Kryeministri Berisha: Kampionati i Vrapimit në Mal le të shërbejë si një ftesë për turistët nga mbarë bota për të vizituar bukuritë, pasuritë dhe mikpritjen e maleve tona
Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në ceremoninë e hapjes së Kampionatit të 27-të Botëror të Vrapimit në Mal, në Pallatin e Kongreseve. Ky aktivitet, i organizuar nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit, sjell në Shqipëri rreth 400 atletë nga 5 kontinentet e botës, për të vrapuar së bashku në një garë paqeje, duke e kthyer një aktivitet kulturor - sportiv në një ngjarje që do të shpalosë vlerat qytetare e turistike të vendit. Aktiviteti do të organizohet tek Kodrat e Liqenit , në Tiranë.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së kampionatit ishin Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Aldo Bumçi, z. Bruno Gosalino, President i Federatës Botërore të Vrapimit në Mal, z. Otto Klappert, Komisar përfaqësues i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, z. Gjergj Ruli, President i Federatës Shqiptare të Atletikës, sportistë të njohur, zyrtarë, pjesëmarrës në Kampionat, etj.
Në shenjë simbolike, z. Bruno Gosalino, President i Federatës Botërore të Vrapimit në Mal, i dorëzoi Kryeministrit Berisha Medaljen e Arit si Kampion i Vrapimit, duke vlerësuar kontributin dhe punën e Kryeministrit, veçanërisht në drejtim të promovimit dhe nxitjes së turizmit malor në Shqipëri. Kryeministri falënderoi z. Gosalino për këtë çmim, duke u shprehur: “Është një nder shumë i madh për mua. Ndonëse unë nuk kam qenë asnjëherë sportist i federuar, por mendoj se shumë pak nga ju, kanë vrapuar dhe ecur nëpër male më shumë se ç'kam vrapuar unë. Malet janë jeta ime, zemra ime, shpirti im, në të gjithë rininë time."
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha vlerësoi se zhvillimi i këtij kampionati në Shqipëri është një ngjarje e madhe për sportin shqiptar, për turizmin malor shqiptar dhe për gjithë vendin dhe kombin.
Shqipëria, theksoi Kryeministri, nuk ka majat më të larta në Evropë, por në njësi sipërfaqeje, ajo ka malet më të shumta, male të cilat në kreshtat, ujëvarat, luginat, lëndinat e pyjet e tyre, fshehin bukuritë më mahnitëse të këtij kontinenti, pasuritë malore më të mëdha. Këto male presin t’u dëshmojnë vizitorëve bukuritë e tyre mahnitëse, pasuritë e tyre të mëdha, mikpritjen e tyre shembullore.
Duke i uruar suksese zhvillimit të këtij kampionati në Tiranë, Kryeministri shprehu besimin se ky kampionat do të frymëzojë edhe të rinjtë shqiptarë për të njohur më nga afër pasuritë e mëdha të vendit të tyre, për të shfrytëzuar këtë potencial të jashtëzakonshëm të vendit, në interesit më të mirë të formimit të tyre fizik e psikologjik.
Gjithashtu, Kryeministri shprehu besimin se ky kampionat do të shërbejë si një ftesë për turistët nga mbarë bota, për të ardhur dhe për të njohur këto male, male të cilat kanë frymëzuar personalitete të larta botërore në artin e tyre, apo edhe krijimin e legjendave dhe cikleve më të bukura të popujve të Ballkanit.
Realizimi për herë të parë i këtij kampionati në Shqipëri synon përfshirjen e atleteve nga e gjithë bota në një aktivitet masiv, si promocion i turizmit malor të vendit dhe i evidentimit të vlerave të qytetit dhe të njerëzve që bartin këto vlera. Gjithashtu, aktiviteti synon të rrisë vëmendjen e rretheve profesioniste ndaj produktit sportiv në zonat “periferike”, ku Tirana dhe vendi ynë bëjnë pjesë, si dhe të ndërtojë, të zgjerojë dhe të vendosë ura komunikimi me komunitetin e sportistëve brenda dhe jashtë vendit.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:
“I nderuar Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
I nderuar z. Bruno Gosalino, President i Federatës Botërore të Vrapimit në Mal
I nderuar z. Otto Klappert, Komisar përfaqësues i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës,
I nderuar z. Gjergj Ruli, President i Federatës Shqiptare të Atletikës,
Të dashur sportistë e sportiste, miq, të ardhur nga të gjithave kontinentet dhe që jeni mbledhur sot në Shqipëri.
Është një nder e kënaqësi e veçantë për mua t’ju përshëndes ju, zoti Gosalino, zoti Klapert dhe juve, përfaqësues të 32 vendeve të botës, për përzgjedhjen e Shqipërisë, për shndërrimin e Tiranës në kryeqytetin botëror të vrapit në mal këto ditë.
Kjo është një ngjarje e madhe për sportin shqiptar, kjo është një ngjarje e madhe për turizmin malor shqiptar, kjo është një ngjarje e madhe për vendin dhe kombin. Ndaj dua t’ju uroj edhe njëherë mirëseardhjen tonë më të përzemërt.
Ju zhvilloni kampionatin në një vend i cili qëndron në krye të Evropës për lartësinë e tij mesatare. Shqipëria ka lartësinë mesatare më të madhe në këtë kontinent, ajo ka dyfishin e lartësisë mesatare të Evropës, është pra vendi më malor i saj.
Shqipëria nuk ka majat më të larta në Evropë, por në njësi sipërfaqeje, ajo ka malet më të shumta, male të cilat në kreshtat, ujëvarat, luginat, lëndinat e pyjet e tyre, fshehin bukuritë më mahnitëse të këtij kontinenti, pasuritë malore më të mëdha. Malet janë të uritura për eksploratorë si ju dhe mezi presin t’u dëshmojnë vizitorëve bukuritë e tyre mahnitëse, pasuritë e tyre të mëdha, mikpritjen e tyre shembullore.
Duke i uruar suksese zhvillimit të këtij kampionati në Tiranë, uroj që ky kampionat të frymëzojë të rinjtë shqiptarë për të njohur më nga afër pasuritë e mëdha që duhet t’i njohin, për të shfrytëzuar këtë potencial të jashtëzakonshëm të vendit, në interesin më të mirë të formimit të tyre fizik e psikologjik. Asgjë nuk është më frymëzuese, më kalitëse se vrapi në mal, se ecja në mal.
Çdo vit numri i vizitorëve e turistëve që vijnë në malet tona po rritet dhe unë shpresoj që ky kampionat të shërbejë si një ftesë për turistët nga mbarë bota, për turistët nga vendet tuaja, për të ardhur dhe për të njohur këto male. Këto male kanë frymëzuar Bajronin për poemat më të bukura të tij, kanë frymëzuar Eduard Lirin, për tablotë dhe pikturat më të bukura, kanë frymëzuar krijimin e legjendave dhe cikleve më të bukura të popujve të Ballkanit.
Duke përfunduar, ju uroj dhe njëherë suksese dhe shpresoj se sërish do të vendosni që, në të ardhmen, kampionate të tjera të vrapit në mal t’i zhvilloni në vendin më malor të Evropës, në Shqipëri”.
10/09/2011