E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Kongresi i Lushnjës është Kongresi i shpëtimit kombëtar dhe qëndron me dinjitet të madh në krah të Lidhjes së Prizrenit dhe shpalljes së Pavarësisë

Qyteti i Lushnjës nisi kremtimet e vitit të 100 vjetorit të Pavarësisë me përkujtimin e Kongresit të Lushnjës, të mbajtur në këtë qytet më 21 janar të 92 viteve më parë. Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në këtë qytet, ku mori pjesë në ceremonitë festive në nderim të 92 vjetorit të këtij Kongresi, Kongres që vuri themelet e shtetit modern shqiptar.

Ceremonitë festive organizoheshin nga Bashkia Lushnjë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me pjesëmarrjen e trupës së Teatrit të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor. Të pranishëm në këto veprimtari ishin edhe Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z.Aldo Bumci, deputetë të Kuvendit, personalitete të njohura dhe përfaqësues nga familje të shquara që kontribuan në organizimin e Kongresit të Lushnjës, etj.

Fillimisht, Kryeministri Berisha u prit në një takim mirëseardhjeje nga Kryetari i Bashkisë së Lushnjës z. Fatos Tushaj. Kryeministri Berisha shfrytëzoi këtë rast për të uruar gjithë qytetarët e Lushnjës por dhe gjithë shqiptarët gëzuar këtë përkujtimi për Kongresin e Lushnjës “Ne kremtojmë sot 92 vjetorin e kësaj ngjarjeje, e cila për nga rëndësia jetike për shqiptarët, qëndron krahas Lidhjes së Prizrenit dhe shpalljes së Pavarësisë  dhe kjo përbën një nga ngjarjet më themelore në historinë kombëtare të shqiptarëve për të formuar shtetin e tyre”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri nënvizoi se ishte Lushnja ajo që ngriti në këmbë një Shqipëri të shtrirë përdhe, një Shqipëri që ishte parashikuar dhe përcaktuar që të zhdukej nga harta e historisë së Evropës. Në këtë kontekst, theksoi ai, ne e kemi nderuar dhe do ta nderojmë gjithnjë këtë ditë.

* * *

Gjithashtu, në kuadër të ceremonive festive për 92 vjetorin e Kongresit të Lushnjës, Kryeministri Berisha bëri një vizitë në Shtëpinë Muze “Kongresi i Lushnjës” aty ku zhvilloi punimet Kongresi Kombëtar. Kryeministri u shpreh se pasuria kombëtare që gjendet në këtë muze na tregon për madhështinë e kësaj dite, e këtij Kongresi, i cili më shumë se çdo gjë tjetër mund dhe meriton të vlerësohet si Kongresi shpëtimtar i Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Duke folur për mediat  pas kësaj vizite, ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh: 

“Në përpjekjet e shqiptarëve për të ndërtuar shtetin e tyre, Lidhja e Prizrenit, shpallja e Pavarësisë në Vlorë dhe mbajtja e Kongresit të Lushnjës, janë 3 ngjarje të cilat ndoshta nuk do të mund të jetonin dot në memorien e një kombi, pa njëra -tjetrën.

Prandaj ne sot le të shprehim  nderimin tonë më të madh për ata qytetarë të Lushnjës, në radhë të parë, që në një Shqipëri tërësisht të pushtuar, hapën dyert dhe zemrat e tyre, pritën këtu përfaqësuesit më të shquar, më atdhetarë të kombit shqiptar, i mbrojtën ata  dhe u dhanë mundësinë të marrin vendimet historike. Këto vendime bënë që, një Shqipëri e pushtuar nga të katër anët, brenda një kohe të shkurtër të shndërrohet në një Shqipëri të lirë, anëtare të Lidhjes së Kombeve. Ato vendime do të hidhnin bazat  e një shteti modern shqiptar, do t’i jepnin Shqipërisë Tiranën, si kryeqytet asaj. Ndaj edhe kjo ngjarje nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër veçse me Vlorën e Pavarësisë dhe  me Prizrenin e Lidhjes. Natyrisht, po të kthehemi tek Lushnja dhe Kongresi i saj, një nga meritat e jashtëzakonshme të qeverisë së Lushnjës është se ajo themeloi pluralizmin, themeloi de facto dhe de juro, sistemin që ne gëzojmë sot. Protesta është një e drejtë e qytetarëve në çdo vend të lirë.

