“Sistemi i vlerave, i demokracisë, i normave dhe i të drejtave, kryevepra jonë 20-vjeçare”
“Sot, pas 22 vitesh, të përmbysjes së diktaturës hoxhiste, si në asnjë vend tjetër, bijtë e etërve hoxhistë, pasi pushtuan kreun e PS-së, guxuan të ndërmarrin përmbysjen me dhunë të pushtetit tuaj, të dalë nga vota e lirë... Kësaj radhe gabojnë për të mos mundur të gabojnë kurrë më. Kësaj radhe, me votën tonë, ne do të firmosim fundin e tyre, fundin e merituar. Shqiptarët, në 23 qershor, do të votojnë për integrimin e tyre në Evropë, për liritë e të drejtat e tyre, do të votojnë për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë evropiane. Ne jemi ndryshimi, ne do të fitojmë. Përpara, përpara, përpara!”
“Të dashur qytetarë e qytetare të Tiranës e të mbarë Shqipërisë,
Të rinj e të reja, studentë, vëllezër e motra,
Zonja e zotërinj!
Jemi mbledhur sot në këtë shesh të historisë sonë të lirisë që të festojmë së bashku ditën më të shënuar për liritë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë, 20 shkurtin, ditën e përmbysjes së diktaturës hoxhiste, shtatores së diktatorit Enver Hoxha dhe bronxeve të gjalla të bllokmenëve të saj. Por sot, ne nderojmë së bashku ditën kombëtare të kujtesës së martirëve dhe viktimave të sistemit barbar komunist.
Gëzuar 20 shkurtin, ditën e guximit, e heroizmit, e lirive, e të drejtave dhe dinjitetit tonë qytetar. Gëzuar ditën e kujtesës kombëtare, për gratë e burrat, djemtë e vajzat, që u martirizuan për së gjalli për fjalën e lirë, për besimin te Zoti, besimin te Shqipëria.
Qytetarë të Tiranës,
Si sot 22 vjet më parë, ne bëmë që liritë dhe dinjiteti ynë njerëzor, besimi dhe shpresa mbi të ardhmen që meritonim, të ngadhënjehej mbi shtypjen e egër, frikën, poshtërimin, pesimizmin, dëshpërimin në të cilin na kishte zhytur një regjim barbar.
22 vjet më parë, në këtë shesh, studentët liberator morën vendimin për sakrificë sublime, ndërmorën grevën epike të urisë, grevën më masive të lirisë që kishte parë Evropa dhe bota, për heqjen e emrit të diktatorit Enver Hoxha nga universiteti në të cilin ata studionin. Këta vajza e djem, me një vendosmëri të madhe, me një guxim të jashtëzakonshëm, të vendosur për sakrificën më të madhe, u ngujuan në ndërtesën pak më poshtë prej këtej, për nderin, dinjitetin, lirinë e mbarë shqiptarëve. Njëlloj si ditët e dhjetorit të 90-ës, qytetarët e Tiranës, qytetarët e mbarë Shqipërisë, do të vërshonin si uragan drejt grevës së urisë, në një mbështetje të fuqishme. 20 shkurti shënon gjithashtu ditën në të cilën Partia Demokratike e Shqipërisë, partia e parë opozitare e vendit, do të organizonte, do të realizonte, një nga fitoret më të mëdha, më kulmore në tërë historinë e saj, fitoren e cila, në 3 muaj jetë, do ta bënte atë forcën politike më të fuqishme antikomuniste në Evropë. Nder përjetë studentëve të lirisë, për kontributin e tyre, nder përjetë qindra e mijëra qytetarëve të Tiranës e mbarë Shqipërisë që përmbysën në 20 shkurt diktaturën më të egër komuniste në Evropë, shtatoren e Enver Hoxhës, “Hitlerit” të shqiptarëve të pas Luftës së Dytë Botërore.
Të dashur qytetarë të Tiranës e mbarë Shqipërisë!
Në 20 shkurt ne nderojmë ditën kombëtare të kujtesës së martirëve dhe viktimave të sistemit totalitar. Në Shqipërinë e Enver Hoxhës, me barbarinë e luftës së klasave, u morën mijëra e mijëra jetë të pafajshme shqiptarësh. Qindra mijëvjeçarë vitesh lirie iu vodhën të rinjve, burrave e grave të këtij vendi, të cilët rezistuan me trimëri të veçantë, me heroizëm të pamposhtur për liritë e të drejtat që ne gëzojmë sot. Ata besonin te fjala e lirë, te Krishti, te Muhamedi, dhe Zoti, besonin te prona, te dheu i tyre, te lëvizja e lirë. Le të përulemi me nderim të madh para të gjithë atyre që flijuan jetën dhe rininë për dinjitetin dhe liritë që gëzojmë ne sot.
