Kryeministri Berisha: Investimet e mëdha në vend, dëshmi e besimit të madh të sipërmarrësve botërorë ndaj Shqipërisë
- Investimet në zonën e Lezhës, së bashku me fabrikën e çimentos, kapin shifrën 2 miliardë euro, të cilat punësojnë me mijëra qytetarë të Lezhës e Shqipërisë.
Kryeministri Berisha mori pjesë, sot, në inaugurimin e fillimit të punimeve për fabrikën e re të çimentos, në Balldren të Lezhës. Në këtë ceremoni morën pjesë, Ambasadori i Italisë në Tiranë Saba D’elia deputetë të Lezhës, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.
Ambasadori italian, z.D’Elia, vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë janë shumë të veçanta në të gjitha fushat. Veçanërisht, ai theksoi mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik, e cila do të afirmohet në 4 prill me anëtarësimin e vendit në NATO. Duke u ndalur në nivelin e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë, ambasadori italian tha se Italia zë 34 për qind të këtyre shkëmbimeve.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha tha se ky investim është dëshmi e një marrëdhënieje intensive me Italinë mike, dëshmi e një besimi të madh të sipërmarrësve italianë dhe atyre botëror ndaj Shqipërisë, së pari, për përpjekjet e jashtëzakonshme që qeveria ka bërë për krijimin e klimës sa më të favorshme për biznesin. Nga ana tjetër, Kryeministri theksoi se ky është një rezultat i politikave të drejta ekonomike që ka ndjekur kjo qeveri.
Duke vlerësuar rëndësinë e investimeve në fushën e çimentos, Kryeministri tha se Shqipëria, tani dhe në vitet që vijnë, do të jetë kantieri më i fuqishëm i ndërtimeve në Ballkan. “Në këtë vend është një rrjet rrugor i tëri për t’u rindërtuar, janë mbi 400 diga, hidrocentrale të reja për t’u ndërtuar, janë pothuajse qindra kilometra tunele, tashmë jo të kuptimit të vjetër, por tunele për të çarë malet dhe shkurtuar distancat, tunele për të rritur fuqinë energjetike të ujërave tona. Janë me mijëra e mijëra platforma të turbinave të erës, për t’u ndërtuar në kodrat e Balldrenit dhe mbarë vendit”, nënvizoi Kryeministri.
Kjo ngjarje e madhe, vijoi Kryeministri, ndodh në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, anëtarësim i cili do të rrisë në mënyrën të paparë besimin e kombeve të qytetëruara te Shqipëria dhe shqiptarët.
Kryeministri i shprehu Ambasadorit D’Elia, mirënjohjen e madhe për qeverinë dhe vendin mik Italinë, për solidaritetin dhe mbështetjen e madhe që i kanë dhënë gjatë këtyre viteve aspiratave të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe integrim.
Nga ana e tij, Kryetari i komunës Balldren, Gjekë Cali, u shpreh se krahas këtij investimi, kompania Kolacem ka investuar edhe asfaltimin 830 metra linearë rrugë, ka ndërtuar një kopsht për fëmijët në fshatin Gocaj dhe ka akorduar 3 bursa studimi për studentë të familjeve në nevojë. Ai vlerësoi se reforma e ndërmarrë nga qeveria për decentralizimin e pushtetit vendor dhe kalimin e pronave në administrimin e këtij pushteti, i ka dhënë këtij të fundit një rol shumë të rëndësishëm për sa u përket investimeve. Nga vet buxheti i komunës Balldren, theksoi ai, është parashikuar një fond prej 80 milionë lekë, veçanërisht për ndërtime rrugësh.
Gjatë ceremonisë, përfaqësuesit e kompanisë Kolacem falënderuan qeverinë shqiptare për mbështetjen e madhe dhe lehtësitë e krijuara në realizimin e këtij investimi të madh në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
“Sot është një ditë e madhe për Lezhën dhe mbarë Shqipërinë. Në një hark kohor, më pak se 3 muaj nga dita në të cilën u firmos marrëveshja me Kryeministrin e Italisë, z.Silvio Berluskoni, në Tiranë, Kolacem Albania fillon punën për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Balldren.
Kjo është dëshmi e një marrëdhënieje intensive me Italinë mike, është dëshmi e një besimi të madh të sipërmarrësve italianë dhe atyre botëror ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, së pari, për përpjekjet e jashtëzakonshme që qeveria ime ka bërë për krijimin e klimës sa më të favorshme për biznesin. Por nga ana tjetër, dua të theksoj se, ky është një rezultat i politikave të drejta ekonomike që ka ndjekur kjo qeveri, gjë e cila ka bërë që në qiellin tonë të ketë re me shi ose me borë, por të mos ketë re të stuhisë ekonomike evropiane dhe botërore.