Këtu në Lushnje ne, së bashku me të gjithë shqiptarët, nderojmë këtë ditë, sepse ky festim, ky nderim, bëhet në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. E vërteta është që ky 100 vjetor është një 100 vjetor vuajtjesh, përpjekjesh, sakrificash, por edhe arritjesh ndër më të jashtëzakonshmet në historinë e një kombi. Ndaj ne vijmë sot shumë mirënjohës ndaj atyre që organizuan Kongresin e Lushnjës, vendimet që ata morën, kontributit historik shpëtimtar që ata dhanë, vijmë shumë mirënjohës ndaj atyre qindra e mijërave shqiptarëve që në këto 100 vite bënë të mundur, me sakrificat e tyre sublime, me punën, mundin, djersën, me gjeninë e tyre krijuese, që shqiptarët të jenë të lirë kudo që ndodhen””, u shpreh Kryeministri.   

* * *

Më pas, Kryeministri Berisha mori pjesë në aktivitetin e organizuar në Qendrën e Kulturës “Vaçe Zela”. Në këtë aktivitet u shprehën nderime për këtë ditë dhe u pasqyruan materiale historike, muzikore e letrare, dedikuar Kongresit të Lushnjës, ndërkohë që Trupa e Operës dhe Baletit dhe Ansambli Popullor perfomuan një program artistik në nderim të 92 vjetorit të këtij Kongresi. 

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi Kongresin e Lushnjës si njërin nga aktet më të rëndësishme, një nga përpjekjet më të mëdha dhe më themelore të shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre të lirë dhe të pavarur. Kongresi i Lushnjës, theksoi Kryeministri, “në çdo analizë që mund t’i bëhet, është Kongresi i Shpëtimit Kombëtar, ndaj dhe ai, për nga rëndësia dhe pesha historike, qëndron me dinjitet të madh krahas Lidhjes së Prizrenit dhe Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë”.

Gjithashtu, Kryeministri theksoi se Kongresi vendosi të mos dorëzojë Shqipërinë, të krijojë një qeveri e cila t’i dalë zot kombit dhe vendit, vendosi në krye të saj një nga burrat më të shquar në historinë e këtij kombi, njeriun që ngjason me shumë, në mençuri, urtësi dhe dije, me Ismail Qemalin, në tërë historinë tonë kombëtare. Ky ishte Sulejman Delvina, atdhetar i flaktë, vizionar i shkëlqyer, diplomat i përmasave ndërkombëtare.

Kryeministri Berisha shprehu nderimin më të madh për ata qytetarë patriotë të Lushnjës që mirëpritën dhe u krijuan mundësinë personalitete të kombit të organizonin Kongresin në këtë qytet, si dhe për të gjithë ata burra shteti që ndërmorën ato vendime të guximshme që ndryshuan të ardhmen e kombit. “Nderimi më i madh që ne u bëjmë këtyre burrave, që u bëjmë sot qytetarëve të Lushnjës për sakrificën e tyre, është të lartësojmë gjithnjë e më shumë vlerat e sistemit tonë demokratik, të ecim gjithnjë e më të sigurt në procesin e integrimit tonë në Evropë”, tha Kryeministri.

Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh: 

Zonja kryetare e parlamentit,

Zotërinj ministra,

Zoti kryetar i bashkisë Lushnjë

 Zotërinj deputetë

Të dashur qytetarë të Lushnjës

Vëllezër e motra, zonja e zotërinj!

Sot në këtë sallë, së bashku, por edhe me të gjithë qytetarët e Lushnjës, me të gjithë shqiptarë kudo që jetojnë sot, ne nderojmë, kremtojmë, një nga ngjarjet më madhore të historisë sonë kombëtare, njërin nga aktet më të rëndësishme, një nga përpjekjet më të mëdha dhe më themelore të shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre të lirë dhe të pavarur. Kongresi i Lushnjës, në çdo analizë që mund t’i bëhet, është Kongresi i Shpëtimit Kombëtar, ndaj dhe ai, për nga rëndësia dhe pesha historike, qëndron me dinjitet të madh krahas Lidhjes së Prizrenit dhe Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë. Këto tre ngjarje janë të lidhura aq ngushtë njëra me tjetrin saqë, pa njëra tjetrën, do t’i kishte mbuluar pluhuri i harresës në histori.

