E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Krijimi i DIHA-s, dëshmi e besimi të madh të biznesit gjerman ndaj Shqipërisë

Kryeministri Berisha mori pjesë dje pasdite në ceremoninë e hapjes së Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), e cila u zhvillua në mjediset e ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha vlerësoi se themelimi i Dhomës  Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë do të shërbejë si një institucion shumë i rëndësishëm për  të inkurajuar bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, si dhe do të nxisë investimet gjermane në Shqipëri.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministri i Ekonimisë, Tregtisë dhe Energjitikës z.Genc Ruli, znj. Andrea Gebbeken, Presidente themeluese e Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHA), etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Themelimi i DIHA-s në Shqipëri përbën një ngjarje shumë të rëndësishme në marrëdhëniet ekonomike midis Republikës Federale Gjermane dhe vendit tonë. Një ngjarje, e cila do të inkurajojë bashkëpunimin ekonomik dhe do të nxisë investimet gjermane në Shqipëri, për të cilat ajo ka nevojë të jashtëzakonshme. Gjatë këtyre viteve Republika Federale Gjermane i ka dhënë Shqipërisë një ndihmë jashtëzakonisht të madhe, mbi 860 milionë euro dhe mbi dhjetëra e qindra projekte konkrete, të cilat kanë ndryshuar në mënyrë pozitive dhe cilësore jetën e shqiptarëve. Kombi mik gjerman i ka dhënë Shqipërisë edhe qindra e qindra miliona të tjera nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, ku Gjermania është donator kryesor, Banka Botërore dhe institucioneve të tjera.

Krijimi i Dhomës gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri përbën një levë të fuqishme të shumëfishimit të ndihmës gjermane për Shqipërinë. Buxheti i qeverisë gjermane është më i madhi në Evropë, por buxheti i biznesit gjerman është dhjetëra herë më i madh se ai i qeverisë gjermane. Ja sepse ne jemi jashtëzakonisht të interesuar dhe unë jam shumë i gëzuar me themelimin e Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, e cila do të shërbejë si një institucion shumë i rëndësishëm për të mbështetur të gjitha përpjekjet e biznesmenëve gjermanë për të investuar në Shqipëri.

Në Shqipëri janë të pranishme kompanitë e mëdha gjermane si Hoktiff, Pro Credit, Mercedes Benz, Volksëagen, etj., por ajo që unë kam kënaqësi të veçantë është se Shqipëria, ky vend vend i vogël, është e gatshme dhe e aftë të presë investimet më të mëdha të korporatave gjermane dhe t’i shndërrojë këto investime në një histori të vërtetë suksesi. Ky vend aq sa është i vogël gjeografikisht, aq i madh është në potencialet e tij për investime në turizëm, të energjisë, të minierave, por edhe në industri për shkak të një tregu të shkëlqyer pune që ka, të pashoq në Evropë.

Ka një statistike shumë pozitive, nga viti 2007 në vitin 2008 importet dhe eksportet ndërmjet dy vendeve tona janë rritur përafërsisht me 30 për qind. Në këtë rast merita më e madhe është e juaja, por edhe unë, zoti Ambasador dhe zonja Gebbeken, jemi shumë të kënaqur sepse jemi përpjekur ta lehtësojmë këtë proces.

Ndaj dhe ky është një rast për mua të falënderoj zonjën Gebbeken dhe zotin Borchardt për përkushtimin e tyre të madh, gjatë gjithë kësaj periudhe, për inkurajimin e biznesit gjerman dhe marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve tona. Dhe ne duhet të jemi shumë të kënaqur sepse po prekim rezultate shumë konkrete, siç është themelimi i Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, dëshmi e një besimi të madh në rritje e biznesit gjerman ndaj Shqipërisë.

Urimet më të përzemërta!” 


08/05/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›