Kryeministri Berisha përshëndet takimin e Shoqatës së Investitorëve të Huaj të Shqipëri (FIAA)

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot pasdite në takimin e Shoqatës së Investitorëve të Huaj të Shqipëri (FIAA), organizuar me rastin e fillimit të aktivitetit për vitin 2012.
Duke i uruar të pranishmëve Vitin e Ri, Kryeministri Berisha shprehu bindjen se “të gjithë ne së bashku, vitin 2012 do ta kthejmë në një vit të suksesshëm. Ne do e mbajmë atë si vitin e rritjes ekonomike, të zhvillimit të mëtejshëm të këtij vendi”.
Më tej, Kryeministri Berisha tha vendi po renditet gjithnjë e më lartë në axhendën e kompanive të mëdha në çështjet e energjisë së rinovueshme, ndaj dhe i ftoi investitorët t’i shohin me shumë interes këto fusha dhe të marrin pjesë në këto përpjekje, për ta kthyer Shqipërinë në një prodhues shumë të rëndësishëm të energjisë së rinovueshme në rajon. Gjithashtu, Kryeministri Berisha u shpreh për potencialet e mëdha turistike të Shqipërisë, burimet minerare që ka vendi ynë, kushtet tepër të favorshme në kultivimin e arrorëve dhe ullinjve, etj.
Kryeministri theksoi se po bëhen përpjekje të mëdha për ta sjellë vendin në epokën dixhitale. “Ne po punojmë në sektorin publik dhe atë privat për t’iu siguruar shqiptarëve dhe investitorëve kudo që gjenden, internet me bandë super të gjerë në të ardhmen e afërt. Në tërësi, qëllimi ynë madhor është të lehtësojmë punën tuaj, të përmirësojmë dhe të lehtësojmë kushtet e investimeve tuaja”, tha Kryeministri.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Për mua është privilegj i madh t’ju drejtohem juve sonte dhe, së pari, t’ju përshëndes të gjithëve, t’ju uroj juve dhe familjeve tuaja, kolegëve dhe vendeve tuaja, gëzuar Vitin e Ri. Shpreh bindjen time se, të gjithë ne së bashku, vitin 2012 do ta kthejmë në një vit të suksesshëm. Ne do e mbajmë atë si vitin e rritjes ekonomike, të zhvillimit të mëtejshëm të këtij vendi. Jam i vetëdijshëm për krizën e thellë me të cilën po përballet kontinenti ynë dhe më gjerë. Është e qartë si kristali se kriza është shumëdimensionale. Për sa i përket ekonomisë, Euro është vetëm një aspekt i saj, borxhet janë një tjetër aspekt, por më thellë ka ndikuar në konkurueshmëri. Ajo ju ka shkaktuar juve më shumë probleme në konkurueshmëri. Prandaj, duke e patur parasysh atë, le të bëjmë së bashku çdo përpjekje për të forcuar, konsoliduar dhe përmirësuar konkurrueshmërinë në këtë vend. Unë ju zotohem se qeveria ime është gati dhe është e gatshme t’ju hap rrugën dhe t’ju ndjek në çdo hap, për të bërë bizneset tuaja, bizneset në këtë vend, si dhe ekonominë e këtij vendi më konkurruese.
Këto vite krize kanë provuar se modeli ynë ekonomik po funksionon. Pak ditë më parë drekova me ministrin e Financave të Polonisë. Duke folur për rritjen ekonomike, ai më tha se Polonia ka pasur për katër vite së bashku 50 përqind rritje. Unë i thash se Shqipëria për katër vite së bashku ka pasur 80 përqind rritje. Kryeson jo vetëm rritjen në vendet e BE-së, por rritjen evropiane. Kjo ndodh, sepse modeli ynë është i bazuar tek liria. Ju keni në këtë vend një nga administratat më të vogla në botë. Vendi renditet në grupin e 10 vendeve me administratën më të vogël në botë. Ju gjeni në këtë vend një nga dhjetë vendet me qeverinë më të vogël, që për sa i përket ekonomisë do të thotë liri për ju. Ju keni në këtë vend barrën më të ulët fiskale. Nëse shikoni raportet botërore më serioze, të gjitha ato dëshmojnë dhe vërtetojnë se çdo vit Shqipëria po përmirëson dhe po rrit liritë e saj ekonomike. Shqipëria nuk është ajo çfarë duhet të jetë, por një gjë është e sigurt se vit pas viti, vazhdimisht, po përmirësohet. Kam besimin e thellë se potencialet e të gjitha potencialeve i kemi në liritë ekonomike. Prandaj, të gjithë ne, qeveria dhe komuniteti i biznesit, duhet të bëjë më të mirën për t‘i zgjeruar, respektuar si një kusht për rritje të suksesshme dhe të vazhdueshme në këtë vend. Falë saj, ndërkohë që investimet e huaja direkte në botë pësuan rënie prej 37 përqind, sipas UNCTAD, në gjashtë vitet e fundi investimet e huaja në Shqipëri u rritën me 360 përqind. Falë saj, vendi, edhe pse nuk është një ekonomi e drejtuar ndaj eksporteve, i ka dyfishuar eksportet gjatë dy viteve, 2009 – 2011. Falë saj, ky vend ka një raport midis pagesave dhe produktivitetit shumë të mirë, i cili renditet i 17-ti në botë.
