E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha nderon kujtimin e tribunit të demokracisë Azem Hajdari, në përvjetorin e 13 të rënies së tij

Kryeministri Berisha bëri sot homazhe pranë memorialit të dëshmorit të demokracisë Azem Hajdari, në nderim të kujtimit të tij, 13 vjet pas ekzekutimit kriminal.

Kryeministri tha se Azem Hajdari hyri në historinë  e lirisë së shqiptarëve, si një tribun i pashembullt, në një kohë kur kombi lëngonte nën shtypjen më të egër, duke u shndërruar  me shpejtësi në flamur mbajtësin, në maratonomakun e demokracisë shqiptare.

Kryeministri u shpreh se tashmë projekti i Azem Hajdarit  dhe ëndrra e tij është më reale se kurrë,  pasi Shqipëria po ecën e sigurtë drejt një horizoti të ri, drejt Shqipërisë vend i zhvilluar.

Në nderim të figurës së Azem Hajdarit dhe Besnik Çerës, Kryeministri Berisha u shpreh:

Sot, ne nderojmë kujtimin e ndritur të tribunit legjendar të lirisë se shqiptareve Azem Hajdarit dhe sivllaut te tij Besnik Çerja që më 12 shtator te vitit 98 u ekzekutuan në këtë vend nga falangat terroriste të shtetit të asaj kohe.

Azem Hajdari hyri në historinë  e lirisë së shqiptarëve si një tribun i pashembullt, në një kohë kur kombi lëngonte ndër shtypjen më të egër, kur në tërësi besohej se Shqipëria do të mbetej Kuba e Adriatikut dhe se shqiptarët nuk do të dilnin dot nga regjimi skllavërisë, në të cilin jetonin. Azem Hajdari, studenti i fakultetit juridik së bashku me shoqet dhe shokët e tij u shndërrua, u shfaq në rrugët dhe sheshet e Tiranës si engjëj liberatorë.

Me një guxim dhe trimëri të pashembullt ata u përballën rrugë për rrugë, shesh për shesh, me diktaturën më të egër në  Evropë, e gjunjëzuan atë.

Azem Hajdari do të shndërrohej me shpejtësi në flamur mbajtësin, në maratonomakun e demokracisë shqiptare. Në javët dhe vitet në vazhdim, ai me një energji, guxim dhe trimëri të pashembullt do të vërshonte si uragan në mbarë Shqipërinë, të vriste frikën, e cila kishte penetruar deti në palcë të qytetarëve të këtij vendi të shtypur, tu rikthentre atyre shpresën, guximin dhe besimin tek liria. Azemi dhe studentët çlirimtarë u shpallën nga shqiptarë si engjëjt  e demokracisë së tyre dhe ne të vërtetë ata të tillë ishin. Ata ia dolën me një vetëmohim të madh të shmangnin dhunën dhe bënë që një hark kohor tre mujor, partia e parë opozitare të shndërrohej në forcën kryesore morale të vendit, në parlament dhe në vazhdim, të shënonte në 22 mars të vitit’ 92 një fitore plebishitare.

Në të gjithë përpjekjen e tij të madhe, liria e shqiptarëve ishte pasioni i tij i madh. Liria e shqiptarëve, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo që ndodheshin ata.

Ata, të cilët shkrehën plumbat e zi mbi gjoksin e tij menduan dhe besuan se do të mund të eliminonin kauzën e tij, por gabuan rëndë. Sot, projekti i Azem Hajdarit  ëndrra e tij dhe studenteve liberatorë është më realitet se kurrë. Shqipëria sot është vend anëtar i NATO-s. Shqiptarët sot lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Shqipëria me reformat e saj po ecën e sigurtë drejt një horizonti të ri, drejt Shqipërisë vend i zhvilluar.

Ndaj dhe njëherë dëshiroj ti shpreh ngushëllimet  e mija më të sinqerta, familjes Hajdari, familjes Çera në këtë përvjetor të rënies së tribunit të lirisë dhe sivllaut të tij Besim Çera, të shpreh bindjen se idealet  e lirisë së Azem Hajdarit do të lartësohen gjithnjë e më shumë në këtë vend, në këtë shoqëri.


12/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›