Kryeministri Berisha: Ky komb s’ka qenë kurrë më i bukur sesa tani që gjenerata e parë e lirisë voton në 8 maj

- Katër vitet e ardhshme do të shpalosim Malësinë turistike dhe promovojmë bukuritë mahnitëse të saj
- Këto 4 vite do të jenë vitet e Malësisë së Madhe, si një ndër kantieret më të mëdha të vendit.
- Jam këtu për tu zotuar para jush se këto 4 vite do të nisë puna për parkun industrial ndër më të mëdhenj të vendit, ku do të punësohen jo vetëm mijëra vajza dhe djem të Malësisë së Madhe por edhe nga zona të tjera të Shqipërisë.
Në vazhdim të fushatës zgjedhore, Kryeministri Berisha u ndal të shtunën pasdite në Koplik, për të shprehur mbështetjen për kandidatin për kryetar bashkie të “Aleancës për qytetarin”, për këtë bashki, zotin Ramadan Lika.
Kryeministri Berisha premtoi para qytetarëve se së bashku me ta dhe duke punuar ngushtësisht me qeveritarët vendorë do ta shndërrojnë Malësinë e Madhe, qytetin dhe komunat e saj në qytet dhe komuna moderne evropiane.
Duke premtuar se investimet për zonën do të gjashtëfishohen, kryeministri tha se do të ndërtohen dhe rindërtohen të gjitha shkollat, ujësjellësat, kanalizimet, vaditjet, do të shpaloset Malësia turistike dhe promovohen bukuritë mahnitëse të zonave përreth.
Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
“Së pari, ju përshëndes dhe përulem me nderim të madh, duke shprehur respektin më të thellë, mirënjohjen time për mbështetjen e jashtëzakonshme që ju i keni dhënë PD nga themelimi deri më sot. Malësia e Madhe ka qenë dhe mbetet në krye të mbështetjes për përpjekjet e Partisë Demokratike, për ndryshimin e Shkodrës, për ndryshimin e Shqipërisë.
Vëllezër dhe motra,
Kam ardhur sot këtu që të zotohem se në 4 vitet që vijnë së bashku me ju, malësorët dhe malësoret e kësaj malësie, me qytetarët e kësaj bashkie, të shndërrojmë Malësinë, qytetin, komunat e saj , në qytet evropian, në komuna evropiane.
Së bashku me qeveritarët tuaj vendorë do të financojmë çdo projekt për infrastrukturën më moderne në të katër anët e rrethit tuaj. Këto 4 vite do të jenë vitet e Malësisë së Madhe, një ndër kantieret më të mëdha të vendit.
Këto 4 vite ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë në këtë treve qindra kilometra rrugë, do të asfaltojmë çdo rrugë dhe rrugicë të fshatrave tuaja, të lagjeve tuaja. Këto 4 vite ne së bashku do ia dalim ti paraqesim Evropës dhe botës, shqiptarëve kudo që janë fytyrën e bukur të Malësisë së Mirë, të Malësisë së Madhe, nga Vermoshi deri në Shkodër.
Këto 4 vite ne do ta shndërrojmë Malësinë e Madhe në kopshtin më të bukur të ullishtave,të vreshtave, të shegëve. Unë jam këtu për tu bërë thirrje vajzave dhe djemve të Malësisë se Madhe kudo që janë të vijnë këtu dhe ta shndërrojmë Malësinë e Madhe në kopshtin më të bukur të Shqipërisë. Unë jam këtu për tu bërë thirrje fermerëve të mbjellin sa më shumë ullinj, vreshta, shegë, gështenjë, arra. Toka juaj është një parajsë e vërtetë.
Jam këtu për tu zotuar para jush se këto 4 vite do të nisë puna për parkun industrial ndër më të mëdhenjtë të vendit, ku do të punësohen jo vetëm mijëra vajza dhe djem të Malësisë së Madhe, por edhe nga vende të tjera të Shqipërisë.
Ju jap fjalën e nderit se në 4 vitet që vijnë investimet për këtë zonë do të gjashtëfishohen. Do të ndërtojmë dhe rindërtojmë të gjitha shkollat, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë ujësjellës, kanalizime, vaditje, do të shpalosim Malësinë turistike, do të shpalosim bukurinë mahnitëse, të Kelmendit, Vermoshit dhe të gjithë zonave tuaja.
Kjo alternativë, kjo përpjekje është përpjekje që bazohet në punë në djersë, në punë në përkushtim, në dashuri, në respekt, në dinjitet,por kjo përpjekje ka bërë që ne sot, ish njerëzit më të shtypur në Evropë të jemi njerëz të sukseseve të mëdha, të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë që lëvizin të lirë në mbarë Evropën, të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi që sot është shpallur si destinacionin kryesor turistik i Evropës dhe botës. Të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi, ekonomia e të cilit kryeson për tre vjet rresht, rritjen ekonomike në Evropë. Të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi që ka dyfishuar pensionet e ulëta, që ka dyfishuar rrogat e ulëta, që ka dyfishuar rrogat e mesme. Ne nuk jemi ata që qajnë e vajtojnë, nuk jemi ata që shajnë e akuzojnë, por jemi ata që punojnë, bëjnë çdo gjë për të ndryshuar jetën tonë.
