E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Holokausti duhet ti shërbejë qytetërimit si një mësim i madh, për të mos reshtur përpjekjet për një shoqëri tolerante, si kushti më i sigurt për të ardhmen e njerëzimit

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në konferencën ndërkombëtare në kujtim të Holokaustit, e cila organizohet nga Presidenca Shqiptare e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

Në këtë konferencë  3 ditore, e cila po zhvillon punimet në ambientet e Muzeut Kombëtar në Tiranë, merrnin pjesë përfaqësues nga vende të ndryshme të Këshillit të Evropës, nga Komiteti Hebraik i Francës, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të komuniteteve fetare në vendin tonë si dhe përfaqësues të trupit diplomatik, pedagogë, studiues etj.

Në nisje të kësaj konference Kryeministri Berisha shpërndau certifikatat që u ka akorduar 14 qytetarëve nga vende të ndryshme si Shqipëria, Franca, Kroacia, Belgjika, Zvicra, në shenjë mirënjohje ndaj atyre  që mbrojtën nderin e njerëzimit gjatë Holokaustit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh, se kjo ceremoni  e organizuar në kuadrin e e kryesisë së radhës së Këshillit të Europës së Shqipërisë nderon qytetarët nga vende të ndryshme të evropës, si dhe familjet  e tyre, të cilat në momentet më të vështira dhe më kritike të qytetërimit qëndruan në anën e vlerave njerëzore, si përfaqësues të pamposhtur të moralit qytetar njerëzor. 

Duke e cilësuar  Holokaustin si procesin dhe aktin më barbar e me çnjerëzor, që është kryer nga qytetërimi perëndimor në shumë e shumë shekuj, Kryeministri theksoi se ai  duhet ti shërbejë njeriut dhe njerëzimit si një mësim shumë i madh, për të mos reshtur kurrë përpjekjet për një shoqëri  tolerante si kushti më i sigurt për të ardhmen që meritojmë.

Në fjalën e mbajtur për të pranishmit, Kryeministri Berisha u shpreh:

 “Sot ne sëbashku në këtë ceremoni, në kuadrin e kryesisë së radhës së Këshillit të Evropës së Shqipërisë nderojmë disa qytetarë nga vende të ndryshme të Evropës, familjet e tyre, të cilat në momentet më të vështira dhe më kritike të qytetërimit tonë, qëndruan në anën e vlerave njerëzore, qëndruan si përfaqësues të pamposhtur të moralit qytetar njerëzor, shpëtuan gra, burra e fëmijë, të cilët ndiqeshin për tu ekzekutuar për fajin  e vetëm, se i përkisnin etnisë hebreje.

Për mua si kryeministër i Shqipërisë është një rast shumë i veçantë, që të sjellin në këtë veprimtari në kuadrin e kryesimit të Këshillit të Evropës, pasi ky institucion më i vjetri  demokratik i Evropës së pas luftës, në këto dekada të veprimtarisë së tij ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në paqen, demokracinë, vlerat e saj, në mbarë Europën. Para rënies së perdes së hekurt, Këshilli i Evropës si tempulli i vlerave të lirisë dhe demokracisë ishte një burim i madh frymëzimi për popujt e shtypur nga diktaturat komuniste. Pas rënies së perdes së hekurt, ai  u shndërrua në partnerin kryesor të shkëlqyer të përpjekjeve të këtyre kombeve,  për të ndërtuar shoqëritë e lira të bazuara  në liritë dhe respektin e tyre, me tolerancë dhe mirëkuptimin. Këshilli i Europës është kampion i vërtetë  i kontinentit, në luftën kundër  racizmit, diskriminimit dhe në përpjekjen e madhe për një shoqëri me të drejta dhe me të lirë.

Zonja dhe zotërinj,

Natyrisht që ndihem krenarë, që ne nderojmë sot këto djem dhe vajza, zonja dhe zotërinj nga vende të ndryshme, si një vend, i cili në momentet e barbarisë më të madhe, që ka njohur qytetërimi  ynë ditën të qëndrojnë në anën e njerëzimit, në anën e njerëzores, duke qëndruar besnik të  vlerave njerëzore dhe hyjnore të qytetërimit tonë. Ata mbrojtën familjet, burrat, gratë, fëmijët hebre, që ishin në Shqipëri dhe të tjerë që erdhën nga vende të tjera, për ti shpëtuar nga gjahu çnjerëzor në këto vende.