Ky Kongres është një homazh i madh për gjyshërit tuaj, qytetarë të Lushnjës, sepse ata vepruan në një moment nga më të vështirët në historinë kombëtare, në një moment kur Fuqitë e Mëdha kishin vendosur fshirjen nga hartat politike e Evropës, të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar, në një moment kur aventurierë dhe grupe aventurierësh shqiptarë ndërmerrnin, brenda dhe jashtë vendit, veprime në interes të kundërt me atë të vendit dhe kombit të tyre. Dukej se Shqipëria nuk do të ekzistonte, se shqiptarët që 8 vite më parë kishin shpallur Pavarësinë, nuk do të mund të ndërtonin shtetin e tyre dhe, për rrjedhojë, nuk e meritonin atë. Por kësaj nuk i besonin qytetarët e Lushnjës, të cilët hapën dyert dhe zemrat e tyre, u bënë djepi i lirisë së Kombit dhe pritën personalitetet e tij më të shquara, të cilët erdhën këtu për të bërë një betim: do ta bëjmë Shqipërinë, do të bëjmë shtetin shqiptar!.

Ata që besojnë dhe lexojnë historinë nuk do të gjejnë kurrë në historinë e këtij kombi, një kohë tjetër, në të cilën brenda 8-9 muajve, një qeveri të ketë bërë më shumë sesa qeveria e shpëtimit kombëtar që u themelua këtu në Lushnjë. Kongresi vendosi të mos dorëzojë Shqipërinë, të krijojë një qeveri e cila t’i dalë zot kombit dhe vendit, vendosi në krye të saj një nga burrat më të shquar në historinë e këtij kombi, me të vërtetë njeriun që ngjason me shumë, në mençuri, urtësi dhe dije, me Ismail Qemalin, në tërë historinë tonë kombëtare. Ky ishte Sulejman Delvina, atdhetar i flaktë, vizionar i shkëlqyer, diplomat i përmasave ndërkombëtare. Sulejman Delvina mori në kabinetin e tij ata të cilët i rezistuan të gjitha përplasjeve historike të atyre viteve; Ahmet Zogun si ministër të Brendshëm, këtë burrë të pashembullt në historinë  këtij kombi, në pasionin e tij për ndërtimin e shtetit; Mehmet Konicën si ministër të Jashtëm, këtë diplomat të shkëlqyer,  Sotir Peçin;  ministrin më të mirë të Arsimit ndoshta të të gjitha kohërave që kanë pasur shqiptarët, burrin që do të themelonte këtu në Lushnjë arsimin kombëtar; Ndoc Çobën që do të bënte shtetin me monedhën e tij dhe do të ndërtonte financat që nuk ekzistonin. Eshref Frashërin që do të shtrinte shërbimin e postës në mbarë vendin. Ali Riza Kolonja, që do të ndërtonte ushtrinë e parë të vërtetë shqiptare.

Kongresi i Lushnjës miratoi Kushtetutën e parë, në të cilën vendosën si themel, sistemin e demokracisë perëndimore, shpalli Shqipërinë Republikë dhe 25 janarin si ditën e Republikës. Qeveria e Sulejman Delvinës, në një hark kohor të shkurtër, u vendos në Tiranë, pasi Kongresi vendosi Tiranën si kryeqytet të vendit. Me të gjitha mënyrat diplomatike, por edhe me rezistencë, ai nxori nga pushtimi, një nga një, territoret shqiptare. Nuk i shpalli luftë Italisë imperialiste, por u shndërrua në faktor kryesor në  largimin e saj nga  Vlora, vendosi një bashkëpunim të shkëlqyer me Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare, u shndërrua në një mbështetje të madhe të luftëtarëve të lirisë dhe faktikisht, në fund të gushtit, Shqipëria u ngrit në këmbë.