Nder përjetë Martirëve të Lirisë.
Të dashur qytetarë e qytetare të Tiranës,
Dy dekada që kemi kaluar, nga 20 shkurti i vitit ‘91 e deri më sot, kanë qenë jo të lehta për ne. Përkundrazi, ne jemi përballur me vështirësi të mëdha, vuajtje, sakrifica, mangësi, gabime, vështirësi jo të vogla. Diktatura hoxhiste shkatërroi Shqipërinë, shkatërroi qenien e shqiptarit më shumë se sa e kishte shkatërruar atë çdo luftë, çdo pushtim, çdo epidemi a fatkeqësi natyre, në tërë historinë tonë dhe më shumë se sa në çdo vend tjetër të planetit. Ndaj dhe sot, thirrja ime për të gjithë shqiptarët, thirrja ime për të gjithë ata fatlumë e fatlume qe nuk jetuan asnjë ditë në diktaturë, është; le të mos harrojmë kurrë sakrificën e martirëve të lirisë, le të urojmë që ajo vuajtje, ajo sakrificë të na bëhet dritë në rrugën tonë drejt të ardhmes që meritojmë.
Sot ne, qytetarët e këtij vendi, në këtë shesh dhe kudo që ndodhemi, kemi një mijë e një arsye të ndihemi krenarë më shumë se kurrë në jetën tonë, krenarë sepse asnjë komb tjetër, në rrugën e lirisë, nuk ka realizuar ato që kemi realizuar ne në dy dekada. Jemi krenarë se sot, nga vendi më i izoluar i planetit, nga vendi i tretë më i varfër i botës, nga vendi i rrethuar me tela me gjemba, nga vendi i eksodeve biblike, jemi vendi anëtar i NATO-s, jemi vendi qytetarët e të cilit lëvizin të lirë në mbarë Evropën, jemi vendi që ecim të sigurt drejt prosperitetit që meritojmë. Jemi vendi i zgjedhjeve të lira, i shtetit ligjor, i demokracisë që funksionon.
Sistemi i vlerave, sistemi i demokracisë, sistemi i normave dhe i të drejtave, është kryevepra jonë 20 vjeçare. Liria është dhe do të mbetet pasioni i shpirtit tonë.
Qytetarë të Tiranës e mbarë Shqipërisë,
Studentë e studente, të rinj e të reja!
Sot, pas 22 vitesh, të përmbysjes së diktaturës hoxhiste, si në asnjë vend tjetër, bijtë e etërve hoxhistë, pasi pushtuan kreun e PS-së, guxuan të ndërmarrin përmbysjen me dhunë të pushtetit tuaj, të dalë nga vota e lirë. Ata gabuan dhe ne u themi edhe njëherë se, pushtet me dhunë në këtë tokë nuk do të merrni kurrë. Liria dhe mbrojtja e vlerave të saj janë pasioni ynë, janë forca e pathyeshme e Kushtetutës, e ligjeve, e institucioneve të Shqipërisë. Sot, pas 22 vitesh, ata me një verbëri të plotë politike, përdorën pushtetin që u kanë besuar zgjedhësit shqiptarë për t’u ngritur atyre, në rrugën e integrimit, murin e turpit, murin e bllokimit. Por përsëri ata gabojnë. Kësaj radhe gabojnë për të mos mundur të gabojnë kurrë më. Kësaj radhe, me votën tonë, ne do të firmosim fundin e tyre, fundin e merituar. Shqiptarët, në 23 qershor, do të votojnë për integrimin e tyre në Evropë, për liritë e të drejtat e tyre, do të votojnë për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë evropiane.
Ne jemi ndryshimi, ne do të fitojmë. Përpara, përpara, përpara!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Zoti i bekoftë shqiptarët, demokracinë e tyre!
Gëzuar!”
* Përshëndetja e Kryeministrit në sheshin “Demokracia”, në qytetin Studenti, me rastin e 20 shkurtit, ditës së rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, 22 vjet më parë, në Tiranë
...