Holokausti përbën procesin, aktin më barbar, me çnjerëzor, që është kryer nga qytetërimi perëndimor ndoshta në shumë e shumë shekuj. Holokausti nuk ndodhi në skajet e planetit, nuk u realizua nga kombe apo shoqëri  gjysmë të qytetëruara apo primitive, Holokausti ndodhi në qytetërimin më të zhvilluar të planetit dhe sa më shumë ta studiosh  dhe analizosh,  aty gjen një fakt shumë tragjik. Njerëz me uniformë që kryen holokaustin, të indoktrinuar deri në shpirt me ideologjinë naziste  ishin natyrisht ana më agresive e tij, por të mos harrojmë se, ata qindra e mijëra  të tjerë, që bënë të mundur realizmin e asaj batërdie njerëzore ishin njerëz si ne,  me shkollë, pa shkollë, të kultivuar, të profesioneve të ndryshme, të thjeshtë , studiues të avancuar. E them këtë, sepse çdo ngjarje duhet të shërbejë  për një  vështrim përpara.  Çdo mësim prej tyre duhet të na shërbeje për të ndriçuar rrugën tonë  drejt të ardhmes që duam dhe kjo është një përpjekje dhe duhet të jetë një nga përpjekjet më themelore tonat, sepse e vërteta është se fakultetet  intelektuale njerëzore janë të komplikuara, dhe përsëri tek ata që bashkëpunuan për holokaustin përsëritet  një pyetje? Pse këta bashkëpunuan, kurse të tjerët vendosën jetën e tyre në anën e viktimave dhe qëndruan të pamposhtur?  Mos vallë në këtë bashkëpunim, në fakultetet e tyre  mendore u zgjuan demonët e fjetur të racizmit, të urrejtjes primitive dhe bënë që ata të bëhen bashkë autor në një nga aktet më makabre të historisë së njerëzimit.

Holokausti duhet ti shërbejë njeriut dhe njerëzimit, duhet ti shërbejë qytetërimit tonë, si një mësim shumë i madh, për të mos reshtur kurrë përpjekjet tona për një shoqëri  tolerante, për të shuar racizmat fobirat, demonizimet,  si një kusht më i sigurt për të ardhmen që meritojmë.

Sot bëjmë  mirë ta kujtojmë dhe ta nderojmë gjithnjë e më shumë.  Zoti  Komisioner  i të Drejtave të Njeriut,  jam plotësisht  dakord me mendimin tuaj, që duhet të jetë pjesë parësore dhe integrale e sistemit të edukimit.

Presidenti Barak Obama,  ditën e nderimit të holokaustit, shpalli se do të krijojë një bord,  kundër barbarive dhe keqtrajtimeve . Një mik tjetër  i shquar i imi më njoftoi këto dite, se me një grup të gjërë statistësh, shkrimtarë, publicistë, po punonin për të ripunuar konventat e Organizatë së Kombeve të Bashkuara, mbi gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit. Pra nuk duhet të reshtim kurrë së përpjekuri gjersa  rendi ynë ndërkombëtar të jetë i bazuar tërësisht dhe kryekëput para së gjithash mbi liritë dhe të drejtat njerëzore, mbi  liritë dhe të drejtat e individit.

Holokausti ka shërbyer dhe shërben shumë në ketë drejtim. Vështirë se po të mos ishte holokausti, NATO dhe komuniteti ndërkombëtar do të kishte ndërmarrë ato veprime që mori në Bosnje, që mori në Kosovë, që ndërmori në Libi dhe që ndjek me një shqetësim të jashtëzakonshëm masakrat e kasapit të Sirisë ndaj kombit të tij. Ndaj dhe rëndësi të jashtëzakonshme përkushtim ndaj një rendi të ri, i cili po ndërtohet pa diskutim një rend i bazuar në liritë dhe të drejtat e individit, në liritë dhe te drejtat e qytetarëve.

Dua ta mbyll fjalën time duke shprehur nderimit tim më të madh, për të gjithë ata qytetarë të vendeve të ndryshme, të cilët nga momente më tragjike të qytetërimit tonë, qëndruan si viganë në mbrojtje të vlerave me të çmuara njerëzore dhe hyjnore të njeriut, të bashkëkombësve të mi, të cilët bënë që ky vend të festojë 100 vjetorin e pavarësisë, si vendi i vetëm ku numri i hebrenjve në fund të luftës ishte disa herë më i madh si ndër  vendet më të pakta në bote, mbreti  i të cilëve urdhëroi shërbimet diplomatike të veta tu krijojë të gjitha lehtësisë hebrenjve që ndiqeshin nga një vend në një vend tjetër, vetëm e vetëm se ata i përkisnin etnisë hebre, etni  me një kontribut të jashtëzakonshëm ne historitë e qytetërimit botëror.

Faleminderit.


05/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›