E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha : Do të mbështesim dhe financojmë çdo projekt që ndryshon dhe zhvillon Peqinin dhe komunat e tij

Kryeministri Berisha ishte sot pasdite në qytetin e Peqinit, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit  “Aleanca për Qytetarin”,  zotin Ilir Rrushi.

Kryeministri vlerësoi kandidaturën e zotit Rrushi dhe u shpreh se në 4 vitet që vijnë, qeveria shqiptare do të financojë dhe  do të mbështesë  çdo projekt  të  qytetit të Peqinit, të komunave të Peqinit, për të ndryshuar dhe  për të përmirësuar jetën, infrastrukturën, mirëqenien e familjeve të tyre.

Gjatë fjalës së tij kryeministri tha: 

Të dashur qytetarë dhe qytetare të qytetit të Peqinin.

I nderuar zoti ministër, zotërinj deputetë, qeveritarë vendorë.

Ju përshëndes  vëllazërisht  dhe ju shpreh kënaqësinë  time, që vij sot tek ju për të paraqitur kandidatët e “Aleancës për Qytetarin”.  Kandidatin për kryetar bashkie të qytetit të Peqinit  zotin Ilir Rrushi, për Komunën e Pajovës  zotin Albert   Kreci, për  Komunën Përparim zotin Agim Xhaja,për  Komunën Sheze  Jashar  Tabaku, për  Komunën Gjocaj zotin  Isuf Toli dhe të Komunës  Karinë zotin Reshat Çela.

Sot, jam këtu gjithashtu për tu zotuar solemnisht para jush, se në 4 vitet që vijnë, qeveria shqiptare do të financojë, do të mbështesë  çdo projekt të  qytetit të Peqinit, të komunave të Peqinit, për të ndryshuar, për të përmirësuar jetën  tuaj, infrastrukturën tuaj, mirëqenien e familjeve tuaja, për një Peqin  të zhvilluar.

Zonja dhe zotërinj


Në 5 vitet që shkuan në qarkun e Elbasanit, qeveria ka ndërtuar dhe rindërtuar 400 kilometra rrugë, nga të cilat 60 kilometra në rrethin e Peqinit, rreth në të cilin përveç rrugës kombëtare nuk ka pasur asnjë kilometër rrugë të asfaltuar në komunat e tij.  Sot  në komunat e Peqinit, po ndërtohet një infrastrukturë moderne e njëjtë me qytetin e Peqinit, e njëjtë   me lagjet  e Elbasanit dhe të Tiranës dhe unë ju garantoj ju, se 4 vitet që vijnë ju qytetarët e Peqinit,  banorët e komunave të këtij rrethi, do të keni infrastrukturën më moderne, infrastrukturë të standardeve Europiane.

Katër vitet që shkuan, ne kemi ndërtuar 17 ujësjellësa  dhe kanalizime, ndër të cilat ujësjellësi  prej 2 milion dollarësh i qytetit të Peqinit.  Në katër vitet që vijnë, do të garantojmë ujë për të gjithë banorët e Peqinit kudo që jetojnë.  Në 4 vitet që shkuan, në qarkun e Elbasanit kemi ndërtuar dhe rindërtuar  75 shkolla, në rrethin e Peqinit  18 shkolla dhe ju garantojmë se në katër vitet që vijnë me qeveritarët tuaj vendorë, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë , në mënyrë që fëmijët tuaj të mësojnë në shkollat me nivele dhe standarde Europiane.  Katër vitet që shkuan ne kemi ndërtuar mbi 60 qendra shëndetësore në qarkun e Elbasanit, ndër të cilat 16 në rrethin e Peqinit.  Shërbimi shëndetësor ndaj jush dhe qytetarëve shqiptarë është zotimi ynë solemn.