Dëgjova Gabrielën dhe dua ti them Gabrielës dhe të gjithë moshatarëve të saj se ju jeni pasuria më e madhe e këtij kombi, ju jeni krenaria më e madhe e jona, ju jeni lumturia e vërtetë e kombit shqiptar. Ky komb s’ka qenë kurrë më i bukur sesa tani që gjenerata e parë e lirisë voton në 8 maj. Ju jeni të bekuar sepse nuk jetuat asnjë ditë në diktaturë. Shqipëria, në zemrat tuaja, në ëndrrat tuaja do të jetë Shqipëria më e bukura, më e zhvilluara se të gjithë vendet e tjera.
Ndaj dhe ju bëj thirrje maturanteve shqiptarë dhe të gjithë të rinjve që votojnë për herë të parë, votoni me krenari të madhe. Votoni se u rritët si djem dhe vajza të një vendi të lirë, votoni se u rritët si një gjeneratë e bekuar nga zoti që në ditën e parë të jetës suaj.
Qytetarë dhe qytetare të Koplikut,
Malësorë dhe malësore të Malësisë së Mirë, të Malësisë së Madhe,
Krahas kësaj rruge, ka dalë nga labirintet e historisë dhe “rruga e vetme”. Rruga e vetme ishte ajo rrugë që ju ndaloi shqiptarëve zotin, që ju ndaloi shqiptarëve pronën, që ju ndaloi shqiptarëve lirinë. Sigurisht ajo rrugë nuk kthehet më kurrë. Rruga e vetme e etërve të dikurshëm nuk kthehet më kurrë, kurse rruga e vetme e bijve të tyre është sot rruga e bllokimit të çdo gjeje që është në interesin tuaj.
Dua ti them zotit Edi Rama se që kur erdhe në krye të PS ke bërë çdo gjë për të bllokuar çdo reformë, çdo masë, çdo ligj çdo vendim që është interes jetik qytetarëve shqiptarë. Të paharruara do të mbeten për mua etiketimet kriminale për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Jo zotëri, rritja e rrogave dhe pensioneve është akti me njerëzor, më social, më human dhe ne do të vazhdojmë ti rrisim ato çdo vit. Votuat kundër pajisjes së shqiptarëve me kartat, letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike, pajisje kjo, si një kusht vendimtar për lëvizjen e lirë. Qarkuat Shqipërinë në vallen e kutive, njësoj si etërit tuaj dikur në vallen e Enverit. Shqiptarët sot lëvizin të lirë në mbarë Evropën.
Votuat në parlament para pak ditësh edhe kundër faljes dhe amnistisë për bizneset dhe detyrimet 20 vjeçare të njerëzve në nevojë. Pra unë e kuptoj që opozita nuk ka pse të votojë me qeverinë, por s’mund ta kuptoj kurrë pse opozita s’mund të dalë mbi propozimet e saj, të kërkojë më shumë, gjithnjë e më shumë për secilin prej jush, për çdo qytetar.
Kur ne parlament u ngritën dhe e quajtën kriminale rritjen e rrogave dhe pensioneve, unë prisja që ta atë propozonin rritje shumë më tepër të rrogave dhe pensioneve,por jo dhe jo. Ata u përpoqën tu trembin ju, tu thonë se qeveria ska para, se Shqipëria po falimenton. Tani kalon nga sheshi në shesh dhe ju thotë shqiptarëve se Berisha po merret me rrugët, po merret me shkollat. Me këto do merrem dhe me çdo që ju intereson qytetarëve shqiptarë.
Unë dua tu garantoj ju se çdo orë, çdo minut dhe çdo ditë do të bëjë gjithçka që së bashku me qeveritarët vendor, të përmirësojmë gjithnjë e më shumë jetën tuaj, të fëmijëve tuaj, të familjeve tuaja. Për ne ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parët, Kopliku është i pari, Malësia e Madhe është e para, Shkodra është e para, Shqipëria është e para.
Unë ju bëj thirrje të gjithë banorë te Malësisë së Madhe, pa dallim nga bindjet politike, të vijnë në shtëpinë tonë. Shtëpia jonë i ka dyert të hapura për të gjithë. Nuk ju duhet gjë rruga e vetmisë, nuk keni pse mendoni për rrugën e vetme. Atë e meritojnë pinjollët e etërve që nuk kthehen më kurrë. Për ju shtëpia jonë është shtëpia më e mirë. Së bashku ne do të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë.
Le tia lëmë rrugën e vetme atij të vetmit, i cili do të bëhet vetë kryetar bashkie, vetë kryetar partie, vetë kryetar qeveri. Ju e dini kush ishte ky. Dhe a e dini vëllezër dhe motra sepse tek bashkia ka lugën e floririt, tek qeveria ka ëndrrën e floririt, tek Partia Socialiste ka peshkun e floririt në ëndërr. Le të shkojë në shtëpinë e vetmisë, le të shkojë në shtëpinë e harresës politike, le të shkojë drejt të shkuarës, le të ecim ne drejt të ardhmes që meritojmë. Ne në 20 vjet kemi ecur më shpejt se kurrë ndonjëherë më parë. Ne në 20 vjet kemi hedhur themelet e të ardhmes së ndritur që meritojmë.
Rrofshi ju!
Rroftë populli i Malësisë së Madhe!
Rroftë Shkodra!
Rroftë Shqipëria!
23/04/2011