Kryeministri takon Kryetarin e Klubit të Biznesit francezo-shqiptar z. Julien Roche dhe Drejtorin Ekzekutiv të Societe General në Shqipëri, z.Hubert de Saint Jean
Kryeministri Berisha priti në një takim Kryetarin e Klubit të Biznesit francezo-shqiptar, z. Julien Roche dhe Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Societe General në Shqipëri, z.Hubert de Saint Jean.
Të dy përfaqësuesit e lartë i prezantuan Kryeministrit Berisha Klubin e Biznesit francezo-shqiptar të sapo krijuar në Francë, të mbështetur edhe nga Ministria e Ekonomisë franceze, bankat dhe sistemi financiar francez. Ky Klub është guri i themelit të Dhomës së ardhshme të Tregtisë francezo shqiptare.
Gjithashtu, z. Julien Roche dhe z. Hubert de Saint Jean i prezantuan Kryeministrit programin e kësaj organizate, duke theksuar se krijimi i saj është produkt i interesit të madh të biznesit francez ndaj Shqipërisë dhe, sidomos, i biznesit të madh francez, ndërkombëtar. Në këtë organizatë janë anëtarësuar shumë biznese që po fillojnë studime dhe projekte investimi në Shqipëri, si një vend me potenciale të mëdha zhvillimi dhe stabilitet ekonomik e klimë shumë të favorshme biznesi, në këtë kohë të vështirë krize ekonomike botërore.
Ata e ftuan Kryeministrin Berisha në ceremoninë e hapjes të kësaj organizate ekonomike, e cila do të forcojë lidhjen e biznesit francez me biznesin shqiptar dhe do të orientojë e mbështesë një sërë projektesh investimi franceze në Shqipëri.
Kryeministri i përgëzoi dhe falënderoi ata për këtë iniciativë shumë të dobishme që i shtohet intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike midis Francës dhe Shqipërisë. Ai i vlerësoi këto iniciativa si promovuese për tërheqjen e investimeve të huaja në Shqipëri.
Kryeministri garantoi mbështetjen pa rezerva të qeverisë së tij, për të drejtuar me sukses projektet franceze në fusha shumë të rëndësishme dhe strategjike, edhe për qeverinë shqiptare.
20/01/2012