqesin pasaportën biometrike të biznesmenëve, duke rritur në mënyrë të ndejshme ndjeshme dinjitetin sigurinë, respektin e qytetarëve ndaj biznesmenëve.
Lidhur me këto çështje, kryeministri Berisha u shpreh:
“Dua të shtroj sot dhe nje çështje të dytë. Disa ditë më parë ne inauguruam në Durrës një projekt shumë të rëndësishëm për 100 banesa për komunitetin rom. Nuk ishte problem i 100 banesave, por në këtë projekt parashikoheshin edhe disa shërbime, si kopshti, shkolla, shërbimi shëndetësor. Unë do të vlerësoja shumë që këtë eksperiencë pozitive më të cilën ju garantoj është punuar jo pak, por 2 vjet, deri në atë fazë të cilën e kam ndjekur me deputetin e zonës dhe ekspertët.
Do të doja që këtë model të mund ta përhapim edhe ne qytete të tjera aty ku është i pranishëm komunitet rom, ta zhvillojmë në Tiranë dhe të mos na ndodhin më, akte të shëmtuara si ai që ndodhi. Të shqyrtojmë këtë mundësi në Tiranë, Elbasan, Korçë dhe kudo që kemi një komunitet të qenësishëm rom. Kjo do të ishte një nisëm shumë e rëndësishme antidiskriminuese për të kapërcyer pasojat e nje diskriminimi shumë të thellë dhe ky diskriminim ekziston dhe ne duhet të zhvillojmë një debat të gjerë shoqëror. Në një bashki,të një rrethi të madh ne dhamë banesa sociale me destinacion kryesisht komunitetin rom. Kryetari i bashkisë i hapur ndaj meje më tha se kjo nuk konvenon në këtë mënyrë,me arsyen se ndonjë komunitet tjetër do të ndihej i lënë pas dore. Ai më shprehu mendimin tij sepse më tha një të vërtetë. E theksoj këtë sepse është e domosdoshme që ne të hapim debatin, të bëjmë një dialog.
Është e vërtetë se ka njerëz me halle, ka njerëz të pastrehë, por mos harroni se shumica ndodhet në kushte shumë herë më të ndryshme se kjo pakicë rome, sepse romët kanë të akumuluar një padrejtësi shekullore. Në qoftë se ka në shumicë anëtarë të saj në kushte të pafavorshme, ka një përqindje të pastrehe, në komunitetin rom, për sa i përket strehimit në standard minimal, ata nuk e kanë, prandaj dhe ne do të kemi një debat të hapur në shoqërinë tone dhe nuk do të ngurojmë ti shohim gjërat ashtu siç janë dhe ti ndryshojmë ato. Në qoftë se ne arrijmë që në çdo qytet të madh që ka romë të bëjmë një projekt si ky i Durrësit absolutisht ne do të japim përgjigjen më të shpejtë dhe më të mirë njërit prej problemeve më të ndjeshme që është strehimi, prandaj ju lutem ta merrni atë model dhe ta studioni se ku mund të zbatohet dhe ku do mund të zbatohet. Kudo mund të zbatohet i ndërtuar edhe në përputhje me traditën e tyre, me solidaritetin e tyre, icili është shumë pozitiv.
* * *
Sot kemi edhe një vendim tjetër të rëndësishëm për të përndjekurit politike, edhe 1.3 miliard lekë të tjera lëvrohen për dëmshpërblimin e tyre. Pra ky proces po ecën në mënyrën më serioze dhe sot vendosim të përparësojmë të gjithë personat mbi 75 vjeç të këtij komuniteti.
Vendim tjetër shumë i rëndësishëm është edhe vendimi për rimbursimin e pajisjeve fiskale dhe taksimetrave në shtatë komuna dhe tre bashki. Duke përgëzuar biznesmenët e Libohovës, Gjirokastrës, pjesërisht të bashkisë Tiranë, komunës së Dropullit të Poshtëm dhe të Sipërm, komunës së Lunxhërisë dhe të Xarës, garantoj të gjithë biznesmenët shqiptarë se do ta marrin të plotë rimbursimin për kasën kanë vënë. Ka patur tendencë për spekulim kryesisht tek taksimetrat, nuk kanë qene taksistet por ndonjë kompani, por të jenë të sigurtë se spekulatori do të ndëshkohet, në mënyrën më të rreptë nga ligji. Ky ka qenë një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për modernizmin e Shqipërisë.
Sot e kam theksuar dhe e theksoj se këto kasa paraqesin pasaportën biometrike të biznesmenëve. Këto kasa absolutisht i rrisin në mënyrë të ndjeshme dinjitetin biznesmenit, sigurinë, respektin e qytetarëve ndaj tij . Por nga ana tjetër janë një detyrim madhor ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj qytetarëve të huaj. Këtë vit pritet në Shqipëri dyndja më e madhe turistike, e cila ka mundësi të tejkalojë numrin e banorëve. Agjencitë më të mëdha të transportit të krocerave kanë regjistruar edhe Durrësin në listën e tyre. Njëra prej tyre më e madhja kishte në listën e saj Hong Kongun dhe shoi dhe Durrësin, pra duhet që siç paraqitemi në mikpritjen tonë të përzemërt, të paraqitemi në të gjithë shërbimet. Turisti blen, por do të dijë që merr faturë elektronike dhe kjo është e domosdoshme.
Ka edhe një gjë shumë të rëndësishme, një marrëveshje me qeverinë zvicerane dhe një mbështetje që qeveria e konfederatës helvetike i jep Shqipërisë për gazin, pasi vendi po bëhet gjithnjë dhe më i lakmueshëm si vend, nëpër të cilin do të kalojë njëri nga gazsjellësit më të mëdhenj dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Duke falënderuar qeverinë e Zvicrës për këtë ndihmë, kërkova që vendi të përgatitet për standardet më të mira mjedisore dhe të tjera në trajtimin e këtij problemi.
Po kështu miratojmë dhe marrëveshjen për kredinë tjetër të qeverisë zvicerane, e cila është një ndihmë prej 6.4 milion franga zvicerane për kaskadën e Drinit.
Unë e deklarova në fillim që fushata ëhstë fushatë dhe qeveria qeveri. Nuk mundet në asnjë mënyrë që fushat të errësojë punë e qeverisë. Kjo nuk mund të ndodhë.
14/04/2011