Ndoshta nuk jemi vend ideal, por pa diskutim një vend i shpresave. Këtu, shpresat udhëheqin investitorët, investimet dhe njerëzit. Pash të dhënat e censusit të fundit, të cilat tregojnë se shqiptarë kanë ndërtuar banesa në 10 vjet më shumë se çdo vend evropian në 20 vite. Shqiptarët kanë ndërtuar banesa në këto 10 vite më shumë se çdo vend tjetër evropian në 30 vite, përveç njërit. Tani lëmë pas, të paktën në banesa për frymë, vende anëtare të BE-së. Ky është një indeks i dinamizmit, një indeks i shpresës. Ata që ndërtojnë banesa janë njerëz që kanë shpresë. Kjo është shumë e rëndësishme për këtë vend. Këto janë të dhënat, synimet janë të ndryshme. Prandaj duhet të punojmë ngushtësisht për të vazhduar axhenden tonë për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij vendi. Unë mendoj se fokusi ynë në energji dhe energjinë e rinovueshme është vetëm një. Ndoshta ju e dini se janë në ndërtim rreth 73 hidrocentrale. Këtë vit, ne jemi në prag të pothuajse përfundimit të punimeve për të nisur kaskadën e Devollit, një investim prej një miliardë euro.
Vij nga Parisi dhe do të doja t’ju përmendja këtu vetëm një fjali të Presidentit të GDF SUEZ: “Shqipëria mund të bëhet një basen i mrekullueshme i prodhimit të energjisë së rinovueshme në rajon”.
Vendi im po renditet lart e më lartë në axhendën e kompanive të mëdha në çështjet e energjisë së rinovueshme. Potenciali ynë në energjinë e rinovueshme është i jashtëzakonshëm. Prandaj ju ftoj juve, si ambasadorët më të mirë të këtij vendi për çështjet e biznesit, t’i shikoni me shumë interes këto fusha, si dhe të inkurajoni miqtë tuaj në vendet tuaja, në të gjithë botën, të konsiderojnë seriozisht, të marrin pjesë në këto përpjekje për ta kthyer Shqipërinë në një prodhues shumë të rëndësishëm të energjisë së rinovueshme në rajon.
Shqipëria është një vend me potencial shumë të madh turistik. 15 vjet më parë vizitova një rajon në Azinë Juglindore. Atje gjeta një ishull ku numri i turistëve ishte rritur nga 200 mijë në 1.2 milionë në 10 vjet dhe më bëri shumë përshtypje. Në fakt, në vendin tim numri i turistëve dhe vizitorëve nga viti 2004 në vitin 2011 u rrit nga 300 mijë në 4 milionë. Kushdo që do të investojë në turizëm në këtë vendin nuk do të jetë kurrë i humbur. Do të ketë një histori suksesi.
Shqipëria është një vend me potencial shumë të madh minerar. Ne po punojmë me institucionet më prestigjioze për të patur transparencë të plotë në shfrytëzimin e burimeve tona kombëtare.
Shqipëria ka shumë projekte ambicioze në bujqësi. Kjo krizë tregoi që ju kurrë nuk duhet injoroni përpjekjet për produkte bujqësore. Kështu që ne jemi shumë të fokusuar për të bërë më të mirën, për të kthyer vendin në një prodhues të rëndësishëm të arrorëve dhe në një prodhues modest të vajit të ullirit dhe ullinjve. Ky vit do të jetë një vit shumë tërheqës. Ne do të privatizojmë 85 përqind të pyjeve tanë. Ju dhe kolegët tuaj, nga vendet tuaja, jeni të ftuar të merrni pjesë në këtë proces. Ne do të bëjmë më të mirën për të ndërtuar në vend një nga infrastrukturat më moderne rrugore. Kudo që të investoni në këtë vend, në veri, në jug, në lindje, do të keni mundësinë të arrini në Tiranë duke fituar 60-80 përqind të kohës suaj. Unë mendoj se ky është një avantazh shumë i mirë.
Ne po bëjmë përpjekje të mëdha për ta sjell vendin në epokën dixhitale. Ne po punojmë në sektorin publik dhe atë privat për t’iu siguruar shqiptarëve dhe investitorëve kudo që gjenden, internet me bandë super të gjerë në të ardhmen e afërt. Në tërësi, qëllimi ynë madhor është të lehtësojmë punën tuaj, të përmirësojmë dhe të lehtësojmë kushtet e investimeve tuaja.
Po e përfundoj duke ju falënderuar nga zemra, sepse disa prej jush janë pionierë, të tjerë kanë ardhur më vonë, që vendosët ëndrrat tuaja të bukura në vendin tim, patët shumë besim në vendin tim. Ju siguroj se ne do t’ju jemi mirënjohës përgjithmonë për përpjekjet tuaja.
Shumë faleminderit!”
19/01/2012