E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria miraton uljen e kostos së mirëmbajtjes së kasave fiskale për biznesin, nga 9400 lekë në 4000 lekë

-         Gjithashtu, çdo biznes do të certifikojë funksionimin e kasës së tij fiskale vetëm një herë në vit dhe jo dy herë sa ka qenë deri tani

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, u miratua një ndryshim në vendimin për kasat fiskale, i cili ul koston që paguan çdo biznes për mirëmbajtjen e pajisjes fiskale, nga 9400 lekë që është paguar deri tani, në 4000 lekë.  Gjithashtu, sipas këtij vendimi, biznesit do t’i kërkohet certifikimi i funksionimit të kasës vetëm një herë në vit, pra çdo 12 muaj, dhe jo çdo 6 muaj, siç i kërkohej deri tani.

Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë vendim si shumë të rëndësishëm e lehtësues në fushën e biznesit. Kryeministri theksoi se vendosja e këtyre kasave në sistemet nga më modernet, ishte një nga arritjet më kryesore të Shqipërisë dixhitale dhe të tregut, por kompanitë të cilat kanë targetin e mirëmbajtjes së tyre, u treguan shumë lakmuese në çmim dhe i kërkonin biznesit një “taksë” të dytë të rëndë.

Për këtë arsye, theksoi Kryeministri, qeveria mori të gjitha masat për të përllogaritur koston e kësaj mbikëqyrjeje dhe sot vjen me këtë vendim që ul me më shumë se gjysmën e vlerës koston e mirëmbajtjes së kasës fiskale.

“Mendoj se ky është një lehtësim serioz që u bëhet bizneseve në veprimtarinë e tyre. Pra, nga dy kontrolle në vit, do kenë vetëm një kontroll në vit dhe ia do të jetë me më pak se gjysma e çmimit të kontrolleve që bëheshin deri tani”, u shpreh Kryeministri.

Në fjalën e tij rreth këtij vendimi, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme, sërish në fushën e biznesit, vjen një vendim shumë i rëndësishëm. Një nga arritjet më kryesore të Shqipërisë dixhitale dhe të tregut, ishte vendosja e kasave në sistemet nga më modernet. E vërteta është që ky proces, i cili në jo pak vende ka kërkuar për vendosjen e tij edhe 8 a 10 vite, në Shqipëri u kompletua për 2 vjet. Por, kompanitë të cilat kanë targetin e mirëmbajtjes së tyre, u treguan shumë lakmuese dhe u kërkonin biznesit një “taksë” të dytë të rëndë.

Qeveria mori të gjitha masat për të përllogaritur koston e kësaj mbikëqyrjeje dhe sot vendos që;

Nga 9 mijë e 400 lekë të zbresë në 4 mijë lekë, si tavan maksimal, procesi i mirëmbajtjes së kasave. Pra ulet me më shumë se gjysmën e vlerës.

Së dyti; nga çdo gjashtë muaj që i kërkohej biznesit për të certifikuar funksionimin e kasës së tyre, tani do t’u kërkohet çdo 12 muaj.  Mendoj se ky është një lehtësim serioz që u bëhet bizneseve në veprimtarinë e tyre. Pra, nga dy kontrolle në vit, do kenë vetëm një kontroll në vit dhe ai do të jetë me më pak se gjysma e çmimit të kontrolleve që bëheshin deri tani.

Ne  do të bëjmë gjithçka për të çliruar bizneset nga të gjitha ngarkesat, rëndimet e pamerituara. Në mbledhjen e mëparshme ne miratuam vendime, ligje, për sistemin e inspektimit që i reduktonte inspektimet në përgjithësi, nga 36 në 12, nga 45 ditë në 12 ditë inspektim. Sot ne marrim këtë vendim tjetër të rëndësishëm, i cili lehtëson veprimtarinë e bizneseve në vend”.


05/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›