E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha bën një vizitë në banesën e neurologut të mirënjohur vlonjat, Kosta Koçi, i cili u plagos pak kohë më parë

Gjatë vizitës në qytetin e Vlorës, Kryeministri Berisha  u ndal  në banesën e neurologut të mirënjohur të këtij qytetit, zoti Kosta Koçi, për t’u takuar me të dhe familjen e tij, si dhe për t’u interesuar mbi gjendjen shëndetsore të mjekut Kosta Koçi, pas aktit të shëmtuar kriminal të plagosjes së tij, disa kohë më parë.

Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që mjeku Koçi e kaloi rrezikun për jetën dhe po shkon drejt shërimit, duke falënderuar stafin e mjekëve të Vlorës per punën e shkëlqyer qe bënë, për të shpëtuar jetën e zotit Koçi, pas aktit kriminal të dhunës se ushtruar ndaj tij.

Kryeministri Berisha e siguroi Neurologun Kosta Koçi se organet përkatëse do të bëjnë ç’është e mundur për të çuar përpara drejtësisë autorin e krimit.

Duke shprehur vlerësimet më të larta për profilin e Neurologut të shquar si mjek, si intelektual dhe si qytetar, Kryeministri Berisha tha: “Kosta Koçi është një nga mjekët më të shquar të vendit tonë, është një njëri i shkëlqyer, një specialist shumë i mirë, një mjek dhe një studiues model për përkushtimin dhe për ndershmërinë e tij. Ne kemi punuar së bashku dhe kemi bashkëpunuar veçanërisht në studimin shkencore dhe në fushën e eksperimenteve shkencore në mjekësi. Kosta është një nga njerëzit dhe miqtë më të përkushtuar që unë kam njohur, është një njeri që ka mbi gjithçka një integritet të shkallës më të lartë. Mendoj se ka qenë vërtet një fat shumë i madh që kjo situatë e rëndë u kapërcye.”


18/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›