Kryeministri Berisha: “Hoxha u instalua në krye të PKSH nga Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç”

Mbledhja e Qeverisë/Rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës ishte betejë me diktaturën në fuqi
Kryeministri Sali Berisha solli dje në kujtesë me mirënjohje dhe nderim të veçantë, martirët dhe viktimat e regjimit komunist, në ditën e ditën e kujtesës së tyre kombëtare, 20 shkurtit. Nga mbledhja e qeverisë, Berisha e cilësoi rrëzimin e shtatores së diktatorit, simbolit të regjimit komunist, si një ngjarje të veçantë në historinë e kombit dhe nga më të rëndësishmet.
Kryeministri u shpreh se ajo do të kujtohet brez pas brezi, si dita e kurajës më të madhe popullore, si dita që shënon fundin e diktaturës më të egër në Evropë.
“Kjo nuk ishte beteje në bronx, kjo ishte beteje me diktaturën në fuqi, me bronxet e gjalla. Ajo ditë ishte dita e kurajës më të madhe popullore ne historinë e vendit. Ajo ditë ishte dita e gëzimit më të madh, dita në të cilën qytetarët e këtij vendi kanë derdhur lot gëzimi më shumë se në çdo ngjarje tjetër që ka ndodhur ndonjëherë. Ajo ditë shënon fundin e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe hap rrugën përfundimisht realizmit të ëndrrave të lirësisë për shqiptarë”, u shpreh kryeministri.
Duke e krahasuar diktatorin Hoxha me Hitlerin, Berisha akuzoi regjimin diktatorial se e shndërroi Shqipërinë në vendin e burgjeve dhe kampeve të përqendrimit. Gjithashtu, kryeministri tha se Hoxha u instalua në krye të PKSH, nga antishqiptarët Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç. “Enver Hoxha të cilën do ta quanin Hitleri i pasluftë shndërroi një komb që doli fitimtar nga lufta, e shndërroi atë në kombin më të skllavëruar, më të shtypur, më të varfër, më të mjeruar, shndërroi Shqipërinë në vendin e burgjeve dhe kampeve të përqendrimit më të shumta. Viktimat e regjimit të tij, martirët e lirisë ishin dy herë më të mëdha se në të gjitha vendet të marra së bashku, përveç Bashkimit Sovjetik. Por shumë herë më i madh ishte numri i viktimave nga uria dhe sëmundjet për shkak të mjerimit në të cilin ai katandisi Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai izoloi vendin në shkallën më ekstreme dhe në një akt antishqiptar ai prishi të gjitha marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet perëndimore. U instalua në krye të Partisë Komuniste shqiptare nga Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi dhe kjo është e pakundërshtueshme, bëri gjithçka për ta shndërruar Shqipërinë në një republikë të shtatë jugosllave dhe “de facto’ firmosi çdo marrëveshje dhe më pas bëri çdo gjë për të ndërprerë çdo lloj bashkëpunimi me aleatët perëndimorë dhe kjo kryekëput në interes të konjukturave rajonale jugosllave, në interes të konjukturave antiperëndimore”, tha kryeministri.
Heqja e TVSH-së për bagëtitë racore
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë kryeministri Berisha njoftoi Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Financave po shqyrtojnë me hollësi dhe po zgjerojnë listën e përjashtimeve nga TVSH-ja edhe të produkteve e mallrave të tjera, të cilat kanë një impakt të ndjeshëm në krijimin, zhvillimin dhe konsolidimin e fermave në Shqipëri.
Kryeministri tha se është arritur në përfundimin që të përjashtohen nga TVSH-ja të gjitha bagëtitë e racave që importohen për krijimin e tufave dhe mbarështimin e racave më të mira të Evropës, qofshin ato lopë, dhi, dele apo diçka tjetër. Kjo, u shpreh kryeministri, bëhet me qëllim që të nxisin përmirësimin e racave, i cili sot është një realitet i madh. Duke folur mbi këtë vendim, kryeministri bëri me dije se në nismën e heqjes së TVSH përfshihet plastamasi, blerjet e brendshme, etj, si dhe TVSH-ja për grantet, e cila merr shkas nga një bashkëbisedim i kryeministrit me fermerët lushnjarë. “Një përfaqësues i fermerëve në Lushnje më pyeti në se do të hiqet TVSH për grantet, për fidanët që do të blejnë. Përgjigja ime aty nuk ishte pozitive, por më pas, pas konsultave të zhvilluara, përgjigja ime për këtë çështje është pozitive”, shpjegoi kryeministri. Në këtë kontekst, Berisha pohoi se qeveria po bën gjithçka për një zgjerim të lirive të tregut. “Pra qeveria po bën gjithçka për një zgjerim të lirive të tregut. Koncepti ynë është liria, pasuria më e çmuar dhe asaj duhet ti referohemi ne për të krijuar pasuri të reja”, tha ai.
Qeveria mbron kurorën e gjelbër të Tiranës
Qeveria i kushtoi një vëmendje të posaçme mjedisit, duke marrë vendime që garantojnë mbrojte më të mirë të pasurisë kombëtare në këtë fushë. Pasi njoftoi vendimin për shpalljen park kombëtar të kompleksit të Butrintit, Kryeministri kërkoi që një status të tillë të përfitojnë edhe lagunat, për vlerat e posaçme që bartin. Me propozim të ministrisë së mjedisit u vendos për marrjen në mbrojtje të kurorës së gjelbër të Tiranës.
Një ndër vendimet e qeverisë ishte shtimi i një fondi prej 550 mijë eurosh, në buxhetin e ministrisë ekonomisë. Nga kjo shumë 350 mijë euro do të përdoren për përzgjedhjen e një shoqërie audituese ndërkombëtare për të kryer procedurat e auditimit të shoqërisë “CEZ Shpërndarje”, sh. a. shuma tjetër do të financojë përzgjedhjen e një shoqërie vlerësuese ndërkombëtare për vlerësimin teknik të rrjetit të shpërndarjes.
...