Kryeministri Berisha takon në Bruksel, Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev
Kryeministri Berisha, i cili sot paradite mori pjesë në Forumin e Crans Montana-s për Azerbajxhanin, në Bruksel, u takua me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev.
Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për këtë takim dhe për zhvillimet pozitive në marrëdhëniet dypalëshe. Kryeministri theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve, në të gjitha fushat me interes reciprok. Kryeministri u shpreh se investimet azere janë mirëpritura dhe nënvizoi sektoret që janë me interes për këto investime, si energjitika, turizmi etj..
Nga ana e tij, Presidenti Aliyev shprehu gjithashtu kënaqësinë për zhvillimet në marrëdhëniet dypalëshe dhe mbështeti fuqimisht zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Presidenti Aliyev, gjithashtu, shprehu interesin për të eksploruar fushat me interes për investimet e Azerbajxhanit në Shqipëri dhe shprehu gatishmërinë për të dërguar një mision të posaçëm për këtë qëllim.
Ne takim u diskutua edhe për zhvillimet në lidhje me gazsjellësin TransAdriatik, ku të dyja palët mbështetën zhvillimin e këtij projekti si një projekt me interes jo vetëm reciprok, por edhe ndërkombëtar.
Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin Aliyev të vizitojë Shqipërinë, ftesë që u prit me kënaqësi nga Presidenti Aliyev, i cili, nga ana e tij, ftoi Kryeministrin Berisha në Azerbajxhan. Të dy bashkëbiseduesit theksuan se vizitat reciproke do të jenë një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
23/06/2011