Kongresi i Lushnjës ishte Kongresi i pluralizmit shqiptar. Qeveria e Sulejman Delvinës ia doli që, me vendimet e saj, me qëndrimet e saj, me reformat që ndërmori në të gjitha fushat, të anëtarësojë Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. Të gjitha këto dhe shumë reforma të tjera të rëndësishme, në drejtësi e në çdo fushë, u realizuan në një kohë shumë të shkurtër. Ne përulemi sot me nderimin më të madh, sepse ajo që bëjmë ne sot, nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi i rrugës së tyre.

 Të dashur qytetarë të Lushnjës!

Jam i emocionuar, por edhe i gëzuar, që këtu ne sot kemi përfaqësues, pasardhës të atyre familjeve të cilat patën rol kryesor në Kongresin e Lushnjës. Ndaj dua të shpreh një nderim shumë të madh për familjen Sefa  dhe të atyre 28 familjeve e Komisionit nismëtar. Pa burrërinë, trimërinë, guximin e tyre, Kongresi nuk do të mund të mblidhej. Kombi u detyrohet shumë dhe shpreh një mirënjohje të madhe ndaj jush.

Dy ditë më parë, në ato qindra sms që marr në ditë, mora një sms nga një qytetar i këtij vendi, i cili më thoshte; zoti Kryeministër unë jam djali i vajzës së Sulejman Delvinës. I dërgova përshëndetje të përzemërta, por nga kjo tribunë dua t’i shpreh nderimin më të madh familjes Delvina dhe dua të theksoj se Sulejman Delvina bën krenar çdo shqiptar. Ai ishte në historinë e këtij vendi njëri nga shtetarët më vizionar, më të vendosur, më të urtë. Mund të lexosh e rilexosh për të dhe sa më shumë ta bësh këtë gjë për këtë personalitet, aq më shumë të frymëzon, aq më shumë ndihesh krenar me të.

Këtu para meje kam një pasardhës të imzot Luigj Bumçit. Rastësia bëri që ai sot është Ministër i Kulturës dhe e ka me meritë këtë detyre. Ndaj unë kam shumë kënaqësi dhe dua t’i shpreh nderimin tim më të madh familjes Bumçi. Së bashku me ne këtu sot, është Kryetarja e Parlamentit, pasardhëse e Ndoc Çobës. Zonja kryetare, të gjithë u detyrohemi paraardhësve. Ndoc Çobës i detyrohen të gjithë shqiptarët kurse ti i detyrohesh atij për pasionin për politikën dhe duhet të jesh krenare për të.  Këtu është Drejtoresha e Arkivës së Shtetit, mbesa e Hoxha Kadrisë, ministrit të Drejtësisë së qeverisë së Lushnjës, një përpjekje e këtij burri të madh për çështjen kombëtare.  Kemi këtu Princin Leka I, gjyshit të të cilit shqiptarët i detyrojnë ekzistencën e shtetit të tyre dhe ndërtimin e një shteti në frymën dhe vokacionit perëndimor.

Ndaj duke shprehur edhe njëherë nderimin tonë më të madh për ata që organizuan Kongresin e Lushnjës, le të zotohemi sot këtu se do të bëjmë gjithçka që të forcojmë e lartësojmë ato themele të cilat u hodhën këtu në Lushnjë. Nderimi më i madh që ne u bëjmë këtyre burrave, që u bëjmë sot qytetarëve të Lushnjës për sakrificën e tyre, është të lartësojmë gjithnjë e më shumë vlerat e sistemit tonë demokratik, të ecim gjithnjë e më të sigurt në procesin e integrimit tonë në Evropë. Ajo që të impresionon më shumë te figura e Sulejman Delvinës janë shkrimet e tij për Evropën, për Evropën e cila në atë kohë Shqipërinë e tij të dashur e kishte copëtuar. Megjithatë, pasi e ngriti në këmbë, ky burrë i madh bëri çdo gjë për të vendosur marrëdhëniet më të shkëlqyera me Evropën, pasi e ngriti në këmbë Shqipërinë, e orientoi atë me të gjithë mençurinë e tij drejt mikut më të madh të kombit shqiptar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndaj le të ecim në këtë rrugë dhe ta kemi për krenari të madhe që kemi këtë trashëgimi, të nderojmë ata që e themeluan një shtet demokratik bazuar në pluralizmin.

 Nder për jetë qytetarëve të Lushnjës dhe atyre që e organizuan Kongresin në këtë qytet”.


21/01/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›