E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ju ftoj ta konsideroni Shqipërinë një vend me potenciale të jashtëzakonshme për investime

Fjala e kryeministrit Berisha në Forumin e Crans Montana-s për Azerbajxhanin

-          Kryeministri Berisha fton investitorët  e huaj ta konsiderojnë Shqipërinë një vend ku investimet e tyre do të gjejnë të gjithë klimën e përshtatshme për tu shndërruar në histori të vërteta suksesi.

Kryeministri Berisha i cili ndodhet në Bruksel, mori pjesë paraditen e sotme në  hapjen e punimeve te Forumit të Crans Montana-s për Azerbajxhanin, ku mbajti edhe një fjalë përshëndetëse.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha prezantoi potencialet e mëdha që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, duke u ndalur veçanërisht në fushën e turizmit, të energjisë dhe burimet minerare.

Kryeministri siguroi se me arritjet e qeverisë shqiptare, në drejtim të krijimit të një klime sa më favorshme për biznesin dhe me masat  e ndërmarra në vazhdimësi për lehtësimin e tij, investimet në këtë vend do të jenë  histori të vërteta suksesi.

Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

Është një kënaqësi për mua t’i drejtohem këtij forumi të shquar dhe të prezantoj Shqipërinë.

Shqipëria është një vend i vogël, me një të kaluar të vështirë, por në të njëjtën kohë vendi im është një vend me potenciale të jashtëzakonshme për të gjithë ju, për të gjithë investitorët nga e gjithë bota.

Përpara 18 vitesh, Shqipëria kishte  të ardhura mesatare prej 204 dollarësh për frymë, sot të ardhurat mesatare shkojnë në 7400 dollarë për frymë. Paga mesatare e cila ishte rreth 6 dollarë në muaj, tani mesatarisht shkon në 520 dollarë në muaj.

Është një nga të paktat ekonomi që nuk ra në recesion dhe kjo nuk ndodhi sepse nuk është pjesë e ekonomisë globale, një ekonomi e vogël është hiperglobale, por sepse modeli i ekonomisë sonë funksionon. Përpjekjet tona për zhvillim të qëndrueshëm të vendit, përpjekjet tona për të bërë realitet një ëndërr të madhe, ëndrrën më të mirë të çdo shqiptari për ta bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar, po realizohen. 

Shqipëria në vetvete është një Norvegji e vogël në Ballkan që do të thotë një vend shumë i pasur me ujëra. Ne vendin tim do të ndërtohen 443 stacione hidroenergjie falë një ligji shumë të mirë. Janë nënshkruar 220 kontrata me 220 investitorë privatë, 36 stacione hidroenergjie janë në  ndërtim e sipër. Një prej tyre është projekti më i madh në Evropë, i cili po realizohet nga kompania EVN e Austrisë dhe Statkraft e Norvegjisë.

Shqipëria ka të gjitha mundësitë për tu bërë një superfuqi e vogël rajonale për energjinë e gjelbër. Prandaj, shumë përzemërsisht ftoj investitorët të konsiderojnë investimin në fushën e  energjisë, në vendin tim. Duke qenë vendi më perëndimor i Ballkanit, Shqipëria përbën gjithashtu trajektoren me fizibël për të gjithë gazsjellësit. Prandaj, sëbashku me mikun tim, Presidentin Aliyev, po presim për të bërë realitet, projektin më fizibël të gazsjellësit, atë të Trans-Adriatikut, një projekt më i shkurtër, më i shpejtë për tu ndërtuar dhe që pa dyshim ka një të ardhme të madhe. Përveç kësaj Shqipëria është një vend me burime të mëdha nafte, ka rreth 6 miliardë fuçi depozita nafte.

Ne jemi duke punuar ngushtë me qeverinë e Katarit dhe unë besoj se Shqipëria do të bëhet një qendër e madhe e shpërndarjes së energjisë në rajon. Shqipëria ka platforma ere, të cilat kanë tërhequr interesin gjithmonë e në rritje të investitorëve të huaj.

Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik. Ajo ka bregdetin më të mirë. Ju mund të gjeni Zvicrën pranë detit, Shqipëria ka lartësinë mesatare mbi nivelin e detit, më të madhe ne Evropë. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për të zhvilluar dhe turizmi është duke lulëzuar. Në vitin 2005 Shqipëria u vizitua nga 300 mijë turistë, ndërsa vitin e kaluar 3.5 milion turistë vizituan këtë vend dhe për këtë vit Shqipëria është shpallur nga disa agjenci botërore udhëtimi, si vend i parë për tu vizituar.

Unë jam thellësisht i bindur se askush nuk do të humbasë para, duke investuar në vendin tim dhe gjithashtu duhet marrë në konsideratë investimi në zonat malore, ku investitorët, për çdo lloj projekti, për tetë vite do të jenë pa taksa.

Shqipëria ka burime të jashtëzakonshme minerale dhe natyrale, vendi është një vend nafte. Nafta në Shqipëri është në një fazë, ku të dhënat e fundit tregojnë se Marinza është një nga fushat më të mëdha të naftës në Evropë.

Por, Shqipëria është gjithashtu e njohur botërisht për kromin, bakrin, nikelin, kjo është një arsye tjetër pse kompani nga e gjithë bota po tregojnë interes të madh për vendin.

Zonja dhe zotërinj,

Burimet natyrale nuk ishin arsyeja pse ne i shpëtuam recesionit ekonomik. Ne shpëtuam nga recesioni ekonomik falë modelit tonë ekonomik. Modeli ynë ekonomik bazohet në politikat e taksave të ulëta, ne jemi vendi me barrën fiskale më të ulët në Evropë. Modeli ynë ekonomik funksionoi sepse ne kemi administratën më të vogël, sektori ynë publik është sa gjysma e fqinjëve tanë.  Ne gjithashtu jemi investitorë të mëdhenj, ne po përpiqemi që në dy vite 10% e GDP të shkojë për sistemin rrugor. Deri tani  kemi ndërtuar më shumë se 8000 kilometra rrugë.

Përveç kësaj, klima e biznesit është shumë e favorshme. Ne kemi ecur përpara përsa i  përket regjistrimit të biznesit, kemi ecur përpara përsa i përket investimeve.

Këta faktorë, të gjithë sëbashku e bëjnë vendin tim shumë të favorshëm për investitorët. Prandaj dua ta mbyll duke ju ftuar të gjithëve ju, të konsideroni seriozisht investimin në vendin tim. Ju siguroj se ka për të qenë një histori suksesi.


23/06/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›