Janë përfunduar rrugët Pajove-Sheze- Belsh  17 kilometra, Peqin-Ballagat  15 kilometra, janë ndërtuar  7 ura dhe po ndërtohen një seri rrugësh të tjera.  Gjatë katër viteve që vijnë  Peqini, nuk do të ketë asnjë rrugë të pa asfaltuar. Peqini do  të ketë lidhjen e vet direkte  me Tiranën e cila do të kalojë nëpër Baldushk.  Peqini do të ketë lidhjen e vet me Rrogozhinën. Infrastrukturë moderne në të katër anët  e këtij vendi është zotimi ynë. Ne kemi dëshmuar se kemi punuar me përkushtim  të madh në këto vite, me mund dhe djersë, ia kemi dalë ti faktojmë njëri- tjetrit, tu dëshmojmë fëmijëve tanë se ne shndërruam disa nga ëndrrat më të bukura , më fisnike të shqiptarëve në realitet.

Qytetarë dhe qytetare të Peqinit

Me mundin, djersën, punën tuaj  dhe mbarë qytetarët shqiptarë, me reformat e qeverisë shqiptare, sëbashku ia dolëm që Shqipërinë ta bëjmë anëtare të NATO-s nga vendi më i izoluar në Europë.

Me mund, me djersë dhe sakrifica, reforma të thella, besim të madh tek njëri-tjetri, besim të madh tek liria, ne ia dolëm të heqim vizat për shqiptarët, të lëvizim sot të lirë në mbarë Europën.

Me mund, me djersë, me sakrifica, ne ia dolëm që ekonominë, më të falimentuar të Europës, ta shndërrojmë sot në ekonomi që qëndron në krye të rritjes  ekonomike për  Europën.

Sëbashku  ia dolëm të dyfishojmë pensionet e ulëta. Çdo fermer shqiptarë merr sot  110% më shumë sesa merrte  5 vjet më parë.  Çdo punonjës në Shqipëri merr sot, mbi dy herë më shumë sesa merrte  5 vjet më parë.  Sot ekonomia shqiptare është një nga ekonomitë më entuziaste.  Fermerët e Peqinit, fermerët  e Myzeqesë dhe mbarë Shqipërisë , me mundin, djersën dhe përkushtimin e tyre, ia dolën që vitin e kaluar të dyfishojnë eksportet e tyre , ti bëjnë të njohura ato në rajon dhe në mbarë Europën.  Në 5 vitet që shkuan në qarkun e Elbasanit, qeveria subvencionoi  4 mijë hektarë dru frutorë , ullishte, vreshta, mollë dhe dru frutorë të tjerë, nga të cilët rreth 400 hektarë janë vetëm në rrethin e Peqinit. Këtë  vit janë aplikuar dhe kanë fituar të drejtën edhe për  110 hektarë të tjerë.  Zotohem para jush dhe mbarë fermerëve të Peqinit, se katër vitet që vijnë ne do të subvencionojmë  1600 hektarë vetëm në rrethin tuaj.

Qytetarë dhe qytetare të Peqinit

Kjo është alternativa jonë, e mundit e djersës , e nderit dhe dinjitetit.  Alternativë në të cilën ne ia kemi dalë që ëndrrat e mëdha ti shndërrojmë në realitet.  Vetëm nga viti 2005, Shqipëria  si në asnjë vend tjetër në Europë, ka ulur varfërinë me 33%, nga 18% që ishte, në 12 %, nga  viti 2008 Shqipëria është i vetmi vend që ka dyfishuar ndihmën ekonomike.  Krahas kësaj alternative ekziston  dhe ajo e  shpifjes e trillimit e  mashtrimit.
Në këtë shesh jeni qytetarë të moshave të ndryshme, por për të gjithë ata që janë mbi 30 vjeç  nuk e harrojnë kurrë se kur ne me guxim dhe kurajë, me një trimëri dhe vendosmëri të pa shoqe shembëm në Tiranë dhe qytetet e këtij vendi Murin e Berlinit, diktatori i fundit komunist do ti thoshte botës së shqiptarë janë 1 milion të papunë, 1 milion hajdut, 1 milion spiunë, dhe këtë e bënte për të poshtëruar shqiptarët.

Sot pas 20 vitesh, një pinjoll i tyre në krye të Partisë Socialiste zoti Edvin Rama, kalon nga tribuna në tribunë duke bërtitur se Shqipëria ka 1 milion të papunë.  Në një kohë kur vetëm  javën e fundit, Brukseli pohoi se Shqipëria është nga më të paktat vende në Europë, në të cilat edhe në kulmin e krizës papunësia jo vetëm që nuk u rrit, por papunësia u ul dhe kjo është meritë e juaja, kjo është meritë e reformave që mbështetët  ju.

