E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Platforma jonë mbetet vazhdimi i reformave dhe premtimet e mbajtura

Kryeministri Berisha morri pjesë, sot, në inaugurimin e përfundimit të punimeve për rrugën Paskuqan 2 – Shkolla e mesme, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë 67 milion lekë. I pranishëm në inaugurim ishte Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi, deputetë të zonës, përfaqësues të pushtetit vendor, etj. 

Kryeministri Berisha uroi së pari qytetarët e Paskuqanit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e konsideruar këtë aktin më madhor të historisë sonë kombëtare, pas shpalljes së pavarësisë.

Më tej, Kryeministri vlerësoi rëndësinë e unazës së re për qarkullimin dhe zhvillimin e gjithë kësaj zone. Duke sjellë në vëmendje investimet në këtë zonë, Kryeministri tha se  qeveria ka investuar dhe po investon në: ujësjellësi Paskuqan 1 dhe 2, 89 milion lekë. Ujësjellësi Paskuqan 2 – vresht, 98 milion lekë, rruga Babru – Paskuqan 2, 99 milion lekë, rruga Babrru - qendër te kafeja e Rremës, 55 milion lekë, rruga Paskuqan 2 – Institut, 82 milion lekë.  Unaza e Paskuqanit, Paskuqan 1, Paskuqan 2 – Babru, 220 milion lekë, rruga  Ura-Paskuqan 1, Paskuqan –Qendër 10 milion lekë. Poliklinika e specialiteteve 28 milion lekë, ambulanca 3 milion lekë, shkolla e mesme në Paskuqan 2 130 milion lekë, shkolla në Babru 92 milion lekë”.

Duke iu referuar qëndrimit të opozitës për reformat e qeverisë, Kryeministri theksoi: “Ne po ecim drejt një mandati të dytë, ndërkohë që sot ka dy platforma; njëra platformë bazohet në fjalë boshe, bazohet në trillime, bazohet në nihilizma. Platforma e vetme e tyre është të mohojnë reformat, ne rrisim rrogat, ndërsa ata thonë se nuk janë rritur, ne garantojmë furnizime me energji, ndërsa ata fikin dritat për të treguar se nuk kanë energji. Ne rrisim pensionet, ndërsa ata deklarojnë se nuk po rriten, ne po anëtarësohemi në NATO, ndërsa ata thonë se nuk ka ndryshim. Atëherë, me lejoni të deklaroj përpara jush se fjalët e mia do të jenë rrugë, se fjalët e mia do të jenë ura, shkolla, pallate sportive, universitete, se fjalët e mia do të jenë integrim në NATO, do të jenë rritje rrogash, do të jenë rritje pensionesh.”

Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Para së gjithash dua t’ju përshëndes përzemërsisht, të ndaj me ju, qytetar dhe qytetare të Paskuqanit dhe mbarë Shqipërisë, gëzimin e madh të aktit më madhor të historisë sonë kombëtare pas shpalljes së pavarësisë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Sot në komunën tuaj, në inauguruam fillimin e punimeve të unazës së Paskuqanit prej 6 kilometrash, unazë e cila i jep lehtësira të mëdha lëvizjes dhe qarkullimit, tregut dhe zhvillimit në bashkinë tuaj. Sot ne, inauguruam këtu së bashku për fillimet e punimeve për rrugën e re të standardeve më te mira me trotuare e cila shndërron këtë lagje në një lagje qyteti të vërtetë.

Unë, jam sot këtu për tu zotuar, se kjo qeveri, e cila në katër vite, ka investuar për urbanizimin e komunës suaj 1 miliard e 734 milion lekë, kundrejt vetëm 5 milion lekë të investuar në 8 vite për dy këmbë të urës së Babrusë. Qeveria ka investuar dhe po investon, ujësjellësi Paskuqanit 1 dhe 2 89 milion lekë. Ujësjellësi Paskuqan 2 vresht 98 milion lekë, rruga Babru – Paskuqan 2 99 milion lekë, rruga Babru qendër te kafeja e Remës 55 milion lekë, rruga Paskuqan 2 – Institut 82 milion lekë.  Unaza e Paskuqanit, Paskuqan 1, Paskuqan 2 – Babru 220 milion lekë, rruga  Ura-Paskuqan 1, Paskuqan –Qendër 10 milion lekë. Poliklinika e specialiteteve 28 milion lekë, ambulanca 3 milion lekë, shkolla e mesme në Paskuqan 2 130 milion lekë, shkolla në Babru 92 milion lekë.