Investimi i kompanisë Kolacem prej 200 milionë euro në komunën e Balldrenit është një antidod i shkëlqyer për t’i mbajtur larg ato re nga Shqipëria.
Unë dua të falënderoj me shumë përzemërsi familjen Kolacem, e cila prej vitesh është një nga furnizuesit më kryesor të Shqipërisë me çimento, që ka zgjedhur momentin e duhur për t’u shndërruar në një nga prodhuesit më kryesor të çimentos në Shqipëri, duke u bërë kështu një faktor i rëndësishëm i zhvillimit të këtij vendi. Shqipëria nuk ka thjesht nevojë, por ka uri për çimento, Shqipëria, tani dhe në vitet që vijnë, do të jetë kantieri më i fuqishëm i ndërtimeve në Ballkan, kjo sepse Shqipëria, vetëm 18 vite më parë, trashëgoi bunkerë katër herë më shumë se apartamente, kjo sepse Shqipëria trashëgoi një nga infrastrukturat më të prapambetura të planetit. Ky është një vend i tëri në rindërtim, por ka edhe meritën e madhe sepse kap kohën e humbur dhe vjen në kohën e modernitetit. Shqipërisë do t’i duhen shumë milionë tonë çimento në vit. Në këtë vend është një rrjet rrugor i tëri për t’u rindërtuar, mijëra e mijëra kilometra rrugë, janë mbi 400 diga, hidrocentrale të reja për t’u ndërtuar, janë pothuajse qindra kilometra tunele, tashmë jo të kuptimit të vjetër, por tunele për të çarë malet dhe shkurtuar distancat, tunele për të rritur fuqinë energjetike të ujërave tona. Janë me mijëra e mijëra platforma të turbinave të erës, për t’u ndërtuar në kodrat e Balldrenit dhe mbarë vendit.
Në Shqipëri do të ndërtohen portet më të mëdha të rajonit. Në këtë kontekst, çimenteritë janë jetike dhe të domosdoshme. Por unë, dëshiroj të falënderoj shumë përzemërsisht qeveritarët vendorë të Lezhës, deputetët e saj. Lezha, me shpirtin e hapur të qytetarëve të saj dhe të qeveritarëve vendorë, qëndron në krye të të gjitha rretheve të vendit në tërheqjen e investimeve të huaja. Ju falënderoj me shumë mirënjohje, sepse jam dëshmitar i interesit tuaj të madh për suksesin e këtyre investimeve.
Së shpejti këtu nisnin punimet për vepra të mëdha energjetike në fushën e erës dhe biomasave, kabllo nënujore që lidhin Shqipërinë me Italinë, investime këto që, së bashku me fabrikën e çimentos kapin shifrën 2 miliardë euro, të cilat punësojnë me mijëra e mijëra qytetarë të Lezhës e Shqipërisë. Ju garantoj se, me këtë dëshirë të madhe që kemi për të ndihmuar investitorët e huaj, në vitet që vijnë ju do t’i shumëfishoni këto investime.
Ju keni brigjet më të bukura të vendit për të zhvilluar, ju keni portin që do të shndërrohet në një nga portet më të mëdha të Adriatikut, në funksion të Kosovës. Pasuritë tuaja janë të mëdha, por pasuria juaj më e madhe është shpirti juaj i hapur dhe unë ju falënderoj shumë për këtë..
Kjo ngjarje e madhe për Lezhën dhe Shqipërinë ndodh në prag të aktit më madhor të historisë sonë kombëtare, pas pavarësisë së vendit, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, anëtarësim i cili do të rrisë besimin e kombeve të qytetëruara te Shqipëria dhe shqiptarët, anëtarësim i cili rrit përgjegjësinë tonë për të qëndruar në lartësinë e këtij besimi.
I nderuar ambasador D’Elia! Vendi juaj, qeveria juaj, qeveritarët e vendit tuaj, gjatë këtyre viteve u kanë dëshmuar shqiptarëve solidaritetin më të madh miqësor, njerëzor dhe të gjithanshëm. Italia mike ka qenë një avokat i shkëlqyer i aspiratave të shqiptarëve për liri, dinjitet dhe integrim. Ndaj, shfrytëzoj rastin për të shprehur mirënjohjen ndaj jush, qeverisë suaj dhe vendit tuaj mik.
Faleminderit!”
30/03/2009