Nuk mund të lë sot pa ju rrëfyer një gjë personale të jetës sime .  Sot është ditëlindja e Muhamedit, ndaj dhe sot duke ju uruar ju këtë datë të shënuar, në historinë e besimit do t’ju rrëfej një gjë shumë të dhimbshme nga jeta ime personale.  Kam lindur në një familje fshatare në Tropojë , prindërit e mi dhe njerëzit e mi, kanë qenë shumë punëtorë.  Punonin në atë tokë në trojet e tyre , prodhonin çdo gjë që mund të prodhohej në atë fshat.  Kishin dhe tepricat e tyre, të cilat si të gjitha prodhimet edhe i shisni.  Erdhi një ditë sikundër edhe në të gjitha fshatrat e Shqipërisë, që ata mbetën me bukë misri, me kripë dhe jo shëllirë  se nuk kishin djathë, me 1 kilogram sheqer dhe 1 kilogram vaj.  Unë herë pas herë shkëputesha  dhe shkoja për ti vizituar, jo prindërit se ata i  kisha me vete, por atje ishin njerëzit e tjerë të mi të dashur  dhe çdo herë që shkoja , do të shkoja nga Tirana në orën 10 të mëngjesit  dhe do të largohesha në orë 11 po të paradites, vetëm e vetëm për të mos i turpëruar dhe sikletosur, sepse në sofrën e tyre, nuk mund të shtrohej gjë tjetër përveçse bukës së misrit, kripës dhe sherbetit me sheqer.

Ata e dinin pse unë largohesha në ora 11 sa herë që shkoja. Por dua t’ju them këtu se nëse mjerimin e qanin me lot të ftohta, rrënimin e besimit, ndalimin e besimit dhe të fesë  njerëzit e mi e qanin me lot të padukshëm  çdo ditë.  Nuk mund të pajtoheshin kurrë sesi diktatori mizor do t’ju merrte atyre rrugën e Zotit për tu ofruar rrugën e tij të vetme, rrugën e Enverit.

Ndaj dhe dua ti them zotit Rama ne në këtë shesh jemi besimtarë të  feve të ndryshme, ka dhe ateistë , dhe kemi tolerancë për të gjitha. Por mirë nuk bën që nxore nga arkiva e zezë e Partisë së Punës rrugën e vetme për të lënduar, ndjenjat e atyre qindra dhe mijërave shqiptarëve, që kur ua ndaloi diktatori Zotin qanin me lot të padukshme çdo ditë, se nuk i luteshin dot atij si duhet.

Ndaj dhe ju ftoj ju, ftoj të gjithë besimtarët shqiptarë, ftoj çdo shqiptarë të ecim në rrugën e Zotit, sepse për çdo njërin prej nesh ka një rrugë në të cilën ne ndërtojmë jetën tonë si qytetarë të lirë, ka një rrugë në të cilën ne jemi arkitekt të jetës sonë, mbrojmë familjet tona, ndërtojmë të ardhmen tonë.

Dhe njëherë ju ftoj me 8 maj të gjithë, të votojnë sëbashku, për ti treguar njëri -tjetrit  se liria, se  vota është  zemra e  lirive tona, se liria është pasioni ynë, se do të respektojmë çdo votë se do të numërojmë me dinjitet çdo votë , për ti treguar edhe atij zotërisë, që u përpoq të fuste vizat tuaja në kuti edhe atij që përdor  besimin e atyre shqiptarëve për të bllokuar dhe jo për të zhvilluar, se ky vend, se këta qytetarë, pavarësisht nga bindjet e tyre, janë qytetarë Europianë, janë të vendosur të ndërtojnë në Peqin, në Tiranë, kudo në Shqipëri Europën dhe të ardhmen e tyre Europiane.

Dhe njëherë ju falënderoj dhe ju uroj 8 majin  ditën e zgjedhjeve të lira, ditën e fitores së shkëlqyer të “Aleancës për Qytetarin”, fitores së qytetarëve, fitores suaj në Peqin dhe në mbarë Shqipërinë.

Faleminderit.


17/04/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›