Pra, kjo qeveri është e vendosur që të investojë në territorin tuaj, deri sa çdo rrugë, çdo rrugicë, çdo derë të jetë e asfaltuar dhe të ketë dalje në rrugë të asfaltuar. 
Gjatë këtyre katër viteve në Paskuqan janë asfaltuar 14 km rrugë, ju garantojë se këto janë tre herë më shumë se në qytetin e Tiranës.

Zonja dhe zotërinj,

Sot unë preva shiritin bashkë me qeveritarët tuaj vendorë, të unazës 6 km të Paskuqanit. Ju garantojë ju, qytetarët e Tiranës, se do të doja shumë të prisja edhe aty, bashkë me kryetarin e bashkisë së Tiranës, inaugurimin e punimeve të unazës së kryeqytetit të vendit.

Por, kryetari i Tiranës, mbi interesat e qytetarëve, mbi interesat e komunitetit, mbi interesat e kryeqytetit, vendos kredon e tij te sëmurë dhe nuk na dorëzon projektin, sepse ne jemi të gatshëm ta financojmë atë sado që të kushtojë.

Të dashur qytetar dhe qytetare të Paskuqanit,

Brenda katër ditëve nis rikonstruksioni i plotë i urës qe ju lidh me Tiranën, dhe brenda dy muajve nisin punimet për aksin gjatësor , qe lidh Tujanin dhe Laprakën, dhe një seri urash, të cilat do të lidhin ju me kryeqytetin.

Z. Kryetar i Bashkisë, duhet të ndihesh krenar me këta banorë, këta qytetarë, të cilët e kanë qëndisur Paskuqanin me vilat më të bukura, dokumentet e të cilave përfundojnë tërësisht për legalizim dhe po gëzojnë gjithë qytetarët e Paskuqanit, që po shkojnë të marrin tapitë e vilave të tyre.

Atë që kanë bërë këta qytetarë nuk e ka bërë asnjë qeveri, vështroni çfarë vila dhe shtëpi të bukura kanë ndërtuar. Ne së bashku duhet të ndërtojmë këtu në Paskuqan, qendrat më të mira sportive, qendrat më të mira kulturore.
Atëherë  ti do të gjesh sheshet, qeveria do të gjejë financat. Ne absolutisht do të bëjmë që ju të jeni një nga lagjet më të zhvilluara të kryeqytetit të vendit. 

Të dashur qytetar dhe qytetare të Paskuqanit,

Ne po ecim drejt një mandati të dytë, sot ka dy platforma njëra platformë bazohet në fjalë boshe, bazohet në trillime,  bazohet në nihilizma. Platforma e vetme e tyre është të mohojnë, ne rrisim rrogat, ata thonë nuk janë rritur, ne garantojmë furnizime me energji, ata fikin dritat për të treguar se nuk kanë energji. Ne rrisim pensionet, ata deklarojnë se nuk po rriten, ne po anëtarësohemi në NATO, ata thonë se nuk ka ndryshim. Atëherë, me lejoni të deklaroj përpara jush se fjalët e mia do të jenë rrugë, se fjalët e mia do të jenë ura, se fjalët e mia do të jenë shkolla, se fjalët e mia do të jenë pallate sportive, se fjalët e mia do të jenë universitete, se fjalët e mia do të jenë integrim në NATO, se fjalët e mia do të jenë rritje rrogash, se fjalët e mia do të jenë rritje pensionesh.

Kjo mbetet platforma ime, për ju dhe mbarë shqiptarët, ata le të vazhdojnë të trillojnë, le të vazhdojnë të mohojnë, lë të vazhdojnë të vajtojnë. Ne do fitojmë”.   


28/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›